Kërko

 Gesu' e Nicodemo, Vangelo della IV domenica di Quaresima 'B' Gesu' e Nicodemo, Vangelo della IV domenica di Quaresima 'B'

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës IV të Kreshmëve ‘B’

Ti je shpëtim, o Zot Jezu Krisht:/jeta jote është dhuratë dashurie, /gjestet e tua, burim shërimi, /fjalët e tua, gurrë mëshire. /Ti je shpëtim, o Bari i mirë: /kalove nëpër vdekjen që/secili prej nesh të gjejë jetën.Ti je shpëtim, i Kryqëzuar i Ngjallur: /në Ty u falëm e/në Ty u pajtuam me Hyjin. /Ti, o Bir i dashur i Atit, /na i hap dyert e dashurisë së Zotit, /sepse Ti je dashuria bërë histori...

R.SH. - Vatikan

E diela e katërt e Kreshmëve, quhet e diela “Laetare”, që fton për gëzim. E liturgjia Eukaristike nis pikërisht me këtë ftesë “Gëzoju, Jeruzalem!”. Po pse duhet të gëzohemi?. Përgjigjen na e jep Ungjilli i kësaj së Diele të IV të Kreshmëve, ciklit të dytë 'B', nga shën Gjoni (Gjn 3, 14-21). Në Ungjill flitet për një farë Nikodemi (Gjn 3,1-21), një burrë plak, me autoritet në Izrael, që shkon te Jezusi, për ta njohur; e Zoti i kujton nevojën “për të lindur nga lart” (krh v 3).  “Zoti e deshi aq shumë botën, sa  të jepte Birin e vetëm, të Njëlindurin, që kushdo beson në Të,  të mos humbasë, por të ketë jetën e pasosur”. E ky mesazh është thelbi i fesë së krishterë: kulmi i dashurisë së Zotit, që ia dhuroi të Birin Jezus njerëzimit të ligshtë e mëkatar, për të pasur jetën e pasosur. Po të ndjekim pjesën ungjillore, marrë nga Shën Gjoni Ungjilltar:

14 Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit: sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkreti, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, 15 që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur. 16 Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur. 17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. 18 Kush beson në të, nuk dënohet, ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit. 19 E gjykimi është ky: Drita erdhi në botë, por njerëzit më tepër deshën terrin se dritën, sepse veprat i kishin të këqija. 20 Vërtet, kushdo që bën të keqen, e urren dritën dhe nuk del në dritë që të mos i zbulohen veprat e tija, 21 kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën, ai del në dritë që të dalë ballafaqe se veprat e tij u bënë siç thotë Hyji.

Të lutemi së bashku:

Ti je shpëtim, o Zot Jezu Krisht:

jeta jote është dhuratë dashurie,

gjestet e tua, burim shërimi,

fjalët e tua, gurrë mëshire.

Ti je shpëtim, o Bari i mirë:

kalove nëpër vdekjen që

secili prej nesh të gjejë jetën.

Ti je shpëtim, i Kryqëzuar i ringjallur:

në Ty u falëm e

në Ty u pajtuam me Hyjin.

Ti, o Bir i dashur i Atit,

na i hap dyert e dashurisë së Zotit,

sepse Ti je dashuria bërë histori.

O Jezus, na e hap zemrën

duke i dhënë aftësinë

për të të dashur Ty

në çdo të afërm

me atë masë, me të cilën

na do secilin prej nesh

deri në dhurimin e jetës.

 

09 mars 2024, 10:35