Kërko

Pashkët në Zaporizhzhia me imzot Visvaldas Kulbokas  Credits: rkc.zp.ua Pashkët në Zaporizhzhia me imzot Visvaldas Kulbokas Credits: rkc.zp.ua

Imzot Kulbokas: Pashkët në Zaporizhzhian e bombarduar

Një bisedë me nuncin apostolik në Ukrainë, i cili e kaloi festën e Ringjalljes së Krishtit në qytetin e Zaporizhzhias, goditur nga sulmet ruse

R.SH. – Vatikan

 Ndërsa shërbimet sekrete ruse denoncojnë arritjen e eksplozivit në Rusi përmes ikonave ortodokse, kaluar me kamion në disa qytete evropiane, kreu i diplomacisë amerikane, Antony Blinken, ndodhet sot në Francë, ku diskuton për luftën në Ukrainë dhe për gjendjen në Lindjen e Mesme me presidentin francez, Emmanuel Macron. Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, në shkurt 2022, SHBA-të kanë qenë mbështetja kryesore e Kievit, por Kongresi amerikan, para disa muajsh, bllokoi një program ndihme prej 60 miliardë dollarësh. Nga ana e tij, në mes të shkurtit, Macron i ftoi aleatët e Ukrainës të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të mos e lënë Moskën të fitojë luftën.

Ndërkaq, bashkësia katolike ukrainase i kaloi Pashkët nën bomba. Nunci apostolik, imzot Visvaldas Kulbokas, shkoi në Zaporizhzhia, pikërisht për të shprehur afërsinë e Papës dhe të Vatikanit për besimtarët e stërmunduar nga konflikti, të cilit nuk i duket fundi. E pyetëm nëse i tiji, ishte vendim i menduar mirë, pasi vuri në rrezik jetën. Ja përgjigjja…

Po, është vendim i marrë qëllimisht, sepse desha të lutem me njerëzit, që e shohin lutjen si etje, si hov i shpirtit drejt Absolutit, pasi nuk kanë mundësi tjetër, askush nuk do t'i shpëtojë, aq i fuqishëm është terrori nga lufta. Dhe e di që për katolikët e këtyre zonave, afër frontit ushtarak, është e rëndësishme të jem i pranishëm. Tani, në Zaporizhzhia, në Kherson, por edhe në Kharkiv, mbërrijnë më pak ndihma humanitare. Këtu janë shumë aktive organizatat katolike, që mbështeten nga vetë Ati i Shenjtë, përmes Lëmoshtarit të tij, kardinalit Krajewski. Pra, për mua është edhe një mënyrë për të parë drejtpërdrejt si vjen kjo ndihmë, si shpërndahet. Pashë sytë e njerëzve, që marrin një copë bukë dhe diçka për ta shoqëruar: janë vërtet mirënjohës, sepse nuk kanë asgjë. E, meqë shumë prej tyre e kanë humbur punën, për shkak se fabrikat janë mbyllur nga lufta, numri i atyre që kanë nevojë për ndihmë rritet.

Si i kaluat Pashkët? Kë takuat dhe si është atmosfera në Zaporizhzhia, në veçanti, ndërmjet katolikëve?

Takova edhe bashkësinë greko-katolike, por pak, sepse Pashkët për ta do të jenë në maj. U kushtova më shumë çaste lutjesh katolikëve romakë e, kremtimet ishin vërtet shumë të gjalla. Për ta, Pashkët janë më të rëndësishme se në vendet ku ka paqe, sepse në kohë lufte, njeriu mund të bjerë në dëshpërim, pasi brutaliteti dhe vështirësitë janë të shumta. Ka edhe keqkuptime, për shkak të propagandës. Për mua personalisht Vigjilja e Pashkëve ishte shumë prekëse, pasi rituali fillon me dritat e fikura. Kjo errësirë të kujton vërtet luftën, vetëm një dritë mbetet e ndezur - qiriu i Pashkëve, Jezusi, që shkëlqen në errësirë. Për mua ky ishte çast prekës, sepse e bën të qartë se lufta është shpikur nga njerëz, që japin arsye të ndryshme për të sulmuar të tjerët, pa pyetur për Zotin. Por drita e Krishtit mbetet e ndezur mes nesh. Pra, është pikërisht Jezusi siguria jonë, themeli e shpresa jonë, sepse nuk kemi shpresa të tjera. Ai i jep kuptimin themelor jetës dhe kjo kuptohet shumë qartë në tokat e luftës si Ukraina.

Papa Françesku, në mesazhin Urbi et Orbi, bëri thirrje për një shkëmbim të përgjithshëm të të gjithë të burgosurve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës: të gjithë për të gjithë. Ju personalisht jeni marrë shumë me çështjen e shkëmbimit të të burgosurve. Sipas jush, ç’rëndësi ka kjo thirrje e Atit të Shenjtë?

Këtë thirrje të Atit të Shenjtë e dëgjuam me vëmendje të madhe dhe vërtet në bashkim shpirtëror, sepse prania ime në tokën e Zaporizhzhias do të thotë të isha afër shumë të burgosurve. Kur Papa bën thirrje për një shkëmbim total të gjithë të burgosurve, mendon për shumë jetë, disa mijëra njerëz që nuk patën mundësinë të kremtojnë Pashkët, përfshirë dy priftërinj greko-katolikë, që u arrestuan në Berdiansk, jo larg nga Zaporizhzhia. Françesku bëri një thirrje shumë humanitare, drejtuar besimtarëve dhe jobesimtarëve, iu lut Zotit t’ua hapë zemrat përgjegjësve politikë, që të realizojnë vërtet shkëmbimin e të burgosurve. Këtu do të shtoja edhe fjalët e Atit të Shenjtë në Udhën e Kryqit, të Premten e Madhe, kur nënvizonte se duke qenë në vende larg luftës, nganjëherë ka rrezik të mos derdhim lot bashkë me Jezusin e ta mendojmë luftën larg. Thirrja e Papës të dielën e Pashkëve është mënyrë për të qenë afër, për t’u interesuar realisht për ata që vuajnë më shumë, si të burgosurit, të plagosurit dhe ata, të cilët humbin jetën në këtë luftë të tmerrshme.

02 prill 2024, 12:14