Të meditojmë Ungjillin e Dielës së 2-të gjatë vitit 'C': mrekullia e Kanës
R.SH. - Vatikan
Cila është ora, që përmend Jezusi në kreun 2 (1-11) të Ungjillit sipas Gjonit, në të dielën II të gjatë vitit kishtar (C)? Për ungjilltarin është kulmi i jetës së Mesisë, sidomos Kalvari; është edhe çasti, që përmbys historinë e njerëzve të të gjitha kohrave; por është edhe ora e misionit publik të Krishtit, kohë shenjash e mrekullish. Nga ana tjetër, mrekullia e Kanës, për të cilën flet Ungjilli, është mrekulli e fesë së Zojës. Maria nxjerr prej Atit që Jezusi ta fillojë atë kohë, pavarësisht nga bindja se akoma nuk i kishte ardhur “ora”. Të ndjekim pjesën ungjillore nga Gjoni:
Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. Në dasmë e grishën edhe Jezusin e nxënësit e tij. Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!” Jezusi i tha: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!” Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”
Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!” Ata i mbushën deri në grykë. “Merrni tani – u tha atëherë – e çoni kryetarit të tryezës.” Ata ia çuan. Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë – e nuk e dinte nga vinte – shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin – kryetari i tryezës e thirri dhëndrin dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”
Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të. Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit e vet, e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë.
Të lutemi së bashku
Ka një gosti, që i pret
të gjithë burrat e të gjitha gratë
e çdo kohe e të çdo vendi,
një begati jete e gëzimi
që do t’i bëjë të harrojnë
çdo mungesë e çdo vuajtje.
Ti o Krisht, erdhe për ta shpallur
këtë ditë hiri
e mrekullia e Kanës është shenja
që Ti u jep atyre, që presin
realizimin e planit të Zotit.
Ka një gosti, që askush
s’mund ta sigurojë me forcat e veta,
sepse, herët a vonë, gjithçka fiton
me mund, djersë e punë,
mbaron e mbetesh i uritur e i etur,
pa bukë e pa verë.
Ti o Krisht, erdhe të na sjellësh
jo ndonjë verë të çfarëdoshme
e as bukë, që na e shuan urinë
veç për një ditë,
por verën më të mirë, më të ëmbël
e bukën, që na dhuron amshimin.
Në këtë lloj gostie, jemi të gjithë varfanjakë,
sepse e marrim veç prej Teje
gëzimin e paqen, ngushëllimin e mëshirën
e Atit Qiellor, që dëshiron, mbi çdo gjë,
lumturinë e bijve të vet.
Në këtë gosti, shihet qartë e menjëherë
se ia vlen të besojmë në Ty, në Fjalën tënde.