Kërko

Mar Gregorios Youhanna Ibrahim et Boulos Yazigi Mar Gregorios Youhanna Ibrahim et Boulos Yazigi

Në Lindjen e Mesme, një ditë ekumenike për të mos harruar njerëzit e rrëmbyer

Me rastin e 11-vjetorit të rrëmbimit të dy kryepeshkopëve të Halebit, më 22 prill 2013, Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme dënon heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare për njerëzit e rrëmbyer, ose të zhdukur në botë dhe u kërkon "të gjithë përgjegjësve për të drejtat e njeriut, drejtësinë, lirinë dhe paqen, të vazhdojnë ta ngrenë zërin" në mbrojtje të atyre, që janë sekuestruar, ose mbahen peng padrejtësisht

R.SH. – Vatikan

         Njëmbëdhjetë vjet më parë dy kryepeshkopë të Halebit, mitropoliti greko-ortodoks Boulos Yazigi dhe mitropoliti siro-ortodoks Gregorios Yohanna Ibrahim, u rrëmbyen në rrugën ndërmjet qytetit sirian dhe kufirit turk. Ata donin të bisedonin për lirimin e dy priftërinjve në duart e xhihadistëve, por u rrëmbyen. Deri tani nuk është dhënë ende asnjë provë nëse janë gjallë a vdekur. Zhdukja e tyre përkujtohet çdo vit dhe Kishat lokale shpresojnë t'i shohin gjallë sa më shpejt. Vitin e kaluar, Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme (CEMO) shpalli një Ditë Ekumenike kushtuar njerëzve të rrëmbyer e të zhdukur me forcë. “Mungesa e këtyre dy barinjve të nderuar përfaqëson mungesën e të gjithë atyre, që kanë humbur familjet dhe të dashurit e tyre me të njëjtat metoda kriminale, duke i lënë familjarët në mjerim e dhimbje”, lexohet në një deklaratë të Këshillit, publikuar dje, 22 prill.

Kujtimi i njerëzve të zhdukur

Ky Këshill, që bashkon Kisha të ndryshme në Lindjen e Mesme, të cilat u përkasin pothuajse të gjitha traditave të krishtera, nga ortodokse lindore tek ortodokse, katolike, anglikane dhe protestante, shpreh shqetësimin për indiferencën e botës ndaj njerëzve të rrëmbyer, ose të zhdukur: “Ç’mund t'i themi një bote, që rri e heshtur dhe indiferente përballë kësaj tragjedie? A duhet ta ngremë zërin, duke e ditur se ajo e bën veshin e shurdhër? T’i bëjmë thirrje ndërgjegjes së sajj, duke e ditur se e ka humbur krejtësisht ndjenjën e mëshirës? A duhet t'u drejtohemi institucioneve të saj, duke e ditur se ato janë të pafrytshme?” Pikërisht për të shmangur rrezikun e harrimit të personave të rrëmbyer apo të zhdukur, CEMO ka vendosur t'u kushtojë çdo vit një ditë atyre. Data e zgjedhur përkon me atë të rrëmbimit të dy kryepeshkopëve të Halebit, më 22 prill. "Do të vazhdojmë të sfidojmë heshtjen dhe injorancën e liderëve botërorë - thuhet në deklaratën e Këshillit të Kishave të Lindjes së Mesme - dhe do të vazhdojmë t'i bëjmë thirrje ndërgjegjes së tyre, jo vetëm për hir të dy krerëve të nderuar të Kishës, por edhe për të mirën e të gjithë të zhdukurve në mbarë globin”. OKB-ja i kujton njerëzit e zhdukur çdo vit, më 30 gusht, me Ditën Botërore të Pengjeve të mbajtura me forcë, kremtuar veçanërisht nga Kryqi i Kuq, i cili, që nga viti 1959, punon për të rivendosur lidhjet midis anëtarëve të së njëjtës familje dhe për të hedhur dritë mbi fatin e personave të zhdukur.

Një zë në shkretëtirën e indiferencës

Këshilli u bën thirrje "të gjithë atyre, që merren me të drejtat e njeriut, drejtësinë, lirinë dhe paqen" të bashkëpunojnë për lirimin e pengjeve dhe i lutet Zotit t’u japë "pak ngushëllim atyre, që rrinë zgjuar natën, duke pritur një të afërm, që nuk është më". Në një mesazh të përbashkët, publikuar gjatë Kreshmëve Ortodokse, edhe Patrikana Greko-Ortodokse e Antiokisë dhe e gjithë Lindjes bashkë me Patrikanën Siro-Ortodokse të Antiokisë dhe të gjithë Lindjes kërkojnë të dinë të vërtetën për rrëmbimin e dy mitropolitëve të Halebit në vitin 2013: "I lutemi Zotit të shpëtimit dhe Zotit të çdo ngushëllimi, është koha që kjo histori të marrë fund, të paktën duke zbuluar të vërtetën, sado e ëmbël apo e hidhur të jetë ajo”.

23 prill 2024, 13:31