Engjëlloret e Shën Palit kremtojnë 490-vjetorin e themelimit dhe Jubileun e Shpresës
R.SH. / Vatikan
“Si shtegtarë të shpresës, shpalosni flamujt tuaj”, ky është lajmotivi që ka zgjedhur Kongregata e Motrave Engjëllore të Shën Palit, për të kremtuar sivjet jubileun e dyfishtë: 490-vjetorin e themelimit nga Shën Anton Maria Zaccaria dhe Jubileun e Shpresës 2025.
Kujtojmë se Shën Antoni Maria Zaccaria, meshtar italian, rreth vitit 1530 themeloi Kongregatën e Klerikëve të Rregullt të shën Palit ose Barnabitëve, Kongregatën e Motrave Engjëllore të shën Palit dhe Laikët e shën Palit, me qëllim të ripërtëritjes së jetës shpirtërore të besimtarëve.
Më 15 janarin e kaluar Motrat Engjëllore të Shën Palit e shënuan 490-vjetorin e themelimit me një Meshë solemne kryesuar nga kryeipeshkvi Milanos imzot Delpini, dhe kaluan Portën e Shenjtë të Vitit Jubilar. Po më hollësisht rreth këtij Jubileu të dyfishtë dhe për t’u njohur më shumë me Motrat Engjëllore të Shën Palit, me përshpirtërinë dhe misionin e tyre, të ndjekim njoftimin e Motrës Engjëllore Amanda Shkoza:
“Si shtegtarë të shpresës, shpalosni flamujt tuaj”. Sot, kur Kisha katolike kremton festën e Kthimit të Shën Palit, në këtë Vit Jubilar për Kishën e gjithëmbarshme, Kongregata e Motrave Engjëllore të Shën Palit, është në jubileun e dyfishtë duke përkujtuar 490-vjetorin e themelimit nga Shën Anton Maria Zaccaria.
Në 490-vjetorin e themelimit të Kongregatës, ne Motrat Engjëllore të Shën Palit, ashtu si Virgjëra Mari, mund të themi me besim dhe mirënjohje “Gjërat të mëdha ka bërë Zoti i gjithëpushtetshëm...” për Kongregatën tonë, duke na zgjedhur dhe udhëhequr ndër shekuj në planin e madh të dashurisë së Tij si një trashëgimi e çmuar në dhuratën e plotë për Birin e Tij, Jezu Krishtin, Kishën dhe për vëllezërit e motrat tona, përmes karizmës dhe misionit tonë, pikërisht për këtë arsye edhe ne brohorasim “...i shenjtë është Emri i Tij”.
Në këtë vit jubilar të Kishës miliona shtegtar kalojnë Dyert e Shenjta të katër Bazilikave papnore të Romës, ku më 15 janar kishim hirin të kalonim edhe ne “Derën Shenjte” të kishës sonë kushtuar “Familjes Shenjte” në Milano, me mundësinë e indulgjencave plenare (ndjesës së plotë). Kjo ditë përvjetori dhe feste u bë edhe më madhështore me pranin e Motrave Engjëllore të vendit dhe të atyre të ardhura nga shumë vende të ndryshme të botës, ku zhvillojmë misionin e familjes sonë rregulltare sipas testamentit të themeluesit “Bija të dashura, shpalosni flamujt tuaj... sepse së shpejti i kryqëzuari do t’ju dërgojë të shpallni gjallërinë shpirtërore dhe shpirtin e gjallë në mbarë botën”.
Mesha shenjte u kremtua nga Arqipeshkvi i Milanos, Imzot Mario Delpini në bashkëmeshim me bashkëvëllezërit Klerikë të Shën Palit – Barnabitë, në krye me Gjeneralin e tyre, e animuar nga Motrat Engjëllore dhe zërat engjëllor të fëmijëve të institucionit të Motrave, së bashku me mësimdhënësit e tyre.
Festa vazhdoi me paraqitjen e programit artistik përgatitur nga fëmijët, mësimëdhenësit, prindërit dhe Motrat Engjëllore si dhe me vizitën që ju bë kishës së Shën Barnabes, ku edhe gjendet trupi i themeluesit tonë, Shën Anton Maria Zaccaria. Dita e mrekullueshme u përmbyll me “Il musical” përgatitur nga mësimdhënësit dhe prindërit e Institutit të Shën Palit të Motrave Engjëllore.
Kush janë Motrat Engjëllore të Shën Palit?
Motrat Engjëllore të Shën Palit janë të themeluara në vitin 1535, në Milano të Italisë nga Shën Anton Maria Zaccaria, i lindur në vitin 1502, në Kremona të Italisë. Qëllimi i themelimit të Kongregatës, ishte bashkëpunimi me Etërit Barnabit (të themeluar nga i njëjti themelues) më vonë edhe Laiket e Shën Palit, në përcaktimin e një ripërtëritjeje të fesë në një shoqëri e cila ishte bërë shumë shekullore. Jemi rregulli i parë të themeluara në jetën aktive. Deri në vitin 1552, jetuam në jetën aktive siç ishim të themeluara, por në këtë vit me një dekret papnor, Motrat Engjëllore u thirrën që të kalojnë nga jeta aktive në jetën soditëse – klaustrale.
Në vitin 1810, me urdhrin e Napoleonit, nuk mund të pranonin thirrje të reja. Kështu që me kalimin e viteve në mungesë të thirrjeve të reja dhe me kalimin në amshim të motrave erdhi edhe shuarja e Kongregatës, për plot 33 vite. Plani dhe vullneti i Zotit për Motrat Engjëllore të Shën Palit, nuk ishte që ato të vdisnin përgjithmonë por ishte që të rilindin dhe t’i shërbejnë Zotit dhe popullit të tij. Kështu që përmes dashurisë së madhe të bashkëvëllait tonë Padre Pio Mauri, Zoti i dha jetë
Kongregatës së Motrave Engjëllore, të cilat rilindën në jetën klaustrale. Vazhduan të jetojnë si motra të klauzurës deri në vitin 1926, ku falë një tjetër dekreti papnor, me 5 korrik, në festën e Shën Antonit pra të themeluesit, autorizon Kongregatën e Motrave Engjëllore që të rifillon funksionimin e origjinës së jetës aktive, të cilat sot janë në shërbim të Zotit dhe Kishës në shumë vende të ndryshme të botës (Itali, Brazil, Spanjë, Amerikë, Afrikë, Kosovë, Filipine, Shqipëri, Portugali, Cile, Poloni, Indonezi).
Përshpirtëria e Motrave Engjëllore - Shën Antoni, edhe sot na frymëzon të jemi të bashkuara dhe bashkëpunuese, duke rinovuar vazhdimisht jetën në përkushtimin e thirrjes tonë. Ai na nxit të jetojmë një jetë të thjeshtë dhe të përvujtë, përmes një dialogu të hapur dhe të ndershëm, gjithmonë duke ruajtur klimën familjare. Përshpirtëria e Motrave Engjëllore është modeluar sipas Shën Palit Apostull si në të jetuarit dhe në të shpallurit e misterit të Krishtit të Kryqëzuar dhe Eukaristik.
Karizma veprimtaria
Karizma e Shën Antonit, si në shekujt e kaluar ashtu edhe në ditët e sotme, mbetet gjithmonë aktuale dhe unike për ne sepse ai vazhdon të na frymëzojë në përmbushjen e misioneve tona, për Kishën e Shenjtë dhe për shoqërinë që na rrethon përmes shërbimit të së mirës së përbashkët. E gjithë karizma është ripërtëritje e zellit të krishterë përmes apostullatit të themeluar mbi shenjtërinë personale dhe atë të bashkësisë. Apostullati - Edhe sot, përmes Rregullës dhe shkrimeve të tij, themeluesi ynë, Shën Anton Maria Zaccaria, na fton ta aktualizojmë karizmën tonë duke përhapur Mbretërinë e Qiellit përmes:
· Animimit shpirtëror dhe edukimit nëpër shkolla si dhe me të rinj.
· Bashkëpunimi pastoral (famulli si: katekizëm, kore të famullisë, animim i liturgjisë, kampe verore, etj )
· Aktivitete misionare (në vende misionare)
· Asistimi i të moshuarve dhe të sëmurëve (pensionistëve)
· Aktivitete të tjera të kërkuara nga Kisha.
Në këtë përvjetor të mrekullueshëm pothuajse gjysmë shekulli, së bashku me psalmistin edhe ne Motrat Engjëllore themi“Me gjithë shpirt të falënderojmë, o Zot, ... e lavdërojmë Emrin tënd për dashurinë e besnikërinë tënde, sepse e madhërove tesve premtimin tënd”, për planin e jashtëzakonshëm të Kongregatës sonë, duke na bërë të denja që të ndajmë në Kishën shenjte trashëgimin e Shën Anton Maria Zaccaria përmes Kongregatës sonë të Motrave Engjëllore të themeluar nga vet shenjti, si dhe të shijojmë dhuratat e Zotit në tokën e të gjallëve.
Njëkohësisht, kërkojmë ndërmjetësimin e pajtores qiellore të Kongregatës sonë, Nënës së Provanisë Hyjnore, që të bekojë jetën dhe punën e duarve tona me përvujtëri, urtësi, mençuri dhe mirësi, si dhe të ndriçojmë në jetën e shumë të rinjve, djem dhe vajza, duke i ftuar edhe ata që të bëhen pjesë e një përkushtimi dhe angazhimi për të përhapur dashurinë e pafund që karakterizon misionin tonë
përgatiti: Motër Amanda Shkoza