Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
PASMBRËMËSORJA LATINISHT
Programe Podcast
Kisha Katedrale e dioqezës së Rrëshenit Kisha Katedrale e dioqezës së Rrëshenit

Mesazhi i dioqezës së Rrëshenit për situatën e krijuar viteve të fundit

Prej disa vitesh, bashkë me shumë gjëra të bukura që kemi përjetuar në Dioqezën e Rrëshenit, kanë ndodhur edhe një sërë ngjarjesh kriminale dhe vrasjesh, të cilat kanë pasur të bëjnë drejtpërdrejt apo tërthorazi me qytetin e Rrëshenit dhe me Mirditën.

R.SH. / Vatikan

Ipeshkvi i Rrëshenit Imzot Gjergj Meta, në një mesazh drejtuar besimtarëve, qytetaërve e mbarë shoqërisë në territorin e Kishës dioqezante të Rrëshenit e Mirditës, para "një sërë ngjarjesh kriminale dhe vrasjesh, të cilat kanë pasur të bëjnë drejtpërdrejt apo tërthorazi me qytetin e Rrëshenit dhe me Mirditën", mes tjerash nënvizon "detyra ime, e meshtarëve, e motrave dhe e bashkëpunëtorëve të dioqezës është të kujdesemi për çdo banor të dioqezës e t’u kumtojmë atyre Fjalën e Hyjit, që është një fjalë dashurie, shprese, faljeje, paqeje dhe mëshire. Feja jonë katolike na mëson se gjithmonë ka shpresë për të ardhmen dhe se ajo bëhet më e mirë kur ne mësojmë nga e shkuara dhe e jetojmë të tashmen me dëshirën për të ndërtuar të ardhmen. Mendësia e dhunës, e vrasjes, e frikësimit, e korruptimit, nuk çon tjetërkund, përveçse drejt degradimit të shoqërisë. Është një kancer për shoqërinë. Dhuna është kundër arsyes e kundër Fjalës së mirë të Ungjillit". Në vijim mesazhi i ipeshkvit të Rrëshenit Imzot Gjergj Metës:

Një mesazh i Dioqezës së Rrëshenit në lidhje me situatën shoqërore të krijuar viteve të fundit.

“Bekoni ata që ju përndjekin. Bekoni e mos nëmni...

askujt mos ia ktheni të keqen me të keqe.”

(Rom 12, 14.17)

 

Të dashur besimtarë të Dioqezës së Rrëshenit,

Prej disa vitesh, bashkë me shumë gjëra të bukura që kemi përjetuar në Dioqezën e Rrëshenit, kanë ndodhur edhe një sërë ngjarjesh kriminale dhe vrasjesh, të cilat kanë pasur të bëjnë drejtpërdrejt apo tërthorazi me qytetin e Rrëshenit dhe me Mirditën. Sipas komunikimeve të organeve shtetërore, një pjesë e mirë e këtyre ngjarjeve rezultojnë të jenë ende pa autor.

Situata e krijuar ka ndikuar në cilësinë e jetës së një qyteti të vogël sikurse është Rrësheni. Kudo ndihet ankthi dhe pasiguria se çfarë do të ndodhë përsëri. Kjo gjendje përjetohet nëpër familje dhe në shoqërinë më të gjerë qytetare, por edhe në të gjithë fshatrat e Mirditës.

Detyra ime si ipeshkëv i Dioqezës së Rrëshenit, e motrave dhe e meshtarëve të kësaj dioqeze, nuk është kërkimi dhe gjetja e autorëve të këtyre ngjarjeve. Kjo detyrë u përket organeve kompetente dhe ne shpresojmë se ata do ta kryejnë atë gjithmonë, me qëllim që t’u garantojnë qytetarëve rendin dhe sigurinë për jetën e tyre e të familjeve të tyre, duke i thënë “jo” me forcë çdo tundimi që të çon drejt korrupsionit apo indiferencës për shkak të frikës. Pa dyshim, për të garantuar rendin dhe sigurinë në qytet e më gjerë, nevojitet ndihma e çdo qytetari, duke luftuar në radhë të parë moskokëçarjen, mosinteresimin.

Detyra ime, e meshtarëve, e motrave dhe e bashkëpunëtorëve të dioqezës është të kujdesemi për çdo banor të dioqezës e t’u kumtojmë atyre Fjalën e Hyjit, që është një fjalë dashurie, shprese, faljeje, paqeje dhe mëshire. Feja jonë katolike na mëson se gjithmonë ka shpresë për të ardhmen dhe se ajo bëhet më e mirë kur ne mësojmë nga e shkuara dhe e jetojmë të tashmen me dëshirën për të ndërtuar të ardhmen. Mendësia e dhunës, e vrasjes, e frikësimit, e korruptimit, nuk çon tjetërkund, përveçse drejt degradimit të shoqërisë. Është një kancer për shoqërinë. Dhuna është kundër arsyes e kundër Fjalës së mirë të Ungjillit.

Të gjithë ne meritojmë të jetojmë në një shoqëri të paqtë e të ligjshme, ku gjithkush jeton i qetë me mundin dhe me djersën e punës së tij. Prandaj, të dashur besimtarë të Dioqezës së Rrëshenit, edhe në emër të meshtarëve, motrave e bashkëpunëtorëve laikë, dua të ndaj me ju këtë mesazh, të cilin ua drejtoj të gjithëve, në mënyrë që të hapim e të përshkojmë së bashku shtigje shprese për të tashmen dhe të ardhmen në territorin e dioqezës sonë.

Së pari, u drejtohem familjeve. Familja është e para që e pret një jetë që lind, e para që i mëson fjalën dhe veprimet një fëmije, e para që e merr për dore jetën e re nëpër udhët e kësaj bote. Rrugëtimi i madh i jetës sonë nis në familjet tona dhe detyra parësore e prindërve dhe e gjyshërve është që t’i mbrujnë fëmijët e tyre me dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin, për të afërmit dhe për të largëtit, madje Ungjilli na mëson se ky respekt dhe kjo dashuri shtrihen deri tek armiqtë tanë.

Në familje mësohet respekti për tjetrin dhe për ligjin. E ftoj çdo familje të dioqezës, të bëhet katalizuese e së mirës dhe e virtyteve më të larta njerëzore. Të marrim nga e kaluara e historisë sonë çka ka qenë e mirë dhe të flakim pa më të voglën keqardhje çka është e papranueshme, edhe pse në dukje me autoritet. Në vatrën e familjes ne hedhim themelet e para të së ardhmes për fëmijët tanë e për shoqërinë tonë. Së dyti, u drejtohem shkollave dhe drejtuesve të tyre. Keni misionin të përçoni te nxënësit, të cilët prindërit ua besojnë juve qysh në moshën gjashtëvjeçare, jo vetëm sasi informacionesh, por mbi të gjitha cilësi formimi njerëzor. Urgjenca e nivelit edukues në shkollat tona është tashmë një fakt i njohur.

Shkolla edukon me vlera dhe jo vetëm me ato sasiore, por edhe, e mbi të gjitha, me ato që duan shumë mund që të farkëtohen në personalitetin e një fëmije e të një të riu. Shpesh janë vlera që mund të shihen vetëm pas shumë vitesh. Shkolla dhe mësuesit duhet të këmbëngulin çdo ditë sidomos në vlerën e panegociueshme të jetës njerëzore, nga ngjizja deri në vdekje, por edhe në vlerat e respektimit të ligjit, të bashkëpunimit për të mirën e përbashkët, të forcimit dhe të funksionimit të demokracisë, e kështu me radhë. Sot, mbi shkollën bie një përgjegjësi e madhe për të ardhmen e vendit.

Së treti, u drejtohem institucioneve lokale të pushtetit dhe të atyre që e përzgjatin pushtetin qendror. Nxitësi dhe motivuesi i përditshëm në veprimtarinë tuaj nuk duhet të jetë vetëm zbatimi i ligjit, por dashuria për komunitetin që jeni të thirrur t’i shërbeni. Bashkia dhe çdo institucion ka për detyrë të jetë qendra e shërbimeve dhe e shërbyesve të komunitetit, ndryshe e humbet natyrën e saj e me shumë lehtësi mund të kthehet në një fole parazitësh. Vetë rrënja e fjalës “bashki” ka kuptimin e të bërit bashkë të gjithë, pa dallime shtresash sociale, përkatësish politike apo mundësish financiare.

Së katërti, i drejtohem Kishës, vetes sime, meshtarëve e motrave që shërbejnë këtu, bashkëpunëtorëve më të afërt dhe të gjithëve atyre që e kanë në zemër Hyjin. Kisha ka për detyrë t’u kujtojë njerëzve Hyjin, i cili në Jezu Krishtin na ka treguar rrugën e paqes, të dashurisë dhe të faljes. Fjala e Hyjit është e vetmja që ka fuqi ta shndërrojë jetën e njerëzve, edhe të atyre që e kanë zemrën plot me urrejtje e zemërim, plot me dëshira hakmarrjeje apo përfitimi personal. Çdokush ka të drejtë ta dëgjojë Fjalën e Hyjit të thënë prej nesh dhe ne kemi për detyrë ta themi atë me jetën e me zërin tonë, duke shmangur çdolloj tundimi vetëreferues. Nëpërmjet lutjes sonë, afërsisë sonë e përkushtimit tonë, të bëhemi përçues të paqes, të drejtësisë e të së mirës.

Së fundmi, u drejtohem të gjithëve atyre që kanë përgjegjësi për çfarë ka ndodhur përgjatë këtyre viteve. Një ditë do të përballemi të gjithë me gjykimin e Zotit, i cili siç thotë Papa Françesku “...është i ndryshëm nga ai i njerëzve dhe i gjykatave tokësore; duhet kuptuar si një marrëdhënie vërtetësie me Hyjin-dashuri dhe me vetveten, brenda misterit të padepërtueshëm të mëshirës hyjnore.”

Prandaj kthehuni kah Zoti, pendohuni e kërkoni faljen e Zotit! Bëjeni këtë në emër të jetës, të familjeve tuaja, të fëmijëve tuaj! Nëse do ta bëni këtë sot, familjet dhe fëmijët tuaj do të kenë një të ardhme më të mirë dhe këtë do Zoti nga ne. Zoti nuk refuzon askënd, Ai fal gjithmonë e Ai fal këdo që shkon tek Ai me zemër të penduar. Hyji nuk do vdekjen e mëkatarit, por do që ai të kthejë rrugë e të jetojë (Ez 18,23).

“Falja nuk e ndryshon të shkuarën, nuk mund ta ndryshojë atë që ka ndodhur tashmë, megjithatë falja bën të mundur që ta ndryshojmë të ardhmen e të jetojmë në një mënyrë tjetër, pa zemërim, mëri e hakmarrje. E ardhmja, e ndriçuar nga falja, bën që ta shikojmë të kaluarën me sy të tjerë, më të qetë, ndonëse ende të lagur nga lotët.” (Papa Françesku) Jemi në vitin Jubilar. Viti 2025 është një rast për ta përjetuar me shpresë faljen që na jep Hyji dhe faljen që jemi të thirrur t’i japim njëri-tjetrit. Fjala e Ungjillit është një fjalë faljeje dhe paqeje. Le të na bien ndërmend fjalët e Jezusit: “E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju përndjekin, për t’u bërë Bijtë e Atit tuaj që është në qiell...” (Mt 5, 44-45) apo porosia e shën Palit: “Bekoni ata që ju përndjekin. Bekoni e mos nëmni... askujt mos ia ktheni të keqen me të keqe” (Rom 12, 14.17).

Vetëm kështu mund të ndërtojmë qytetërimin e dashurisë përkundër atij të urrejtjes e të mëkatit. Në mbyllje të këtij mesazhi, vlerësoj se rruga për t’u përshkuar është ajo e një një aleance qytetare mes të gjithë faktorëve të shoqërisë: familjes, shkollës, bashkisë, organeve kompetente ligjzbatuese dhe Kishës, për një shoqëri ku sundon ligjshmëria, e drejta dhe drejtësia, por mbi të gjitha angazhimi për të mirën e përbashkët. Vetëm së bashku dhe me durim, nëpërmjet proceseve dialoguese dhe të bashkëndara, do të kemi rezultate afatgjata për ta mundur indiferencën e për të hedhur themelet e një shoqërie më të mirë, më të drejtë e më të paqtë. Të kemi gjithmonë para syve tanë të mirën e përbashkët dhe të mirën e njëri-tjetrit. T’i lutemi Zotit e të angazhohemi të gjithë së bashku për t’i arritur këto qëllime.

Zoti na ndihmoftë!

Ipeshkvi juaj

Gjergj Meta

Rrëshen, 20 janar 2025

27 janar 2025, 14:03
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031