Kërko

Kardinali Pedro Rubiano Sáenz Kardinali Pedro Rubiano Sáenz

Ndërroi jetë në Bogota, kardinali kolumbian Pedro Rubiano Sáenz

Kardinali ka qenë kryeipeshkëv i kryeqytetit dhe për një kohë të gjatë, kryetar i ipeshkvijve të vendit, ndërmjet viteve ‘90 dhe fillimit të viteve 2000. Gjon Pali II i pati dhënë kësulën e kardinalit në vitin 2001

R.SH. – Vatikan

Ipeshkëv në moshën 38-vjeçare, emëruar nga Papa Pali VI në vitin 1971: ky ishte kardinali Pedro Rubiano Sáenz, lindur në vitin 1932, me origjinë nga Cartago, që ndërroi jetë dje, në moshën 91-vjeçare. Kisha Kolumbiane humbi një bari të vëmendshëm ndaj trazirave në vendin e tij, sidomos në dekadat e vështira dhe të përgjakshme të luftës së brendshme ndërmjet qeverisë dhe milicëve të Farc dhe Eln, si edhe të përleshjeve ndërmjet karteleve të trafikut të drogës. Shërbesa e kardinalit Pedro Rubiano Sáenz filloi si seminarist i ri në Seminarin Popayán dhe si student i teologjisë në Universitetin Kanadez të Laval de Québec. Ai u zhvendos në të gjithë kontinentin, në veri e jug, për t'u specializuar në katekezë dhe në Doktrinën Sociale të Kishës, deri në shugurimin e tij meshtarak, në Cali, në vitin 1956.

Puna për paqen e vendit

Përvojat e tij të para baritore e formuan në disa fronte. Si famullitar, themelon dy famulli, bën detyrën e arkëtarit dhe të vikarit ipeshkvnor, derisa shugurohet ipeshkëv i Cúcuta. Më pas, emërohet kryeipeshkëv më 1983 dhe në shkurt 1995 thirret në krye të kryedioqezës së Bogotasë. Gjatë këtyre viteve, impenjimet e tij në gjirin e Konferencës Ipeshkvnore Kolumbiane u shumëfishuan. Më vonë, ai u zgjodh zv.kryetar e më pas, kryetar i saj, për dy periudha të njëpasnjëshme, nga viti 1990 deri në vitin 1996 dhe nga viti 2002 deri më 2005. Papa Gjon Pali II e krijoi kardinal në vitin 2001 dhe ai e intensifikoi punën për të arritur paqen në vend. “Pikëllohemi e shqetësohemi – deklaronte në vitin 2005 – nga ngjarjet kriminale, që ndodhin çdo ditë: vrasje, vdekje me dhunë, atentate në qytete, të rinj të vdekur në stadiume, fëmijë të pafajshëm të rrahur dhe të përdhunuar… të gjitha gjakderdhje”, të cilat “na bëjnë një nga vendet ku jeta njerëzore respektohet më pak”.

Vitet e fundit

U mor edhe me fenomenin migrator, me punën e tij në Komisionin Ndërkombëtar Katolik për Migracionin dhe Refugjatët, themeloi bankën ushqimore kryedioqezane, nga e cila përfitojnë mijëra njerëz çdo vit. Nga maji 2003 deri në korrik 2007 ishte kryetar i Komitetit Ekonomik të Celam-it dhe në vitin 2010 u bë kryeipeshkëv nderi i Bogotasë.

16 prill 2024, 16:22