Kërko

Nga Lodi i lashtë, vendi i Shën Gjergjit, urimet më të mira Papës për ditën e emrit

Emri "Gjergj" është sigurisht më i përhapuri ndër të krishterët, që jetojnë në Tokën Shenjte. Një vizitë në kishën greko-ortodokse, ndërtuar mbi rrënojat e shtëpisë dhe të varrit të shenjtit me këtë emër, në atë që dikur njihej si Lida e lashtë, është rast lutjeje për Papën, i cili quhet Jorge (Gjergj) Mario Bergoglio e nesër, më 23 prill, kremton ditën e emrit

R.SH. – Vatikan

         Në gjysmë të rrugës ndërmjet Jerusalemit dhe Tel Avivit ndodhet qyteti Lod. Është Lida e lashtë, ku sipas Veprave të Apostujve, Pjetri shëroi një të paralizuar. Por, sidomos, njihet si qyteti ku jetoi dhe vdiq si martir Shën Gjergji. Në të gjithë Palestinën dhe Izraelin, përkushtimi ndaj Shën Gjergjit është tejet i madh. Emri “Gjergj” është sigurisht më i përhapuri ndër të krishterët, që jetojnë në Tokën Shenjte. Një vizitë në kishën greko-ortodokse, ndërtuar mbi rrënojat e shtëpisë dhe varrit të shenjtit është rast lutjeje edhe për Papën Françesku, i cili nesër, më 23 prill, kremton ditën e emrit.

         Arkimandriti mikpritës Markellos, me origjinë greke, por që ka qenë murg në SHBA për shumë vite, është edhe famullitari i bashkësisë së vogël ortodokse, që përbëhet kryesisht nga emigrantë, të cilët vijnë për meshë në këtë kishë, thesar i artit bizantin. Ai shpjegon se “tradita e konsideron Shën Gjergjin të lindur në Kapadoki, vendlindja e të atit, por nëna e tij, Polikronia, ishte nga Lida dhe familja jetonte këtu. Të dhënat për Shën Gjergjin, i cili ka jetuar disa dekada para perandorit Konstandin, janë mjaft të pasigurta. Por në kriptën e kishës ndodhet sarkofagu me trupin e tij, hapur për herë të fundit rreth dy shekuj më parë”.

Varri i Shën Gjergjit në Lod
Varri i Shën Gjergjit në Lod

         Arkimandriti Markellos vazhdon: “Duke pasur parasysh popullaritetin, që gëzon Shën Gjergji në të gjithë botën (është shenjt pajtor i dhjetëra vendeve, ndër të cilat edhe Anglia), ky vend do të meritonte, edhe për bukurinë e tij artistike, të përfshihej në itineraret e shtegtarëve të shumtë, që vijnë në Tokën Shenjte. Duke ditur se Papa e ka Jorge, pra Gjergj, emrin e pagëzimit, bashkësia jonë ndihet krenare. Për këtë arsye, jam shumë i lumtur që, së bashku me vëllezërit latinë të Rojtarisë së Tokës Shenjte, të Patriarkatit dhe të Nunciaturës, të cilët erdhën këtu nga Jeruzalemi sot për t'u lutur me ne, të themi nga shtëpia e Shën Gjergjit: Urimet më të mira Papa Françesku!"

        Ndërkaq sot, Ati i Shenjtë kremtoi përvjetorin e kushteve rregulltare. Kujtojme se Jorge Mario Bergoglio hyri në Shoqërinë e Jezusit më 11 mars 1958, u shugurua meshtar më 13 dhjetor 1969 dhe bëri kushtet e tij përfundimtare si sot, më 22 prill 1973.

22 prill 2024, 11:34