Kisha Anglikane, kryesia kalon nga Welby tek Cottrell
R.SH. – Vatikan
Që nga data e djeshme, 7 janar, kryeipeshkvi i Jorkut, Stephen Cottrell, merr detyrën e primatit të përkohshëm të Kishës Anglikane, kryer deri tani nga Justin Welby, i cili dha zyrtarisht dorëheqjen më 6 janar, duke e lënë stolën e kryeipeshkvit të Canterbury-t në altarin e kapelës së rezidencës së tij, Pallatit Lambeth. Më 12 nëntorin e kaluar, Welby njoftoi vendimin për t'u larguar nga detyra, për shkak të akuzës se kishte mbuluar abuzimet kundër të miturve, kryer nga një avokat i fuqishëm dhe predikatar laik, John Smyth, i cili vdiq në vitin 2018, në moshën 75-vjeçare. Ditën e tij të fundit si primat anglikan e kaloi në rezidencë, në lutje me bashkëpunëtorët më të afërt, të cilët i falënderoi për shërbimin e kryer gjatë viteve.
Cottrell u kërkon falje “të lënduarve”
Cottrell do të drejtojë Kishën e Anglisë deri në zgjedhjen e kryeipeshkvit të ri të Canterbury-t, proces që pritet të zgjasë disa muaj dhe që do të paraprihet nga masa të rëndësishme. Në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, kryeipeshkvi i Jorkut ("numri dy" i Kishës së Anglisë) i shkroi një letër klerit, predikatarëve laikë dhe kongregatave, duke nënvizuar nevojën e reformave. Ngjarjet e javëve të fundit, në veçanti botimi i Makin Review (hetimi i pavarur për çështjen Smyth), shkruan Cottrell, "nganjëherë, na kanë bërë të ndihemi sikur të ishim ndarë nga drita dhe shpresa e Krishtit. Duke lexuar rrëfimet për abuzime, mbulime dhe dështime institucionale, gjendemi përballë një errësire, që ka dëmtuar kaq shumë njerëz. Të lënduarve u kërkoj falje me përvujtëri të thellë. Këto rrëfime të dhimbshme shërbejnë si kujtesë e fuqishme se viktimat dhe të mbijetuarit kërkojnë dhe meritojnë më shumë se thjesht fjalë vajtimi. Na bëjnë thirrje për veprim”.
Hapat përpara në parandalim
Kryeipeshkvi i Jorkut, duke folur për Welby-n, e quan vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen si "pranim të dështimeve institucionale dhe kolektive të Kishës, së cilës ai i ka shërbyer". Nga ana tjetër, rendit hapat e bëra për parandalimin e abuzimeve: mbrojtja në famulli, realizuar çdo javë nga personel i specializuar; formimi i mbi 20.000 priftërinjve, ministrave laikë dhe funksionarëve; puna e vullnetarëve me fëmijët dhe të rriturit e brishtë. “Megjithatë – vë në dukje Cottrell – ka ende shumë për të bërë që Kisha të jetë më e sigurt dhe më e përgjegjshme, si edhe proceset tona të jenë më të besueshme.
Praktikat e mbrojtjes duhet t'i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe kontrollit të pavarur. Prandaj, Dhoma e Ipeshkvijve, Këshilli kryeipeshkvnor dhe institucionet e tjera kishtare kombëtare impenjohen ta drejtojnë këtë ndryshim dhe po punojnë me ipeshkvin përgjegjës për mbrojtjen e me të tjerë për disa nisma kyçe". Këto përfshijnë forcimin e Ekipit Kombëtar të Mbrojtjes, edhe si garanci për çështjet thelbësore të paraqitura në raportet e fundit. Në muajin shkurt, Sinodi i Përgjithshëm do të miratojë reformat lidhur me sjelljen dhe disiplinën e klerit. Ky hap është tani më i rëndësishëm edhe se vetë zgjedhja e kryeipeshkvit të ri të Canterbury-t.