Kërko

"Ndërtuesit e Shpresës" mblidhen në Romë për të përsëritur thirrjen për paqe

Në selinë romane të Esperienza Europa–David Sassoli, u mbajt takimi "Axhenda për Paqen 2025, roli i Evropës dhe sfidat e Jubileut" organizuar nga Parlamenti Evropian në Itali: një diskutim mbi shpresën për të lënë pas konfliktet. Të pranishëm, drejtues të lëvizjeve kishtare, imami i xhamisë së madhe të Romës, Akkad dhe kryetarja e bashkësisë hebraike të kryeqytetit italian, Di Segni. Në lidhje nga Jeruzalemi, ministri Tajani

R.SH. – Vatikan

Kisha mobilizohet vazhdimisht për paqen. Kësaj radhe, duke u dhënë zë të gjitha lëvizjeve dhe shoqatave të krishtera, që kanë bërë të tyren thirrjen e Papës Françesku për t'u shndërruar në dëshmitarë të dialogut, pa përjashtuar askënd dhe pa u kushtëzuar nga qëndrimet e ndryshme politike e shoqërore. Këto ishin karakteristikat e takimit të këtyre ditëve në Romë, me temë "Axhenda për Paqen 2025, roli i Evropës dhe sfidat e Jubileut" organizuar nga Parlamenti Evropian në Itali. Krerë të ndryshëm të realiteteve kishtare – nga Bashkësia e Shën Egjidit te sindikata katolike Acli, nga Veprimi Katolik te Lëvizja e Fokolarinëve, nga skalabrinianët te Lëvizja Bashkim e Çlirim – morën pjesë në një debat mbi shpresën për të lënë pas konfliktet e luftërat e përgjakshme, duke diskutuar si mund të kontribuojë njerëzimi, çdo individ dhe çdo organizatë për këtë qëllim të vështirë, por jo të pamundur për t’u arritur, siç nënvizon Papa në bulën për shpalljen e Jubileut 2025, “Spes non confundit”.

Etapë e një rrugëtimi

Takimi i mbajtur në selinë italiane të Parlamentit Evropian në Romë-David Sassoli, ku morën pjesë edhe imami i xhamisë së madhe të kryeqytetit, Nader Akkad, si edhe kryetarja e Bashkësisë Hebraike të Romës, Noemi Di Segni, ishte mundësi për të përsëritur me forcë nevojën për të punuar me vërtetësi e sinqeritet për paqen. "Ky takim është faza e parë e një axhende për paqen, në të cilën duhet të jemi gjithnjë e më shumë protagonistë", pohoi Piero Damosso, një gazetar italian, libri i të cilit, me titull "A mund ta ndalë Kisha luftën?", ishte arsyeja për organizimin e këtij debati.

Jo ndërmjetësues për interesa

Marrëveshja ndërmjet Izraelit e Hamasit, si edhe situata në Siri, u komentuan nga kreu i Bashkësisë së Shën Egjidit, Marco Impagliazzo, i cili nënvizoi se "është fjala për shenja të dobëta shprese, por fatmirësisht, ekzistojnë”, pavarësisht nga brishtësia e tyre. “Kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Aires, Papa aktual, Jorge Mario Bergoglio – kujtoi ai - na pati thënë: e vlerësoj punën tuaj, sepse ju jeni ndërmjetësues pa interes, nuk jeni pala e tretë që përfiton nga paqja. Interesi i vetëm i ndërmjetësuesve të vërtetë është të kapërcejnë vuajtjet e popujve të përfshirë në konflikt. Për të arritur paqen kërkohet një stil jo i dhunshëm”.

Urat e Shpresës

Kryetarja e Lëvizjes së Fokolarëve, Margaret Karram, me origjinë palestineze, foli mbi nevojën për një paqe, që arrihet nga poshtë. “Për këtë, të gjithë ne duhet të ndërtojmë ura shprese. E bashkësia jonë po bën kështu në shumë zona të botës të shkatërruara nga konfliktet, si Libani dhe Siria: i ndihmojmë të gjithë pa dallim”.

Të mos e humbim guximin

I pranishëm në takim, në lidhje nga Jeruzalemi, edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili shprehu kënaqësinë për marrëveshjen izraelito-palestineze, duke konfirmuar impenjimin e Italisë për paqen: "Pas disa javësh do të kthehem këtu për të pritur anijet e projektit "Ushqim për Gazën", i cili ka mbështetjen e Izraelit dhe të Palestinës. Për paqen duhet kohë, por duhet të punojmë në këtë drejtim pa e humbur guximin".

22 janar 2025, 10:39