Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Salvator mundi Domine, canzone sacra a 5 voci, dalle "cantiones sacrae"
Programe Podcast
Toka e Shenjtë - Shpellë qumështi në Betlehem Toka e Shenjtë - Shpellë qumështi në Betlehem

Nëntëditëshi i Krishtlindjes, çfarë është, kur lindi dhe çfarë do të thotë

Sot mё 16 dhjetor, nё javёn e tretё tё Kohёs sё Ardhjes, qё na paraprinë e përgatit pёr kremtimin e Lindjes sё Jezu Krishtit, Kisha katolike e fillon nёntёditёshin e kёsaj sё kremte madhore. Nuk është lutje zyrtare e Kishës, por është pjesë e praktikave të devotshme të përshpirtërisë popullore. Kremtohet nga 16 deri më 24 dhjetor dhe ka si qëllim të ndihmojë besimtarët të përgatiten shpirtërisht për festën e lindjes së Jezusit.

R.SH.- Vatikan

Sot mё 16 dhjetor, nё javёn e tretё tё Kohёs liturgjike tё Ardhjes, qё na paraprinë dhe pёrgatit pёr kremtimin e Lindjes sё Jezu Krishtit, Kisha katolike romake e fillon Nёntёditёshin e kёsaj sё kremte të madhe.

Në liturgjinë e tri të dielave të para tё kohёs liturgjike tё Ardhjes dhe në ditët e pushimit, deri më 16 dhjetor, theksohej me forcë tema e Ardhjes së dytë të Jezusit, në fundin e kohëve. Ndërsa ndërmjet 17 e 24 dhjetorit, kujtohen çdo ditë skena, ngjarje e profeci, që na çojnë drejt Shpellës së Betlehemit, drejt kremtimit të ditëlindjes së Birit të Zotit, Jezu Krishtit, që përkujtohet sidomos nëntë ditë para Solemnitetit.

Nëntëditshi i Krishtlindjes, pra, kremtohet në periudhën e dytë të Kohës së Ardhjes. Kujtojmë se takimet e bashkësisë së krishterë nëntë ditë me radhë para Festës sё Lindjes sё Jezusit, kanë karakter thellësisht shpirtёror, popullor e festohen krahas liturgjisë zyrtare tё Kishёs. Shprehjet e përshpirtërisë së popullit, vijnë nga Mesjeta e largët, për të përforcuar fenë e devocionin ndaj Zemrës së Krishtit, Virgjërës Mari dhe Shenjtorëve.

Kjo traditë lindi në kohët kur bashkësia e krishterë ishte larg burimeve të Biblës e të liturgjisë kishtare, ose kur këto burime ishin të ndaluara e populli shtegtonte si në shkretëtirë, plot etje, në pritje të ujit të gjallë, nё pritje tё Dritёs sё Zotit.

Shtegtim, që vijon edhe në kohët moderne, në të cilat populli i Zotit përpiqet ta ruajë të pacenuar  traditën e vet, e, pa harruar përmasën liturgjike kishtare, merr pjesë nëntë ditë me radhë në kremtimet prekëse tradicionale, shoqëruar kryesisht me uratё, dёgjimin e Fjalёs sё Zotit, meditme a predikime, me muzikë liturgjike si ajo gregoriane etj. Kremton, pra, me besimin e sigurt se shpresa nё Ardhjen e Zotit nuk të zhgënjen, vetëm atëherë kur pranohet me gjithë zemër.

Atëherë prania e Zotit lëshon mbi hijen e ftohtë të dimrit të shpirtit, rrezet e Diellit, në pritje të Ditës së madhe të kthimit të parë e të fundmë. E populli  vijon udhën drejt Krishtlindjes, i bindur se nuk sos me krye në shkëmb, shteg pa shteg, por shkon pas Dritёs, si barinjtë nё kohën e Lindjes sё Jezusit, drejt takimit me Foshnjën Hyjnore.

Kisha, pra, na ftojnë të gjithëve, ta kremtojmë këtë Solemnitet pa e harruar protagonistin e festës, do të thotë Jezusin Fëmijë. Për Krishtlindje, t’i bëjmë vend Jezusit, në vend të shpenzimeve e të zhurmave. Për Krishtlindje, ashtu si Maria, t’i bëjmë vend Jezusit, që vjen. Kisha është në pritje, ashtu si Maria, që mezi ç’pret ta shohë në fytyrë birin e saj. Edhe ne, si Kishë, e shoqërojmë Zojën Mari në këtë kohë, duke pritur me padurimin e saj.

Zoti vjen dy herë. Tani përkujtojmë lindjen e Tij fizike, por Hyji do të vijë sërish në fundin e kohëve. Ka edhe një ardhje të tretë, siç pohon Shën Bernardi: “Ka një ardhje të tretë të Zotit: ajo e çdo dite. Hyji i bën vizitë çdo ditë Kishës së Tij! Viziton secilin prej nesh e shpirti ynë bëhet më i ngjashëm me Të: shpirti ynë i ngjan Kishës, shpirti ynë i ngjan shën Marisë.

Etërit e shkretëtirës thonë se Maria, Kisha e fryma (shpirti) jonë janë femërore e ç’mund të thuhet për njërën, mund të thuhet edhe për tjetrën. Shpirti ynë është në pritje, në pritje për ardhjen e Hyjit; zemër e hapur që e thërret: “Eja, o Zot!” E Shpirti Shenjt e nxit secilin prej nesh,  që këto ditë të lutet, e posaçërisht në pragun e Krishtlindjes duke thënë “Eja! Eja!”. Me fjalët e  antifonave të mëdha të Nëntëditëshit që paraprin Krishtlindjen, të kërkojmë e urojmë: “O urti, o çelësi i Davidit, o mbret i popujve, eja!”.

16 dhjetor 2024, 11:17
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031