Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
MESHA NË LATINISHT
Programe Podcast
Papa Françesku para betlehemit Papa Françesku para betlehemit

Në Krishtlindje, Kisha na ofron Jezusin Fëmijë, mister dashurie

Kisha e nis shtegtimin nga ngjarja e Mishërimit të Hyjit, nga Shpella e varfër e Betlehemit e, në rrjedhë shekujsh, bëhet Popull e burim drite për njerëzimin, edhe në situata të vështira, që shkaktohen nga kufizimet e mëkatet. Kisha, ashtu si Virgjëra Mari, i ofron njerëzimit Jezusin, Birin Hyjnor, që ajo vetë e mori si dhuratë e që erdhi ta shpëtojë njeriun nga skllavëria e mëkatit

R.SH. - Vatikan

Në Krishtlindje, Kisha na ofron Jezusin Fëmijë, mister dashurie e drite. Kisha, në Solemnitetin e Lindjes së Zotit, nuk ka frikë, pavarësisht nga çfarëdo situate, edhe më të vështirë e të veçantë, të ofrojë Krishtin Fëmijë, sepse forca e saj është misteri i dashurisë e i dritës së Foshnjës Hyjnore të Betlehemit, të cilin dëshiron t’ia dhurojë çdo njeriu e mbarë botës.  Drita, që përhapet nga Shpella e Betlehemit, vend ku Hyji gjeti strehimin e parë në historinë e njerëzimit, vezullon përmbi ne.

E Bibla dhe Liturgjia Shenjte e kësaj feste nuk bëjnë fjalë për dritë natyrore, por për një Dritë tjetër, të veçantë, e cila i lëshon rrezet e veta nga Qielli drejt ‘nesh’, sepse pikërisht ‘për ne’ ‘lindi’ Foshnja Hyjnore e Betlehemit.

E kur themi ‘ne’, kemi parasysh familjen e madhe universale të njerëzimit dhe Kishën, besimtarët në Krishtin, që presin me shpresë lindjen e re të Shëlbuesit. Në fillim, siç rrëfejnë ungjijtë, rreth grazhdit të Betlehemit, fjala ‘ne’ ishte pothuajse e padukshme për sytë e njerëzve.  Përveç Marisë e Jozefit, ishin vetëm pak barinj të përvujtë, të cilët arritën tek Shpella të lajmëruar nga  Engjëjt.

Drita e Krishtlindjes së parë qe si një zjarr i ndezur në natë. Gjithçka përreth ishte e zhytur në errësirë, ndërsa në Shpellë  vezullonte drita e vërtetë, që shndrit çdo njeri (Gjn 1,9). E pra gjithçka ndodh në thjeshtësi e fshehtësi, sipas stilit me të cilin vepron Zoti në të gjithë historinë e shëlbimit. Zotit i pëlqen të ndezë drita të kufizuara, për të ndriçuar, pastaj, hapësirat e pafundme.

E Vërteta, ashtu si Dashuria ndizen e shpërthejnӫ atje, ku drita pranohet. E përhapet, pastaj, me rrathë koncentrikë, në zemrat e në mendjet e atyre që, duke i hapur lirisht udhën shkëlqimit të saj, bëhen edhe vetë burim drite. Kjo është historia e Kishës, që nis shtegtimin pikërisht nga ngjarja e Mishërimit të Hyjit, nga Shpella e varfër e Betlehemit e, në rrjedhë shekujsh, bëhet Popull e burim drite për njerëzimin, edhe në situata të vështira, që shkaktohen nga kufizimet e mëkatet e njerëzimit. Kisha, ashtu si Virgjëra Mari, i ofron njerëzimit Jezusin, Birin Hyjnor, që ajo vetë e mori si dhuratë e që erdhi ta shpëtojë njeriun nga skllavëria e mëkatit.

Ashtu si Maria, Kisha nuk ka frikë, sepse ky Fëmijë është forca e saj. Por ajo nuk e mban vetëm për vete: ua dhuron të gjithë atyre njerëzve, që e kërkojnë me zemër të sinqertë: të përvuajturve të tokës e të pikëlluarve, viktimave të dhunës e të gjithë atyre që kanë etje për paqe e për dashuri.

Edhe sot, për familjen njerëzore, të tronditur thellë nga kriza ekonomike, e më parë, nga ajo morale, si dhe nga plagët e dhimbshme të luftërave e të konflikteve, me stilin e ndarjes së përbashkët e të besnikërisë ndaj njeriut, Kisha përsërit, njëzëri me barinjtë: “Të shkojmë te Betlehemit! (Lk 2,15), e atje do të gjejmë shpresën tonë”.

Kisha na fton të gjithëve të shpresojmë në Zotin e Mishëruar, pavarësisht nga dramat, provat dhe vështirësitë, që vijojnë të na trondisin ende sot. Krishtlindja na nxit të gjithëve të ngrihemi mbi mendësitë egoiste, të punojmë për të mirën e përbashkët e të respektojmë njerëzit më të ligshtë, duke filluar nga ata që presin ndihmën e dashurinë tonë, sipas porosinë së Emanuelit – Zotit me ne .

25 dhjetor 2024, 09:28
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031