Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Presto
Programe Podcast
Pagëzimi Jezusit Pagëzimi Jezusit

Fjala e Zotit – solemniteti i Pagëzimit të Jezusit 'C'

Pagëzimi i Jezusit është një ngjarje e veçantë, të cilin liturgjia na paraqet pas festës së Epifanisë. Në Pagëzimin e Tij në lumit Jordan, Jezusi e përuron jetën publike, e nis misionin e shpëtimit për mbarë njerëzimin. Festa e Pagëzimit, pra, na hap rrugën e lidhjes së përditshme me Zotin. Pagëzimi është si urë, që Hyji e ndërtoi ndërmjet vetes e nesh. Nga Pagëzimi, rrjedh edhe një model për shoqërinë, që mund ta quajmë “shoqëria e vëllezërve”.

R.SH. - Vatikan

Ja sërish në takimin tonë javor me liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës. Kësaj radhe do t’i dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të solemnitetit të Pagëzimit të Jezu Krishtit, Zot.

Fjala e Zotit – solemniteti i Pagëzimit të Jezusit 'C'

Fjala e Zotit – solemniteti i Pagëzimit të Jezusit 'C'

Koha e Krishtlindjes dhe e Dëftimit mbyllet me festën e Pagëzimit të Zotit Jezu Krisht në lumin Jordan. Ungjijtë përkojnë në dëshminë, sipas së cilës kur Jezusi doli nga ujët, mbi Të pushoi Shpirti Shenjt në formën e pëllumbit dhe nga lart u dëgjua zëri i Atit Qiellor që thoshte: " Ti je im Bir- Djali i dishirit! Ty të miratova!"

Në mesin e ndërmjet turmave të pendestarëve, Jezusi i kërkoi Gjonit të pagëzohej, duke e hutuar pamasë vetë Paraardhësin e tij. Por pikërisht ky gjest na dëfton sesa i veçantë ishte mesianizmi i Jezusit, që kishte ardhur për të kryer vullnetin e Atit Qiellor, duke u bërë viktimë për shlyerjen e mëkateve tona. Solidariteti i përvuajtur me mëkatarët do ta çonte Jezu Krishtin në vdekjen mbi kryq. E pikërisht zhytja në vdekjen e në ringjalljen e Krishtit e çliron njeriun rrënjësisht nga mëkati e nga vdekja dhe realizon një lindje të re, sipas Shpirtit Shenjt, për një jetë që s' ka mbarim.

Pagëzimi i Jezusit, të cilin po e kujtojmë kёtё tё diele, është shprehje e logjikës së përvujtërisë e të solidaritetit: është gjesti i Atij, që dëshiron të bëhet në gjithçka, një nga ne e që prandaj, vihet në radhë me mëkatarët; Ai, që është pa kurrfarë mëkati, e lë veten të trajtohet si mëkatar, për të mbartur mbi shpinë fajin e mbarë njerëzimit.

Gjesti i Jezusit i paraprin Kryqit, pranimit të vdekjes, për mëkatet e njeriut, duke zbuluar përkimin e plotë të vullnetit e të ndjeteve të Vetjeve të Trinisë së Shenjtë. Pagëzimi na bën pjesëtarë në shkëmbimin e dashurisë reciproke të Zotit, dashurisë ndërmjet Atit, Birit e Shpirtit Shenjt. Nëpërmjet Pagёzimit mbi ne ndikohet dashuria e Zotit, duke na mbushur përplot me dhuratat e tij hyjnore.

Duke na dhuruar fenë, Zoti na dha gjënë më të çmuar në jetë, arsyen më të vërtetë e më të bukur, për të cilën ia vlen të jetosh. Pagëzimi ёshtё aq i dashur dhe i rёndёsishёm për traditën e krishterë, sa na bën ta kuptojmë menjëherë natyrën e vërtetë të shëlbimit. Shëlbimi është hir, është dhanti e falur nga Zoti. Është gjithnjë Zoti ai që na do i pari, Ai që e pagoi shpëtimin tonë me gjakun e të Birit – Jezu Krisht. Pikërisht përmes hirit ne besuam në Zotin, e njohëm dashurinë e tij, dëshirën e tij për të na shpëtuar nga e keqja, duke na dhuruar jetën e pasosur, jetën e vërtetë. Ta zbulojnë bukurinë, që buron nga Pagëzimi dhe ta dëshmojmë gëzimin e fesë sonë.

                                                              Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 40, 1-5. 9-11

Lexim prej Librit të Isaisë profet

“Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Zoti juaj! Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithni atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.”
Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tënzot. Le të ngrihet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpirëta le të bëhet e rrafshët: do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!” Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin e mirë Sionit; grihe me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell lajmin e gëzueshëm Jerusalemit! Klith të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës: “Ja, Hyji juaj, qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij! Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, ngrykë i mbart; i këqyr me kujdes”. Fjala e Zotit.


Psalmi 104
----------
I bekuar Zoti që dhuron jetën

O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhiëri e me bukuri,
i mbështjellë me dritë porsi me petk!
E ngreh qiellin porsi tendë,
mbi ujëra ndërton banesat e tua.
----------
Retë i bëre karrocë për vete,
ecën mbi krahët e erës!
Erërat i bën lajmëtarë të tu,
zjarrin zharitës shërbëtorë të tu.
----------
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Të gjitha i ke bërë me urti të madhe:
plot është toka me krijesat e tua.
Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë,
atje zvarranikë saqë numri s'u dihet,
kafshë të vogla të përziera me të mëdha!
----------
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
po ua more frymën, ato ngordhin
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen dhe e rinon
fytyrën e dheut.
----------

Leximi i dytë Tit 2,11-14; 3,4-7

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Titit

Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lumtur dhe ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira.
Fort të dashur, kur u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e tij ndaj njerëzve, Ai na shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drejtësi, por në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, që, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.  Fjala e Zotit.

† Ungjilli Lk 3, 15-16.21-22

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhëset e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr.” Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të në trajtë trupore porsi pëllumb, e prej qiellit ushtoi zëri: “Ti je Biri im, Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!”  Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

PAGËZIMI I ZOTIT – Viti 'C': NDËRSA PO LUTEJ, U HAP QIELLI DHE SHPIRTI SHENJT ZBRITI MBI TË.

(Is 42, 1-4.6-7; Ps 29 (28); Vap 10, 34-38; Lk 3, 15-16.21-22)

Ungjilli i Shën Lukës sjell një detaj domethënës kur përshkruan pagëzimin e Jezusit nga Gjoni. Patjetër që mund të duket e çudit­shme që Jezusi të pagëzohet, por kësaj po i kthehemi pas pak.

Detaji i Ungjillit që dëgjuam sot është ky: «Ndërsa (Jezusi) po lutej, u hap qielli dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të.» Pasi mori pagëzimin nga Gjoni, me sa duket Jezusi qenka larguar diku aty pranë në heshtje për t’u lutur. Aty, «ndërsa po lutej», Shpirti Shenjt zbret dukshëm mbi Të. Të gjithë Ungjilltarët flasin për qiellin që hapet e për Shpirtin Shenjt që zbret mbi Jezusin në trajtë pëllumbi, por nuk e thonë se e gjithë kjo paska ndodhur gjatë kohës kur Jezusi qenka shkëputur të lutet.

Biblistët mendojnë se, kështu, Shën Luka ka dashur të theksojë rëndësinë e lutjes. Kaq shumë ka rëndësi lutja, saqë vetëm aty mbi ne mund të veprojë Shpirti Shenjt, ashtu sikurse filloi të vepronte fuqishëm edhe mbi natyrën njerëzore të Jezusit qysh pas pagëzimit të tij. E, në fakt, pas pagëzimit Jezusi e filloi veprimtarinë e tij publike.

Në librin e Daljes është një detaj shumë interesant dhe shumë i bukur në lidhje me Moisiun. Aty thuhet se, kur Moisiu po ulej nga mali Sinai me dy rrasat prej guri ku Zoti i kishte shkruar urdhë­rimet, ai, Moisiu, «nuk e dinte se fytyra e tij lëshonte rreze për shkak të bisedimit me Zotin» (34, 29). Mbarë Izraeli e vuri re qartë këtë gjë. Por Moisiu, përvujtërisht i vuri fytyrës një vel, të cilin e hiqte vetëm «kur hynte të fliste përsëri me Zotin» (34, 35), për të mos i bërë të mah­niteshin më tepër se duhej me atë shkëlqim kalimtar, por t’i shtynte të mendonin vetëm për shkëlqimin e lavdisë së Hyjit.

Një dritë e ngjashme thuhet se ndonjë herë shihej edhe në fytyrën e Shën Françeskut të Asizit kur ky dilte nga lutja. Të shumta janë dëshmitë edhe mbi shumë shenjtër të tjerë që, mbase jo me kaq intensitet, shihej se u shndriste fytyra pasi dilnin nga lutja.

Por nuk është nevoja që, detyrimisht, fytyra të rrezatojë. Është brendësia e njeriut ajo që patjetër përtërihet. Ja se si e tregon një biograf efektin e lutjes në jetën e të Nderueshmit Marçel Kandia, një sipërmarrësi italian të shekullit XX që, pasi shiti gjithçka, u nis si misionar laik për në Brazil, ku ndërtoi edhe një spital shumë të madh: «Sa më shumë përfshihej në veprimtari, aq më shumë Marçeli e ndjente nevojën që të lutej dhe që të tjerët të luteshin... Shkonte çdo ditë në kishën e Karmelit për “orën e lutjes” gjatë të cilës dukej se nuk ekzistonte asgjë tjetër për të. Nëse e thërrisnin për ndonjë gjë urgjente, ai gati nuk arrinte t’i dëgjonte, aq i përqëndruar ishte dhe vazhdonte të qëndronte. Pastaj ngrihej nga banka e tij dhe thoshte shumë i kënaqur: “Tani po largohem i kënaqur, sepse lutja më ka forcuar”».

«Shikojeni atë e do të ndriçoheni!», thotë psalmi (33, 6) e, Libri i Urtisë thotë: «Drita e syve gëzon shpirtin, zëri i mirë maj eshtrat» (15, 30), duke përmendur kështu pasojat e një përtëritjeje e drite të tillë të shpirtit të atij që kultivon intimitetin me Hyjin. E ne mund ta kuptojmë, atëherë, se sa paqe duhet të kenë ndikuar tek të tjerët këta njerëz, fytyra dhe sytë e të cilëve merrnin dritë nga takimi i vërtetë me Hyjin në lutjen e tyre.

Edhe shkencat e sotme psikologjike e vlerësojnë shumë vlerën e meditimit e të lutjes, sepse i japin trurit mundësinë të ripërtërihet e të motivohet. Por, sa e gjallë bëhet lutja jonë kur vërtet e besojmë se aty takohemi me Hyjin-Trini, tek i cili afrohemi përmes misterit të Ngjalljes së Krishtit! Në lutje, shkojmë gjithnjë e menjëherë tek ky thelb, tek kjo qendër e gjithçkaje. Prej aty, pastaj, merr kuptim e dritë gjithçka, edhe kryqi.

Shkuam larg nga kundrimi i së kremtes së sotme, por na i frymëzoi të gjitha këto ai detaji i Jezusit që lutej. Le të mësojmë edhe ne, pra, nga Jezusi dhe nga shenjtërit e tij, që t’i gjejmë kohë lutjes në jetën tonë! Nuk duhet të shqetësohemi nëse do ta kemi apo jo në fytyrë atë dritën që kishte Moisiu, Shën Françesku e shenjtër të tjerë, sepse ajo është edhe falë lirisë së Hirit Hyjnor që zgjedh ta bëjë të dukshme nganjëherë dobinë e lutjes, por, gjithsesi, të jemi të sigurtë se kurrë lutja nuk do të na lërë pa dritën e shpirtit, pa «dritën e syve», siç thoshte Libri i Urtisë.

E thamë edhe në fillim se gjëja që mund të na çudisë sot, është të dëgjojmë se edhe Jezusi është pagëzuar. Duhet ta dimë se, Pagëzimi që jepte Gjoni, nuk ishte si pagëzimi që do të jepnin më vonë apostujt të mësuar nga Krishti i Ngjallur. Pagëzimi i Gjonit ishte një ritual zhytjeje në ujë, me anë të të cilit Gjoni i ftonte njerëzit të zhyteshin në një jetë të re me Hyjin, në jetën e tyre të përditshme. Gjoni i ftonte t’i hapeshin Shpirtit të Hyjit i cili i kishte folur Izraelit me anë të Ligjit të Moisiut dhe me anë të shumë Profetëve. Gjoni, në fakt, nuk po bënte asgjë të re, por thjesht po ftonte që t’i hapeshin me gjithë forcën e shpirtit asaj që Hyji gjithnjë kishte dëshmuar më parë. Prandaj, ajo që bën Jezusi, është gjëja që duhej ta bënte çdo Izaelit i mirë: t’i nënshtrohej Ligjit dhe të Profetëve. Kështu kuptohet përgjigjja e Jezusit kur, sipas Ungjillit të Mateut, Gjoni deshi t’i kundërshtonte ta pagëzonte dhe i kishte thënë: «Mua me duhet të pagëzohem prej teje e ti vjen tek unë?» e Jezusi i ishte përgjigjur: «Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.»

Është shumë interesante të dimë edhe se apostujt, në predikimet e tyre, ishin gjithnjë të kujdesshëm që të theksonin se Gjon Pagë­zuesi nuk ishte Mesia, por ai që kishte ardhur t’i përgatiste udhën Mesisë. Prandaj edhe të katër ungjilltarët nuk e lënë pa e theksuar qysh në fillim të ungjijve të tyre këtë të vërtetë. Kjo e kishte një arsye: personi i Gjonit ishte vërtet i pazakontë. Ai, me pendesat e veta, me predikimet e tij të fuqishme, si edhe me martirizimin e tij, kishte lënë gjurmë vërtet të thella në ndërgjegjen e Izraelit. Thuhet, madje, se deri në shekullin e tretë janë gjendur në Izrael bashkësi që mendonin se Gjoni ishte Mesia i pritur. Kështu, pra, mund ta imagjinojmë lehtë shqetësimin e ungjilltarëve që të kuptohej drejtë misioni i këtij njeriu të jashtëzakonshëm. Ungjilli i sotëm thotë: «Pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shì ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh lidhësat e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr».

Gjoni, ky djalosh tejet karizmatik, turmave të magjepsura nga personaliteti dhe jeta e tij, u thotë se ai ishte vetëm një vegël në duart e Provanisë, për ta ndihmuar popullin që t’i hapej Krishtit, i cili tashmë ishte në mesin e popullit të Izraelit. Përvujtëria e Gjonit na josh e na nxit edhe ne që t’i drejtojmë kah Krishti ata njerëz që Provania Hyjnore na vë pranë, të vetëdijshëm se jo ne, por Krishti është ai që i jep shëlbimin botës.

Na mahnit e na josh përvujtëria e Gjonit, por, shumë më shumë na mahnit e na josh përvujtëria e Krishtit, që, siç e pamë, vihet në rresht me të gjithë bijtë e Izraelit, për të treguar bindjen e Tij ndaj Atit të vet. Është interesante të dimë se, në të gjithë planetin, vendi ku ndodhi pagëzimi, është një ndër pikat më të ulëta nën nivelin e detit. Këtu, gjeografia bëhet teologji: Jezusi përvujtërohet pafundësisht shumë, për të na lartësuar edhe ne në jetën me Hyjin. «Ja, Shërbëtori im, që unë e përkrah, i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im... Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar, s’do ta ndalë as fitilin tymues dhe, pa u trembur, ai do ta shpallë të drejtën», – thotë leximi parë, duke profetizuar mbi përvujtërinë dhe misionin e Birit të Hyjit që do të vinte në botë. Shën Pjetri, në predikimin e tij, që e dëgjaum tek leximi i dytë, e përshkruan Jezusin si «Ai që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtet të djallit». Kështu, ai përvujtërim i Jezusit në Jordan, do të ishte fillimi i një përvujtërimi që do të kulminonte në kryq, e që, botës do t’i sillte shëlbimin. Jezusi na sjell shëlbimin duke na zhytur në Hirin e Tij, por edhe duke na mësuar forcën e përvujtërisë e të mirësisë. Por na mëson edhe forcën e lutjes, që e theksuam në fillim.

Dom Dritan Ndoci

11 janar 2025, 09:51
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031