Çelësi i fjalëve të Kishës: 1700-vjetori i koncilit të Nikesë
R.SH. – Vatikan
Viti që sapo ka filluar shënon 1700-vjetorin e Koncilit Ekumenik të Nikesë, mbajtur në muajt e parë të vitit 325. Besojma e sanksionuar nga ai Koncil bashkon të krishterët e të gjitha Kishave: si ata të Kishave historike - Katolike, Ortodokse, Luterane, Kalviniste, Anglikane – ashtu edhe ata të emërtimeve të ndryshme nën emrin e Kishave "Ungjillore" dhe "Pentekostale".
Që këtej, rëndësia ekumenike e kremtimit të sivjetëm, rast unik – që mund ta kuptojmë vetëm në këtë pikë të historisë – për të pranuar dhe për të kremtuar së bashku fenë, që bashkon të gjithë besimtarët në Krishtin. Ngjarja na jep edhe një mundësi tjetër, jo më pak të rëndësishme se e para: të bëjmë një hulumtim për fenë në Krishtin në botën moderne dhe post-moderne dhe të shohim në ç’pikë jemi sot me besojmën e Nikesë. Të nesërmen e një koncili lokal, të dominuar nga kundërshtarët e Nikesë (Rimini, viti 359), Shën Jeronimi shkroi se e gjithë bota, me atë rast, "lëshoi një rënkim dhe u habit kur e pa veten ariane" (Dialogus contra Luciferianos, 19). Duhet ta pyesim veten nëse, rastësisht, sot, kemi më shumë arsye sesa atëherë për një rënkim të tillë.
Nikea dhe hyjnia e Krishtit
Problemi themelor në Koncilin e Nikesë ishte caktimi i vendit që zë Fjala e Hyjit - dhe si rrjedhim personi i Jezu Krishtit - në planin e qenies. Arius arsyetonte me skemën filozofike greke të momentit, që ishte ajo e "Platonizmit të ndërmjetëm”. Kjo skemë ishte tripalëshe. Parashikonte ekzistencën e një Qenieje supreme, të një qenieje të ndërmjetme (zoti i dytë, deuteros theos, që korrespondon me demiurgun platonik të Timaeus) dhe, së fundi, ekzistencën e qenies së krijuar. Koncili i Nikesë iu largua këtij vizioni mitik, duke përvijuar vetëm një linjë horizontale mbi vertikalen e qenies: atë që ndan Krijuesin nga krijesat, duke e vënë Fjalën vendosmërisht nga ana e Krijuesit.
Ajo që i kërkon botës Koncili i Nikesë, edhe sot, pikërisht për shkak të vlerës së tij dogmatike, është që në çdo kulturë dhe në çdo gjuhë, Jezu Krishti të shpallet "Zot", jo në kuptimin se rrjedh prej hyjnisë, por në kuptimin më të fuqishëm që ka fjala "Zot" në atë kulturë, pa asnjë boshllëk, as ontologjik e as kronologjik, ndërmjet tij dhe një Zoti tjetër mbi të, ndërmjet Zotit me “Z” të madhe e zotit me “z” të vogël, ndërmjet "Hyjit" e "hyjnores". Kjo është ajo që pohon, krejt qartësisht, shprehja e Besojmës "Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë".
Çfarë vendi zë Jezu Krishti në kulturën tonë?
Pyetja që na detyron të bëjmë 1700-vjetori i Koncilit të Nikesë është, pra, kjo: çfarë vendi zë Jezu Krishti në kulturën tonë moderne dhe post-moderne? Ta lëmë mënjanë atë mendësi, ku Jezu Krishti vazhdon të jetë “Superstar”. Le të hedhim një vështrim mbi ç’po ndodh me tre dialogë të rëndësishëm në shoqërinë aktuale.
Jezu Krishti mungon në dialogun ndërmjet feve dhe nuk mund të jetë ndryshe. Temat e diskutuara në këtë kuadër janë ato të paqes, varfërisë, ambientit dhe, në disa raste, ato, që kanë të bëjnë me çështje etike.
Së dyti, Jezu Krishti mungon në dialogun ndërmjet shkencës dhe fesë. Ai kufizohet në diskutimin nëse bota ka pasur a jo një fillim dhe një Krijues. Fitorja e teorisë së Big Bang-ut mbi skepticizmin fillestar dhe afirmimi i teorisë së zgjerimit të vazhdueshëm të universit i kanë bërë shkencëtarët më pak alergjikë ndaj idesë së Zotit; por Jezu Krishti dhe çështja e shëlbimit mbeten jashtë dialogut mbi shkencën dhe fenë.
Së fundi, Jezu Krishti mungon në dialogun ndërmjet fesë dhe arsyes. Ai merret me koncepte metafizike, jo me realitete historike dhe të vazhdueshme, siç është Krishti në mishërimin e tij.
Njeriu dhe mësimi i Krishtit për të
Në të gjitha këto dialogë, krishterimi hyn nën titullin "fe" - dhe ne e dimë se ç’fitore të lehtë mund të arrijnë "arsyeja" dhe "shkenca" kur u duhet të merren me kategorinë "fe". Volteri, Hegeli, Fojerbahu, Marksi, Frojdi: të gjithë dolën (ose konsideroheshin) fitimtarë nga konfrontimi. Derisa mbërriti dikush, që e kuptoi se kjo ishte një lloj fitore e Pirros, ose më mirë, një betejë kundër mullinjve të erës, sepse “armiku” nuk ishte feja, por Jezu Krishti! Ky njeri ishte Friedrich Nietzsche, të cilit i duhet njohur “merita” se nuk zgjodhi një objektiv të lehtë si “feja” për sulmet e tij, por se identifikoi qartë frontin në të cilin zhvillohet beteja vendimtare ndërmjet fesë dhe ateizmit, që s’ishte tjetër, veçse njeriu dhe mësimi i Krishtit për të. E ktheu këtë në qëllim të jetës, duke propozuar zëvendësimin e figurës së Krishtit me atë të perëndisë greke Dionis.
Friedrich Nietzsche dhe përpjekja për ta hequr qafe Krishtin
Përpjekja e Niçes për ta hequr qafe Krishtin fsheh, gjithsesi, një element tejet pozitiv. I shemb alibitë spekulative; demaskon përleshjet, të ngjashme me ato që bëhen në luftë, për ta mënjanuar armikun nga fronti kryesor. Kjo tregon se pyetja qendrore, sot, ashtu si në Koncilin e Nikesë e, në të vërtetë, ashtu si përreth vetë Jezusit, është "Po ju kush thoni se jam unë?" (Mt 16,16). Jo "Kush thoni se është Zoti?", por "Kush thoni se jam unë?". Mund të themi çfarë të duam se kush është Hyji, por kjo nuk vlen për Jezu Krishtin. Ai nuk është një ide, që mund të manipulohet sipas dëshirës; është një realitet “me mish e gjak”. Ai guxoi të thoshte (për ne s’ka rëndësi nëse me gojën e tij kur jetonte, apo si i ringjallur me gojën e Shpirtit të tij): "Askush nuk e ka parë kurrë Hyjin: Biri i njëlindur, që është Hyj dhe është në Atin, ai na e ka zbuluar" (Gjn 1,18). Krishti nuk ia zë vendin “Hyjit të fesë”; vetëm na zbulon përfundimisht fytyrën e tij të vërtetë.
Feja e krishterë lind nga zbulimi i dhuratës
Viti që sapo përfundoi shënoi një përvjetor të rëndësishëm: atë të lindjes së Immanuel Kant (22 prill 1724), filozofit të arsyes së pastër dhe të arsyes praktike. Ai e përjashton demonstrimin racional të ekzistencës së Zotit nga arsyeja e pastër dhe ia ngarkon këtë detyrë arsyes praktike. Mund të pajtohemi me të, me kusht që ta konsiderojmë personin e Jezu Krishtit - dhe jo "imperativin moral" - "arsyen praktike" më të vërtetë dhe më të fortë (domethënë jo spekulative!) për të besuar në Zotin. Feja e krishterë lind nga zbulimi i dhuratës, jo nga vetëdijësimi se e kemi për detyrë. (E as rastësisht, nga "vetëdijësimi për mëkatin", siç mendonte Kierkegaard). Ndërgjegjja morale është padyshim një argument në favor të arsyes për të besuar: e vetmja gjë që i interesonte dukshëm Kantit, si filozof; por nuk është ende fillimi i fesë. «Ndërgjegjja morale brenda vetvetes» (së bashku me «qiellin me yje mbi vete»), ia mbushte shpirtin Kantit me «admirim dhe nderim gjithnjë e në rritje» (Kant’s Gesammelte Schriften, v, p. 161). Por, akoma jo me fe!