Fjala e Zotit e dielës së 3-të gjatë vitit kishtar 'C'
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 3-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.
Fjala e Zotit e dielës së 3-të gjatë vitit kishtar
Leximet biblike të kësaj të diele na ftojnë të reflektojmë mbi Fjalën e Zotit, e cila e ushqeu Popullin e zgjedhur, u mishërua për ne në Jezusin shpëtimtar dhe na propozohet në një mënyrë të veçantë në Meshën e Shenjtë.
Episodi i Ungjillit të kёsaj sё diele të 3-të të vitit kishtar nga Luka, flet për Jezusin, i cili në Sinagogë çohet për të lexuar fragmentin e Izaisë profet që flet për mandatin e shpalljes së “lajmit të mirë” të varfëve dhe çlirimin e të gjithë të shtypurve, të cilin e mbyll me një koment që i le të habitur të pranishmit: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt që e dëgjuat me veshë tuaj”. Në këtë pohim, e kemi të përmbledhur tërë eksperiencën e krishterë.
Ungjillëzimi i varfërve: ky është misioni i Jezusit, sipas asaj që Ai tha; e po ky është edhe misioni i Kishës, e i çdo të pagëzuari në Kishë. Të kumtosh Ungjillin, me fjalë e, akoma më parë, me jetë, është synimi kryesor i komunitetit të krishterë dhe i çdo anëtari të vetë.
Personat e privilegjuar të cilëve u drejtohet Lajmit i Mirë, na kujton Ungjilli, për Jezusin janë të largët, të vuajturit, të sëmurët, të mënjanuarit e shoqërisë. Të ungjillëzosh domethënë t’i afrosh, t’u shërbesh, t’i lirosh prej trysnive të tyre e, ta bësh apo mos ta bësh këtë është çështje e shqyrtimit të pandërprerë të ndërgjegjes për famullitë kishtare, për shoqatat, për lëvizjet kishtare.
Është fjala për t’u ofruar forcën e Ungjillit të Zotit, që i kthen zemrat, shëron plagët, shndërron marrëdhëniet njerëzore e shoqërore sipas logjikës së dashurisë. Të varfrit, vërtetë, janë në qendër të Ungjillit.
Liturgjia e Fjalës Hyjnore
Leximi i parë Neh 8, 2-4.5-6.8-10
Lexim prej Librit të Nehemisë
Në ato ditë, prifti Ezra e solli Ligjin para tubimit që e përbënin burra, gra dhe të gjithë ata që janë të aftë të kuptojnë. Ishte dita e parë e muajit të shtatë. Në sheshin që është para derës së Ujërave, filloi ta lexonte librin prej agimit deri në mesditë, përpara burrave, grave dhe të gjithë atyre që ia kishin arritur dritës së arsyes. I tërë populli e dëgjonte me kujdes librin e Ligjit. Shkrimtari Ezra qëndronte mbi një kuvendore të drunjtë që e kishin punuar për këtë qëllim. Pranë tij qëndronin: në të djathtën e tij Matatia, Semeja, Ania, Uria, Helcia e Maasia, kurse në të majtën ishin Fadaja, Misaeli, Melkia, Hasumi, Hasbadana, Zakaria e Mosolami.
Atëherë Ezra e bekoi Zotin, Hyjin e madh; ndërsa i tërë populli me duar lart u përgjigj: “Amen, amen!” Dhe librin e Ligjit të Hyjit e lexonin pjesë-pjesë dhe ia shpjegonin kuptimin që populli ta kuptonte mirë atë që lexohej. Atëherë qeveritari Nehemi, prifti dhe shkrimtari Ezra si dhe levitët që e mësonin popullin, iu drejtuan mbarë popullit: “Kjo është ditë që i kushtohet Zotit, Hyjit tonë! Mos jini të trishtuar as mos qani!” Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e Ligjit. Atëherë Nehemia shtoi: “Shkoni e hani mish të majmë dhe pini pije të ëmbla e jepnu pjesë edhe atyre që nuk kanë bërë gati gjë për vete, sepse është ditë e shenjtë e Zotit tonë! Dhe mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj.” Fjala e Zotit.
Psalmi 19
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë
------------
I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.
------------
Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.
------------
E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta,
të gjitha njënjë të drejta.
Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti,
se hoja që rrjedh mjaltë.
------------
Të pëlqefshin, o Zot, fjalët e gojës sime,
edhe mendimi i zemrës sime para teje,
o Zot, ndihmësi im e Shëlbuesi im!
------------
Leximi i dytë 1 Kor 12, 12-31
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë, nuk trajtojnë por një trup të vetëm, ashtu edhe Krishti. Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët, dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.
E trupi nuk është prej një gjymtyre, por prej shumë gjymtyrësh. Po bëri e tha këmba: “Pasi nuk jam dorë, nuk jam pjesë e trupit” – a thua njëmend nuk do të jetë pjesë e trupit? Po bëri e tha veshi: “Pasi nuk jam sy, nuk jam pjesë e trupit” – a thua njëmend nuk do të jetë pjesë e trupit? Po të ishte krejt trupi sy, ku do të ishte dëgjimi? Po të ishte krejt vesh, ku do të ishte shqisja e të nuhaturit? Porse Hyji kështu i ka caktuar gjymtyrët, secilin në trup sikurse ka dashur. Po të ishin të gjitha një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi?
Kështu pra, shumë gjymtyrë, por vetëm një trup. Syri nuk mund t’i thotë dorës: “S’kam nevojë për ty”, ose kryet këmbëve: “S’kam nevojë për ju!” Madje, ato gjymtyrë të trupit që duket se janë më të ligshta, janë më të nevojshme, dhe ato që ne i mbajmë për më pak bujare, pikërisht atyre u bëjmë më shumë nderim. Dhe, sa më të marrshme janë, aq më njerëzishëm sillemi me to, e të njerëzishmet nuk e kanë këtë nevojë. Por Hyji ashtu e ka përbërë trupin, sa që gjymtyrës së fundit i ka dhënë më shumë nder, që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët barazi të kujdesen njëra për tjetrën.
Dhe, nëse vuan një gjymtyrë, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët; e nëse nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të. Tashti, ju jeni trupi i Krishtit, dhe secili prej jush gjymtyrë e tija. Kështu Hyji disa në Kishë i caktoi: më parë apostujt, së dyti profetët, së treti mësuesit; pastaj vjen dhurata e mrekullive, pastaj ajo e shërimeve, e kujdesimit, e drejtimit shpirtëror, dhurata e gjuhëve të ndryshme. A thua të gjithë janë apostuj? Të gjithë profetë? Të gjithë mësues? A thua të gjithë bëjnë mrekulli? A thua të gjithë e kanë dhuratën e shërimeve? A thua të gjithë flasin gjuhët? Të gjithë shpjegojnë? Dëshironi dhuratat më të shkëlqyeshmet! Fjala e Zotit.
Ungjilli Lk 1, 1-4; 4, 14-21
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Pasi shumë vetë ndërmorën të rendisin tregimin mbi ngjarjet që ndodhën në mesin tonë, ashtu siç na i lanë ata që i panë me sy të vet që në fillim dhe u bënë mbarështues të Fjalës, e mbasi i shqyrtova hollësisht të gjitha që prej fillimit, vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil, të gjitha me radhë, që të jesh i sigurt për palëkundshmërinë e mësimeve që more.
Atëherë Jezusi, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, u kthye në Galile, dhe u hap zëri për të nëpër mbarë krahinën. Mësonte nëpër sinagogat e tyre, i nderuar prej të gjithëve. Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur, dhe, sipas dokes së vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. I dhanë librin e Isaisë profet.
Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan: ‘Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, të shpall vitin e hirit të Zotit.’ E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. Atëherë u tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt që e dëgjuat me veshë tuaj.” Fjala e Zotit.
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA III GJATË VITIT: VENDOSA T’I SHKRUAJ PËR TY, I PËRNDRITSHMI TEOFIL.
(Neh 8, 2-4. 5-6.8-10; Ps 19 (18); 1 Kor 12, 12-31; Lk 1, 1-4; 4, 14-21)
«Librin e Ligjit të Hyjit e lexonin pjesë-pjesë dhe ia shpejgonin kuptimin, që populli ta kuptonte mirë atë që lexohej.», thotë leximi i parë kur përshkruan ato çaste solemne kur populli i Izraelit, i sapo kthyer nga mërgimi në Babiloni, gjeti në Tempull librin e Ligjit të Moisiut dhe vendosi ta lexojë të tërin, «prej agimit deri në mesditë». E ne mund të mendojmë se kishin vendosur të bënin një katekezë mbi atë që po lexohej, por situata ishte më e ndërlikuar se kaq.
Mërgimi i dhimbshëm në Babiloni kishte zgjatur rreth pesëdhjetë vjet. Shumë prej atyre që ishin nisur, kishin vdekur atje. Brezi i ri që po rritej në dhé të huaj, tashmë kishte filluar të fliste edhe ai gjuhën vendase, aramaishten. Kështuqë, shumica e atyre që po dëgjonin tekstin e Ligjit të shkruar në hebraisht, e kishin tejet të vështirë të kuptonin gjë. Prandaj, atij që lexonte në hebraisht, i duhej herë pas here të ndalej, në mënyrë që përkthyesi ta bënte të qartë kuptimin e tekstit të shenjtë. Një detaj ky në dukje i parëndësishëm, por që do ta shohim pak më poshtë se sa bukur Provania Hyjnore do ta shfrytëzojë edhe atë rrethanë për të na bërë të kuptojmë misterin e Birit të Hyjit.
Ndërkaq nuk kemi si të mos vëmë re te leximi i parë atë rreshtin që thotë se «mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e Ligjit». Përballë zbulimit të rrënjëve të veta si popull, ata preken thellë në shpirt. Por preken po aq fort kur zbulojnë edhe padenjësinë e tyre përballë pranisë Hyjnore. Për këtë arsye Nehemia me shokë e panë të nevojshme ta ngushëllonin atë popull që ishte zhgrehur në vaj: «Mos jini të trishtueshëm as mos qani!». Dhe, vazhdojnë me fjalë prekëse: «Shkoni. Mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj».
Ajo ditë do të ishte e paharrueshme për Izraelin, sepse aty do të fillonin të ndërmerreshin shumë reforma të rëndësishme në liturgjinë, teologjinë dhe në jetën e popullit të zgjedhur e gjithçka kishte si qendër të veten Ligjin e Hyjit. Për këtë arsye edhe në të ardhmen do të bëhej pak a shumë kështu gjithnjë në Izraeli: gjatë lutjes në sinagogë apo në Tempull, ishte një çast kur personi i ngarkuar për mbarëvajtjen e liturgjisë thërriste nga populli dikë që kishte një farë njohurie mbi Shkrimin Shenjt dhe i jepte të lexonte një pjesë të Shkrimin Shenjt e t’ia shpjegonte atë dëgjuesve. Ungjilli i sotëm na tregon se kështu ndodhi edhe atë ditë kur në sinagogë ishte Jezusi ai që e ftuan të lexonte.
Jezusi e kishte zakon të shkonte gjithnjë në sinagogë, por atë ditë ngjarjet do të merrnin një rrjedhë të pazakontë: ai që dukej si një lexim i zakonshëm, do të pasohej nga një shpjegim i jashtëzakonshëm. Jezusi lexoi një pjesë të profetit Isai që përshkruante tiparet që do të kishte Mesia i premtuar dhe misioni që Ai do të kryente. Shpjegimi që, para ardhjes së Jezusit, menjëherë i pasonte asaj pjese, ishte një përpjekje për ta treguar me fjalë të tjera atë profeci dhe për ta përgatitur popullin që t’i hapej asaj që Mesia do të bënte kur të vinte në mes tyre. Por Jezusi veproi krejt ndryshe. Ai thjesht tha: «Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit Shenjt që e dëgjuat me veshët tuaj.» Jezusi nuk flet për ardhjen e Mesisë, por thotë se Mesia është tashmë aty, para syve të tyre. Vazhdimi i Ungjillit na tregon se fillimisht të pranishmit «mrekulloheshin» nga bukuria e fjalëve të Jezusit, por pastaj, të shkandulluar nga pretendimi i Tij se është pikërisht Ai Mesia, emocionet e tyre ndryshuan rrënjësisht dhe deshën ta vrisnin.
Po çfarë kishte lexuar Jezusi atë ditë? Asgjë tjetër veçse atë që Ai realisht ishte e që realisht kishte filluar të bënte: «Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse Ai më shuguroi. Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve lirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, të shpall vitin e Hirit të Zotit.» Nuk është hapsira këtu të merremi me shpjegimin e secilës prej këtyre fjalë të bukura, por vetëm po themi se sa i dashur ishte misioni i Mesisë: Ai, plot me Shpirtin e Zotit, do të merrej me brishtësitë njerëzore, ato të vërtetat. Është me vend ajo që thoshte, në lidhje me misionin e Jezusit, teologu gjerman Johannes Baptist Metz: «Në Ungjill, shikimi i parë i Jezusit nuk ndalet tek mëkati, por gjithmomë tek vuajtja e njeriut.» Jezusi, vetë Hyj, kishte filluar ta bënte këtë me kohë në fshehtësi e tani do të fillonte ta bënte edhe më bujshëm publikisht. Ç’nevojë kishte, pra, që të shpjegonte? I mjaftonte thjesht të ishte aty. Të gjithë të tjerët, para Jezusit e pas Tij, ishin të detyruar t’i shpjegonin Shkrimet, por Ai jo. Ai thjesht i përmbushte Ato. Patjetër që edhe Jezusi do t’i shpjegonte Shkrimet e Shenjta disa herë, por për Të populli do të thoshte se «mëson si ai që ka autoritet e jo porsi skribët e tyre» (Mt 7, 29), pra, edhe shpjegimi i Jezusit kishte nuanca të tjera: nuanca Hyjnore.
Tani mund t’i kthehemi sërish atij detajit të leximit të parë që përmendëm më sipër: «Librin e Ligjit të Hyjit e lexonin pjesë-pjesë dhe ia shpejgonin kuptimin, që populli ta kuptonte mirë atë që lexohej». Gjithë ajo punë përkthimi e shpjegimi që bëhej nga njerëzit e caktuar gjatë leximit të Ligjit, tani, në Ungjill, po bëhet nga Jezusi. Por jo më duke përkthyer nga hebraishtja në aramaisht, sepse nuk ishte më e nevojshme, por Jezusi po e përkthente e po e shpjegonte me praninë e vet misionin e Mesisë së premtuar. Nga të dëgjueshëm, po e bënte atë të dukshëm e të prekshëm: «Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit Shenjt që e dëgjuat me veshët tuaj.»
Leximi i parë na thotë se populli «qante» i prekur në shpirt përballë Ligjit. Mund të mësojmë shumë nga gjithë kjo bujari e zemrës së këtyre njerëz përballë pranisë së Hyjit. Ata, duke dëgjuar fjalët e Ligjit të Hyjit, u desh që t’i ngushëllonte Nehemia me shokë. Po ne, sa e lejojmë veten të prekemi nga fjalët e Jezusit, i cili na fton në një bujari të zemrës gjithnjë e më të madhe? Megjithatë, janë të shumtë njerëzit që ia kanë lejuar vetes të ndryshojnë jetën përballë ndonjë fjale të Jezusit në Ungjill. Ungjilli shpesh ishte mësuar deri edhe përmendësh prej disave. Ungjilli ishte dashuria e padiskutueshme e të gjithë shenjtërve: «Unë nuk gjej më asgjë në librat e tjerë, përveç se në Ungjill. Ky libër më mjafton», thoshte Shenjtja Terezë e Lizjesë.
Duke lexuar Ungjillin, Shpirti Shenjt ka arritur t’i bëjë shumë shenjtër që të kuptojnë se cili ishte misioni i tyre, duke u dhënë atyre dhurata nga më të ndryshmet, siç i përshkruan shumë bukur Shën Pali në leximin e dytë. Edhe sot e kësaj dite një mrekulli e tillë, falë forcës së Shpirtit Shenjt, vazhdon të ndodhë, sepse në Ungjill është Jezusi ai që flet. Edhe fizikanti i famshëm Albert Ajnshtajn e kishte vënë re këtë: «Askush nuk mund ta lexojë Ungjillin e të mos e ndjejë aty praninë reale të Jezusit. Personaliteti i tij pulson në çdo fjalë.»
Ungjilli ka prodhuar Shenjtër, por edhe qytetërime: «Ungjilli është burimi nga ku ka buruar qytetërimi ynë.», thoshtë filozofi i madh gjerman, Emanuel Kant. Ndoshta nuk e dinit se këta mendimtarë të njohur kishin thënë edhe fjalë të tilla për Ungjillin.
Por, në mes të shumë të mëdhenjve që janë shprehur për bukurinë e Ungjillit, shkëlqen mënyra e bukur dhe saktë me të cilën është shprehur Shën Françeksu i Asizit kur thoshte: «Predikoje Ungjillin në çdo çast. Po qe e nevojshme, përdor edhe fjalët!» Kjo sepse mënyra më e mirë për ta përshkruar dobinë dhe bukurinë e Ungjillit, është ta jetosh Atë.
Prandaj, sikurse pas kthimit nga mërgimi, Izraeli pati si qendër të shumë reformave të veta liturgjike e teologjike librin e Ligjit të Hyjit, ashtu edhe neve shpesh do të na duhet të bëjmë shumë reforma të ndryshme në jetën tonë, duke pasur si qendër Jezusi, Birin e Hyjit, i cili na flet në faqet e Ungjillit. Kjo do të thotë se e kemi për detyrë ta njohim Ungjillin, sepse ashtu njohim Jezusin. «Kush nuk njeh Shkrimin Shenjt, nuk njeh Krishtin.», thoshte Shën Jeronimi, Mësues i Kishës.
Edhe vetë ungjilltarët për këtë arsye e kanë shkruar Ungjillin: që ne të njohim më nga afër misterin e Krishtit. E thotë qartë Shën Luka në Ungjillin e sotëm: «Vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil». E, kur mësojmë se fjala «Teofil» do të thotë «Mik i Hyjit», atëherë e kuptojmë se Ungjilli është shkruar për ty e për mua, nëse duam të lidhim miqësi me Jezusin.
Kështu, si pasojë, nëse duam ta mbajmë të fortë këtë miqësi tonën me Jezusin, duhet të mbajmë të fortë edhe lidhjen tonë me Ungjillin!
Dom Dritan Ndoci