Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: bukuria e çiftit është ngjashmëria me Zotin

Në qendër të homelisë së sotme të Papës, mbajtur në Meshën e mëngjesit, në Kapelën e Shën Martës, bukuria e martesës. E ndiqnin, ndërmjet tjerësh, shtatë çifte, që kremtonin 50 e 25-vjetorin e martesës.

R. SH. Vatikan

Është e vërtetë se ka shumë vështirësi në jetën e çiftit e në familje, por  jo më pak, edhe bukuri. E  këtë bukuri do ta shikojmë sot, kujtoi Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit. E nënvizoi: “jeta e fesë nuk mund të rëgjohet në “mund o nuk mund”.

Në qendër të homelisë së sotme të Papës, mbajtur në Meshën e mëngjesit, në kapelën e Shën Martës, ishte, pra, bukuria e martesës. E ndiqnin, ndërmjet tjerësh, shtatë çifte, që kremtonin 50 e 25-vjetorin e martesës.

Mund - a nuk mund

Fragmenti i Ungjillit sipas Markut, i sapolexuar, fliste për qëllimin e farizenjve për ta vënë në provë Jezusin, duke i bërë një pyetje, që Papa e quan “kazistike”, nga ato pyetje të fesë - shpjegoi - që ndokush i përmbledh me fjalët “mund, ose nuk mund” e “ku feja reduktohet në një po ose në një jo. E saktëson:

Nuk është fjala për “po”-në e madhe, e as “jo”-në e madhe, për të cilat kemi dëgjuar të flitet, domethënë për pranimin ose mospranimin e Zotit. Jo: mund ose nuk mund. E jeta e krishterë, jeta sipas Zotit, për këta njerëz, kufizohet gjithnjë në këtë “mund” a “nuk mund”.

Të shikojmë bukurinë e martesës

Pyetja e farizenjve ka të bëjë me martesën. Duan të dinë nëse është e lejueshme ose jo, që burri ta lëshojë gruan. Mund a nuk mund! Por - pohoi Françesku – Jezusi shkon përtej, shkon lart e “arrin deri tek Krijimi e flet për martesën, që ndoshta, është gjëja më e bukur e krijuar nga Zoti në ato shtatë ditë”.

“Që në zanafillë të krijimit (Zoti) bëri mashkull e femër; prandaj burri do ta lërë atin e nënën e do të bashkohet me gruan e të dy do të bëhen një korp i vetëm. E fortë kjo, që thotë Zoti” - komentoi Papa - flet për një korp, që nuk mund të ndahet. Jezusi e lë mënjanë problemin e ndarjes e shkon drejt e tek “bukuria e çiftit”, që duhet të jetë një gjë e vetme.

E në vijim Françesku porositi: “Ne nuk duhet të ndalohemi, si këta doktorët e ligjit, mbi një “mund” a “nuk mund” të ndahet një martesë. Kjo është … nganjëherë është edhe fatkeqësi, nganjëherë nuk funksionon e është më mirë të ndahesh, për të shmangur luftën botërore, por kjo mbetet gjithnjë fatkeqësi. Ne po shikojmë anën më pozitive.

Mund të shkohet gjithnjë përpara

Pastaj Papa tregoi sesi një herë u takua me një çift, që festonte 60-vjetorin e martesës. E kur i pyeti “A jeni të lumtur”, ata të dy u shikuan me sytë  e lagur nga lotët e, të prekur thellë në shpirt, u gjegjën njëzëri: “Jemi të dashuruar”.

Është e vërtetë se mund të ketë vështirësi, mund të krijohen probleme me fëmijët, ose në gjirin e vetë çiftit. Mund të ketë diskutime, sherre…. Por, rëndësi ka që korpi të mbetet një i vetëm. E atëhere gjithçka kalon. Kapërcehet. E ky nuk është sakrament vetëm për ta, por edhe për Kishën, sakrament, që tërheq vëmendjen: “Pa shikoni, dashuria, pra, qenka e mundur!”. Mund t’i bëjë njerëzit të jetojnë të dashuruar për gjithë jetën. Bashkë, në gëzim e në provë, me problemet e fëmijëve e të vetat… por duke shkuar gjithnjë përpara. Në shëndet e në sëmundje, gjithnjë përpara. E kjo është bukuria!

Çifti: ngjasim e shëmbëlltyrë e Zotit

Burri e gruaja u krijuan në ngjasim të Zotit e vetë martesa bëhet, kështu, shëmbëlltyra e Tij, prandaj - tha Papa - është gjëja më e bukur: “Martesa është predikim i heshtur për të gjithë, predikim i përditshëm”.

Është e dhimbshme kur kjo nuk është lajm: gazetat, teleditoret nuk merren kurrë me këtë lajm. Po, ky çift, që jeton prej kaq vitesh së bashku, nuk është lajm. Nuk është, sepse lajm është shkandulli, është divorci, është ndarja - edhe pse ndodh nganjëherë, për të shmangur ndonjë të keqe më të madhe. Po shëmbëlltyra e Zotit nuk është lajm! Nuk është lajm, bukuria e martesës. Ata janë në ngjasim e sipas shëmbëlltyrës së Zotit. E ky është lajmi ynë, lajm i krishterë!

Durimi është virtyti më i rëndësishëm

Françesku përsëriti se nuk është aspak e lehtë jeta martesore e as familja, e citoi Leximin e Parë, shkëputur nga Letra e Shën Jakobit apostull, që flet për durimin. Thotë se ndoshta është virtyti më i rëndësishëm për çiftin – “si për gruan, ashtu edhe për burrin” - e përfundon me një lutje drejtuar Zotit “që t’i japë Kishës dhe shoqërisë një vetëdije më të thellë, më të bukur për martesën e të gjithë të arrijmë të kuptojmë e të kundrojmë se në martesë është ngjasimi e shëmbëlltyra e vetë Zotit!”.

25 maj 2018, 16:11