Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Allegro con brio
Programe Podcast
La Madonna del Rosario La Madonna del Rosario

Tetori - muaji i Rruzares e muaj misionar

Dy aspekte të veçanta lidhen me muajin tetor: Rruzarja dhe Misionet. Kisha na fton të rizbulojmё bukurinë e kësaj urate kaq të thjeshtë e kaq të thellë, mjet që Zoja e Bekuar na e dhuron për të kundruar Jezusin e, duke medituar për jetën e Tij, për ta dashur e për ta ndjekur pas gjithnjë e më besnikërisht. E Zoja na ka porositur ta themi Rruzaren edhe në disa nga dukjet e saj. Rruzarja është lutje kundruese e kristocentrike, uratë e të krishterit që ecën përpara në shtegtimin e fesë

R.SH. - Vatikan

Kisha katolike romake na fton, që gjatë këtij muaji tetor, ta lusim Rruzaren shenjte në familje, ndër bashkësi e ndër famulli kishtare sipas ndjeteve të Papës, për misionin në Kishë dhe për paqen në botë. Kisha katolike, pra, na fton edhe të reflektojnë mbi mesazhin qё pёrmban lutja e Rruzares, sepse është mesazhi i Jezu Krishtit dhe tё impenjohemi nё misionaritetin e jetёs sё pёrditshme, duke dëshmuar fenë e dashurinë ndaj Zotit dhe duke ndihmuar nё mёnyrё tё veçantё misionin e Kishёs kudo nё botё, të cilit i kushtohet posaçërisht muaji tetor.

Tetori lidhet me misionet

Po kujtojmё dy aspekte të veçanta, që lidhen me këtë muaj tetor: Rruzaren dhe Misionet. Misioni i Kishës, vijim i atij të Krishtit, është t’u çojë të gjithëve dashurinë e Hyjit, duke e kumtuar me fjalë e me dëshmi konkrete bamirësie. Prandaj, Kisha na kujton impenjimin misionar, të cilit i kushtohet në mënyrë të veçantë muaji në vijim, si dhe Ditën Misionare Botërore e cila do te kremtohet mё 18 tetor tё ardhshёm, qё sivjet ka si temё "Ja ku jam, më dërgo mua” (Is 6,8). Në këtë vit 2020 të ngarkuar me vuajtje e sfida, shkaktuar nga pandemia e Covid 19 – kujton Papa  Françesku në Mesazhin e tij - udha misionare e Kishës vijon në dritën  e fjalës, që e gjejmë në tregimin e Isaisë Profet kushtuar thirrjes: “Ja ku jam, më dërgo mua!”. E pikërisht kjo është përgjigjja, gjithnjë e re, që i jepet thirrjes. Përgjigje, e cila vjen nga zemra e Zotit.

Kështu, muaji tetor na ndihmon ta kujtojmë këtë të vërtetë themelore, ta mbajmë gjallë në çdo bashkësi frymën misionare dhe të mbështesim punën e priftërinjve, të rregulltarëve, rregulltareve e laikëve si dhe të gjithë atyre që ndodhen në radhët e para të frontit të misionit të Kishës kudo në botë. Kumtimi i Ungjillit mbetet shërbimi i parë që Kisha duhet t’i bëjë njerëzimit, për t’i propozuar shëlbimin e Krishtit njeriut të kohës sonë, të poshtëruar e të shtypur në shumë forma e për t’i orientuar në drejtimin e krishterë shndërrimet kulturore, shoqërore dhe etike, që vijojnë në botë.

Tetori lidhet me lutjen e Rruzares

Aspekti tjetër i tetorit është lutja e Rruzares Shenjte. Këtë na e kujton Kisha, duke na ftuar të rizbulojmё bukurinë e kësaj urate kaq të thjeshtë e njëkohësisht kaq të thellë, që e donte aq shumë Papa Shёn Gjon Pali II, “Apostulli i madh i Rruzares”, Shenjta Nёnё Terezё e sa e sa tё tjerё, sepse Rruzarja lutje kundruese e kristocentrike, uratë e të krishterit që ecën përpara në shtegtimin e fesë.

Figura tradicionale e Zojës Rruzare, na paraqet Marinë në sa me njërin krah mban Foshnjën Hyjnore - Jezusin dhe me tjetrin i jep Shën Dedës ‘Rruzaren’. Kjo ikonografi kuptimplote tregon se Rruzarja është mjet që Zoja e Bekuar na e dhuron për të kundruar Jezusin e, duke medituar për jetën e Tij, për ta dashur e për ta ndjekur pas gjithnjë e më besnikërisht. E Zoja na ka porositur ta themi Rruzaren çdo ditё.

Më 5 shtator 1898 Papa Leoni XIII, ndërmjet tjerash, shkruante kështu në letrën e tij enciklike “Diuturni temporis”: “Pasi kemi ngulitur… me thirrjet Tona të përsëritura, praktikën e Rruzares Shenjte, Ne, duke ndjekur shembullin e Paraardhësve tanë, i kemi kushtuar vëmendje të posaçme zhvillimit e solemnitetit të kultit. Nga paraardhësit tanë, qe Siksti V ai që e miratoi zakonin e lashtë për të thënë Rruzaren; Gregori XII themeloi festën e Rruzares; Klementi VIII e përfshiu në martiriolog; Klementi XI e shtriu në të gjithë Kishën e Benedikti XIII e radhiti, pastaj, në Shkurtoren romake. Kështu ne, duke dëshmuar vlerësimin e madh për këtë formë përshpirtërie, përveç se dekretuam që festa e lartpërmendur dhe oficja e saj të kremtohen në mbarë Kishën… deshëm edhe që gjithë muaji i tetorit t’i kushtohet këtij devocioni. Së fundi, porositem që në Litanitë Lauretane të shtohet lutja drejtuar: “Mbretëreshës të së Shenjtnueshmes Rruzare”.

Urata e Rruzares “Madhërim” i përhershëm i Zotit 

Rruzarja e Zojës së Bekuar mori hov të veçantë në mijëvjeçarin e dytë përmes frymëzimit të Shpirtit të Zotit. Ishte lutja më e dashur për shumë shenjtorë. E inkurajuar nga papët e Kishës për thjeshtësinë e thellësinë e saj, mbetet edhe në mijëvjeçarin e tretë, që sapo ka filluar, lutje me kuptim të jashtzakonshëm, e paracaktuar të sjellë fryte shenjtërie. Bën pjesë në kuadrin e rrugës shpirtërore të krishterimit i cili, pas dymijë vjetësh, nuk e ka humbur aspak freskinë e zanafillës dhe ndjen si Shpirti i Hyjit e shtyn përsëri të dalë në det të hapur, për t’i kumtuar me zë të lartë botës Krishtin si Zot e Shëlbues, si Rruga, e Vërteta e Jeta, siç shprehet Shën Gjoni në kapitullin e 14-të të Ungjillit të tij - e vatër në të cilën ndriçojnë e ngrohin idealet e historisë së qytetërimit, siç e vërteton rruga e historisë së njerëzimit.

Këtë na e kujton Papa Shën Gjon Pali II në letrën e tij apostolike ”Ruzarja e Virgjërës Mari”, përmes së cilës thekson se "Rruzarja, e cila karakterizohet nga fizionomia mariane, është lutje me zemër kristologjike". Në thjeshtësinë e elementeve të saj, Rruzarja ka në vetvete gjithë thellësinë e mesazhit ungjillor, duke u bërë kështu gati-gati një përmbledhje e tij.

Në uratën e Rruzares Shenjte kumbon lutja e Marisë Virgjër, “Madhërimi” i përhershëm i Zotit për veprën e mishërimit shëlbues, që zu fill në kraharorin e saj. Me Zojën Mari, populli i krishterë ulet në bankat e shkollës së saj, prej nga Nëna e Krishtit i prin drejt kundrimit të bukurisë së fytyrës së Birit Jezus dhe përvojës së thellësisë së dashurisë së Tij. Përmes Rruzares, i krishteri nxjerr hiret prej Hyjit Atë, të cilat i duket sikur i merr nga vetë duart e Nënës së Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit.

04 tetor 2024, 13:54
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031