Kërko

Universi Universi

Krijuesi dhe hipotezat e shkencës

Është “best seller” libri i dy autorëve francezë, që synojnë të japin një panoramikë "provash shkencore" për ekzistencën e Zotit. Gjashtë muaj më parë, me qëllim krejt tjetër, drejtori i Departamentit të Fizikës Teorike në CERN (Conseil européen pour la recherche nucléaire) publikoi një ese me temë "Para Big Bang-ut"

Andrea Tornielli

R.SH. – Vatikan

Fakti i parë i padyshimtë është interesi, që ngjall pyetja për origjinën e universit dhe hipoteza e Zotit krijues. Këtë e dëshmon shitja e librit të Michel-Yves Bolloré dhe Olivier Bonnassies (“Zoti, shkenca, prova”, botimet Sonda, 610 faqe, 24,90 euro), i cili pasi doli në Francë, në vitin 2021, u bë “best seller” (një nga librat më të shitur) dhe renditet në majë të listave edhe në vende të tjera, në gjuhën e të cilave është përkthyer. Dy autorët synojnë të paraqesin prova shkencore për ekzistencën e Zotit dhe, rrjedhimisht, për një plan inteligjent në origjinën e universit, duke renditur zbulimet e fundit. Është fjala për teori të vërtetuara nga llogaritje e vrojtime, të cilat tronditin mjaft nga siguritë e atyre që, në emër të shkencës, kanë pretenduar gjithnjë se mund ta mohojnë ekzistencën e Krijuesit. Mund të jetë i diskutueshëm vendimi për t’i përzier në të njëjtin vëllim - me qëllimin për apologji, pra, për të mbrojtur tezën e zanafillës së botës nga Zoti, gjë që autorët e deklarojnë haptas - temën e origjinës së universit me atë të dukjeve në Fatima (temë, së cilës i kushtohen 44 faqe), si edhe sqarimet e tjera mbi praninë e Jezusit në histori dhe mbi mrekullitë e tij. Por pyetja e shtruar – misteri i origjinës së universit dhe i jetës – është jashtëzakonisht tërheqëse.

Shumë faqe të librit ndihmojnë për të kuptuar urtinë e fjalëve të kushtetutës dogmatike “Dei Filius” të Koncilit I të Vatikanit: "nuk mund të ketë asnjë mosmarrëveshje të vërtetë ndërmjet fesë dhe arsyes". Atyre, që mbështesnin papajtueshmërinë ndërmjet të vërtetave të fesë dhe njohurive racionale, rrjedhojë e arsyetimit të natyrshëm, ai Koncil u përgjigjej duke thënë, me fjalë ende aktuale, se ekzistojnë dy rende të ndryshme njohurish, të dallueshme sipas parimit e sipas objektit, që nuk hyjnë në konflikt me njëri-tjetrin. Por shpjegonte edhe se ekziston një inteligjencë më e gjerë, ajo që i lidh të gjitha sendet e krijuara me Krijuesin e tyre, në gjendje të përfshijë gjithçka mund të njohë inteligjenca njerëzore për realitetin empirik, me mjetet e saj.

Është ideja e arsyes, për të cilën fliste Papa Benedikti XVI, në fjalimin e tij të paharrueshëm në Bundestag, në shtator 2011: pasi pohonte se “vizioni pozitivist i botës, është, në tërësinë e tij, pjesë madhështore e njohurive dhe e kapaciteteve njerëzore, nga e cila absolutisht nuk duhet të heqim dorë”, Papa Ratzinger përshkruante rreziqet e një lloj arsyeje pozitiviste, “e cila paraqitet në një mënyrë ekskluziviste dhe nuk është në gjendje të perceptojë diçka përtej gjërave funksionale”. E krahasonte "me ndërtesat prej betonarmeje pa dritare, në të cilat e sigurojmë vetë klimën dhe dritën e nuk duam më t'i marrim këto të dyja nga bota e madhe e Zotit". Fjalët e Koncilit I të Vatikanit dhe ato të Benediktit XVI janë të dobishme edhe për të paralajmëruar kundër një tundimi spekulativ dhe të kundërt, atë të kufizimit të çështjes së Zotit në sferën e arsyes shkencore, e cila kështu, në mënyrë implicite, pranohet si i vetmi burim me autoritet për dijen. Eseja e dy autorëve francezë nuk përjashtohet nga ky rrezik.

Që nuk ka asnjë konflikt ndërmjet shkencës dhe fesë, dëshmohet edhe nga aradhja e gjatë e shkencëtarëve besimtarë, autorë zbulimesh të mëdha. Mjafton të përmendim vetëm dy emra: atë të një bashkëkohësi të Darvinit, fratit augustinian nga Moravia, Gregor Mendel, konsideruar sot si ati i gjenetikës; ose atë të meshtarit Georges Edouard Lemaître, i quajtur ati i kozmologjisë moderne, i cili në vitin 1927 ishte i pari që vuri re zgjerimin e universit, zbulim në zanafillën e teorisë së Big Bang-ut.

Në librin e Bolloré dhe Bonnassies përshkruhen gjerësisht dy argumente kozmologjike në mbështetje të ekzistencës së Zotit. Para së gjithash, provat e konfirmuara nga teste të ndryshme shkencore, se universi po zgjerohet dhe se ka zënë fill rreth 13,8 miliardë vjet më parë. Nuk ka qenë e mundur të vrojtohej çasti fillestar, por është gjetur një gjurmë e një faze të mëvonshme, kur universi ishte 0,003 për qind e moshës së tij aktuale.

Dëshmia i bën autorët të pohojnë se, meqenëse shkenca e ka dëshmuar fillimin e kohës, kjo postulon ekzistencën e një Krijuesi. Deri disa dekada më parë, astrofizikanët kishin shumë më tepër siguri se sot. Tani shkencëtarët na thonë se njohim vetëm 5 për qind të universit tonë. E se vetëm kjo sasi prej 5 përqindësh përbëhet nga materia "e zakonshme" dhe e dukshme (galaktikat, yjet, planetet, hënat, gazi...). 95 përqindëshi, që mbetet i panjohur, përbëhet nga 27 për qind materie e errët dhe nga 68 për qind energji e errët. Ç’është në të vërtetë materia e errët dhe energjia e errët, se si ndërthuren ato në strukturën e përgjithshme të kozmosit, ende nuk është zbuluar.

Natyrisht, padija mbi këtë temë – për të cilën jemi të vetëdijshëm - është një arsye tjetër për të shmangur lidhjen e një pyetjeje serioze, siç është ekzistenca e Zotit, me një model kozmologjik ende të paplotë nga pikëpamja shkencore. Do të ishte më mirë të pranonim se "shkenca nuk mund ta demonstrojë ekzistencën e Zotit, thjesht, sepse Zoti nuk është i llojit që shkenca është në gjendje të hetojë me metodat e saj. Natyrisht, vlen edhe e kundërta: ato pozita që pretendojnë se përdorin shkencën për të përjashtuar besimin në Zot janë krejtësisht pa vend”, vë në dukje astrofizikani Marco Bersanelli në komentin e tij për librin e Bolloré dhe Bonnassies në gazetën italiane “Il Foglio”.

Argumenti i dytë i propozuar në libër ka të bëjë me një provë tjetër shkencore, me faktin se ligjet që rregullojnë universin e njohur prej nesh janë të predispozuara të krijojnë kushtet për shfaqjen e jetës. Vërtet, jeta në tokë mundësohet nga një sërë rrethanash tejet të përcaktuara (për shembull, pjerrësia e boshtit të Tokës me 23,5 gradë, i qëndrueshëm falë Hënës; distanca e duhur e Tokës nga Dielli; ekzistenca e molekulës së ujit, aq atipike sa duket se është krijuar pikërisht që të ekzistojë jeta: nëse uji do të sillej si substanca të tjera do të ishte më i dendur kur ftohet, akulli do të fundosej në vend që të mbetej në sipërfaqe dhe detet do të ngrinin etj.). Më një fjalë, universi u krijua për të na dhënë mundësinë të ekzistojmë. Aq saktë përkon e gjithë kjo me ekzistencën e jetës sa, nëse i gjithë universi nuk do të ishte pikërisht kështu siç është, ne nuk do të ekzistonim.

Pra, kemi konstante fizike themelore, vlera e të cilave lejon ekzistencën e universit, ashtu siç e shohim ne dhe ekzistencën e jetës, ashtu siç është. Këto konstante nuk janë të shumta dhe, aktualisht, nuk dihen arsyet për të cilat janë kështu. Nëse do të kishim më shumë materie nga ekzistuesja, universi do të pësonte kolaps: madje, kjo do të kishte ndodhur shumë më parë, pa arritur moshën prej mbi 13 miliardë vitesh. Nëse do të kishim më pak materie, universi do të zgjerohej më shpejt dhe nuk do të kishim yjet, themelorë për jetën. Nëse materia nuk përplaset e bashkohet për të formuar yjet, jeta nuk ekziston.

Përballë këtyre provave, ka nga ata që flasin për rastësinë, si element që qëndron në origjinën e universit tonë, duke hedhur hipoteza për praninë e universeve të pafundme - teoria e multiversit – që duhet të jenë zhvilluar rastësisht, krejt ndryshe nga universi ynë e krejt të panjohur për ne. Pohim disi "metafizik" (fjalë e përdorur nga pikëpamja shkencore, në kuptimin e përtej fizikës, shkenca në kuptimin galileas të termit): këto universe të tjera, pa fund, hipotizohen për të justifikuar ekzistencën e rastësishme të universit tonë, por nuk mund të vrojtohen, prandaj, nuk mund të përjetohen. Siç shihet, hipoteza - për ata që e kanë dhuratën e fesë, jo hipotezë, por siguri - që Dikush mendoi dhe është në origjinën e qiejve dhe të tokës, që Dikush na mendoi, na dëshiroi dhe na zhvilloi deri në pikën ku ndodhemi, që na deshi dhe vazhdon të na dojë, duke na dhënë jetë çdo çast, nuk mund të provohet “shkencërisht”, por nuk është më pak e besueshme se hipotezat e tjera po aq meta-fizike.

Për rrjedhojë, kapërcimi i barrierave është pozitiv, ashtu siç është edhe zhdukja e aksiomave të vjetra, sipas të cilave shkenca, veçanërisht ajo që merret me origjinën e universit, është në gjendje të provojë se Zoti nuk ekziston. Njëkohësisht, duhet të shmanget edhe përpjekja për ta provuar shkencërisht ekzistencën e Tij.

Në këtë drejtim, është interesant të lexohet “Before the Big Bang” (Rizzoli editore, 249 faqe, 19 euro), libri i drejtorit të Departamentit të Fizikës Teorike në CERN (Conseil européen pour la recherche nucléaire – Këshilli Evropian për Punën kërkimore Bërthamore), Gian Francesco Giudice, botuar shtatorin e kaluar. Edhe ai është vëllim mjaft i përhapur e i njohur, me zanafillë në pyetjen e një vajze të vogël, e cila udhëtonte në tren e ulur përballë shkencëtarit, që po lexonte një artikull mbi kozmologjinë kuantike. Vajza e vogël e pyeti se çfarë po lexonte dhe ai i tha: "Është historia e universit". E vogëlushja: "Nëse tregon gjithë historinë e universit, a flet edhe për mua?". Pyetje, që e befasoi Giudice-n, duke e lënë pa fjalë e duke e shtyrë të përgjigjej me pasiguri: «Jo, s’e besoj. Por nuk e kam lexuar ende të gjithë".

Edhe në këtë libër flitet për Big Bang-un; për zgjerimin e universit, provuar nga zbulimi i rastësishëm i dy radioastronomëve të kompanisë telefonike Bell, të cilët, në vitin 1965, kapën energjinë kozmike të sfondit, konsideruar provë e pakundërshtueshme se universi jo vetëm po zgjerohet sot, por edhe se në të kaluarën ka arritur temperatura shumë të larta; flitet për uniformitetin gati të përsosur të universit edhe në vende të hapësirës, që nuk kanë mundur kurrë të komunikojnë me njëri-tjetrin; për statusin e një universi të vënë në rend në mënyrë të pakuptueshme pas Big Bang-ut. Derisa arrihet te teoria e "multiversit", sipas së cilës çdo histori e mundshme kozmike ndodh në ndonjë univers paralel dhe përsëritet në universe të tjera të pafundme paralele. Shkencëtari i CERN-it e komenton kështu këtë teori të fundit: «Nuk mund të mohohet se sot, verifikimi i teorisë së multiversit duket jashtëzakonisht i vështirë...». Giudice, pavarësisht se e kritikon entuziazmin e tepruar të besimtarëve pas zbulimit të Big Bang-ut, rrëzon edhe përdorimin më të fundit të po atij zbulimi për të justifikuar ateizmin nga ata, që pohojnë se krijimi i kozmosit ka ndodhur, duke u nisur nga Asgjëja.

Në librin “Para Big Bang-ut” lexojmë edhe faqe, që përshkruajnë mahnitjen e njeriut, në këtë rast të shkencëtarit, përballë universit: «Zbulimi i mekanizmave të thella, që qëndrojnë në themel të fenomeneve fizike, nuk i privon ato nga bukuria e tyre, por na bën ne – shkruan Giudice – të provojmë emocion të papritur kur e shohim natyrën me sy tjetër, me ndjesinë e depërtimit në thelbin e saj më intim... Portreti i Big Bang-ut është me një intensitet të tillë, sa na bën të ndihemi të pranishëm në spektaklin e origjinës së materies, e cila duket se shpaloset para syve tanë si një shfaqje e jashtëzakonshme kozmike".

Në të vërtetë, spektakli i lindjes së universit dhe mahnitja me të cilën e tregon shkencëtari, i flasin besimtarit më shumë se sa përpjekjet për të provuar ekzistencën e Zotit me ekuacione dhe eksperimente laboratorike. Është e njëjta mahnitje, që gjejmë në njoftimin për shtyp të Observatorit astronomik të Vatikanit, i cili disa javë më parë paraqiste zbulimin e Át Gabriele Gionti dhe të don Matteo Galaverni: zhvillimin e një metode të re matematikore, që mund të përdoret për të kuptuar çastet e para të universit, duke dëshmuar se ekziston një lidhje ndërmjet teorive alternative të gravitetit (rëndesës) dhe një teorie të veçantë të gravitetit, quajtur "anti-njutoniane" ose "anti-gravitet".

I mirëpresim pra librat, që na lejojnë të depërtojmë pak më shumë në misteret e formimit të universit. Por, duhet treguar kujdes i madh e të shmanget përdorimi i shkencës dhe i metodave të saj për të "provuar" ekzistencën e Krijuesit. Të kujtojmë gjithmonë fjalët e Papës shenjt Gjon Pali II, i cili gjatë një audience të përgjithshme, në korrik 1985, pati thënë: «Kur flitet për prova të ekzistencës së Zotit, duhet theksuar se nuk flitet për prova shkencore-eksperimentale. Provat shkencore, në kuptimin modern të fjalës, vlejnë vetëm për gjërat e perceptueshme nga shqisat, pasi vetëm mbi to mund të përdoren instrumentet shkencore të hulumtimit e të verifikimit.

Të kërkosh prova shkencore për Hyjin do të thotë ta ulësh Zotin në rangun e qenieve të botës sonë, pra, të gabosh metodologjinë për çka është Zoti. Shkenca duhet t’i njohë kufijtë dhe pafuqinë e saj për çështjen e ekzistencës së Hyjit: ajo as mund ta pohojë dhe as ta mohojë këtë ekzistencë. Megjithatë, nga kjo nuk duhet të nxirret përfundimi se shkencëtarët nuk janë në gjendje të gjejnë, përmes studimeve të tyre shkencore, arsye të vlefshme për ta pranuar ekzistencën e Zotit. Nëse shkenca, si e tillë, nuk mund të arrijë deri te Hyji, shkencëtari, i cili ka një inteligjencë, objekti i së cilës nuk kufizohet vetëm në gjërat e prekshme, mund të zbulojë në botë arsyet për të pohuar ekzistencën e një qenieje, që e tejkalon atë. Shumë shkencëtarë e kanë bërë dhe vijojnë ta bëjnë këtë zbulim”.

Fjalë, që i bëjnë jehonë atyre të pionierit të Big Bang-ut, At Lemaître, i cili në fund të një konference publike, kur u pyet nëse atomi primitiv (nga i cili, sipas meshtarit belg, duhet të ketë filluar universi) duhej të identifikohej me Zotin, u përgjigj duke buzëqeshur: "Kam tepër respekt për Zotin, për ta kthyer në hipotezë shkencore”.

04 prill 2024, 17:00