Atë Romanelli: "Në Gaza Kisha Katolike do të vazhdojë të jetë dritë shprese"
R.SH. - Vatikan
Kthimi në tokat e tyre, në shtëpitë e tyre apo në atë që ka mbetur prej tyre është sinjal shumë pozitiv, por nuk mjafton, sepse nuk është ende e qartë nëse ekziston vullneti i vërtetë ndërkombëtar për të rindërtuar. Atë Gabriel Romanelli, famullitar i Kishës së Familjes Shenjte në Rripin e Gazës, shikon kundërheksodin e gazasve, të cilët u larguan nga veriu në jug të Rripit për të mbijetuar gjatë bombardimeve izraelite dhe që tani, duke filluar nga e hëna, 27 janar, edhe me autorizimin e Izraelit, po kthehen në tokën e tyre, me shpresë se do të jenë në gjendje të kthehen të sigurt edhe në jetën e tyre, pas kaq muajsh lufte, vdekjeje dhe shkatërrimi.
Angazhimi për rindërtim
“Është shenjë e mirë që na dhanë leje për t'u kthyer, por ne nuk e shohim ende vullnetin e vërtetë të të gjithë atyre që e mbështetën këtë luftë dhe që tani duhet të ndihmojnë vërtet me angazhimin e tyre për rindërtim”. Para luftës, qyteti i Gazës kishte një popullsi prej mbi një milion banorësh, por konflikti e uli numrin në rreth 400,000. Vlerësimet e fundit të Kombeve të Bashkuara tregojnë se mbi 300,000 janë kthyer tashmë. Kjo do të thotë - shqetësohet Romanelli - “se nevojat janë edhe më të mëdha. Ne kemi nevojë për ujë të pijshëm, mall themelor, pa të cilin nuk mund të jetojmë. Dhe pastaj kemi nevojë për ndihma humanitare, që duhet të vazhdojnë të jenë të shumta, e edhe ushqime, ilaçe…”.
Të mbjellësh paqen
Kisha Katolike, me famullinë e Familjes Shenjte, e cila i përket Patriarkanës Latine të Jeruzalemit, si dhe Institutin e Fjalës së Mishëruar, me priftin argjentinas, caktuar nga patriarku, kardinali Pierbattista Pizzaballa, do të vazhdojnë jo vetëm të ofrojnë mbështetje shpirtërore, por edhe t’i ndihmojnë materialisht të gjithë civilët, qofshin të krishterë apo myslimanë, edhe pse këta të fundit janë shumica e popullsisë së Gazës. “Falënderojmë Zotin për kthimin e tyre - pohon rregulltari - para kthimit të popullit Kisha Katolike arriti të ndihmojë 17 mijë familje, që janë shumë më tepër se njëqind mijë njerëz, duke mbështetur edhe sistemin shëndetësor përmes aksionit të Caritas Jerusalem të Patriarkanës Latine dhe Urdhrit të Maltës. E do të vazhdojmë t'u shërbejmë të varfërve, të sëmurëve, do të vazhdojmë, edhe nëse nuk ka ilaçe për sëmundjet kronike. Ne do të vazhdojmë t'i bëjmë të gjitha këto, pavarësisht numrit të vogël të të krishterëve që kanë mbetur në Gaza, të cilët para atij 7 tetori të tmerrshëm ishin 1017 nga 2.300.000 banorë, ndërsa tani jemi rreth 700. Por, pavarësisht numrit të vogël, përpiqemi të jemi dritë e shpresë, për të ndihmuar çdo njeri, qoftë brenda apo jashtë kishës sonë, apo lagjes sonë, sepse paqja është e mundur, por ne duhet ta mbjellim atë, që të quhemi bij të Zotit e të Kombit!