Kërko

Il cardinale Pierbattista Pizzaballa Il cardinale Pierbattista Pizzaballa

Imzot Pizzaballa: “Armëpushim në Gaza, menjëherë!”

Me një thirrje të re, të ngutshme, të nisur nga mediat e Vatikanit, Patriarku Latin i Jeruzalemit kërkon paqe në Rripin e pushtuar nga katastrofa: “Njerëzve nuk u mbetet asgjë: ka mungesë ushqimi, uji, ilaçesh. Armëpushimi është i mundur, mjafton të dëshirohet”. Kisha lokale lutet dhe ndihmon gjithë popullsinë.

R.SH. / Vatikan

Armëpushimi në Gaza është gjithnjë e më i ngutshëm. Kardinali Pierbattista Pizzaballa e përsërit sërish. E ia beson medias së Vatikanit thirrjen e tij të re të ngarkuar me dhimbje. Thirrje e cila flet për një Rrip të shkelur nga vdekja dhe kaosi. “Përveç dhunës së tmerrshme të bombave, mbi njerëzit rëndon edhe kriza e jetës së zakonshme. Ka mungesë  ushqimi, ilaçesh, uji. Të krishterët tanë - kujton me dhimbje - gatuajnë një ose dy herë në javë dhe ajo që gatuajnë “duhet të jetë e mjaftueshme për shumë kohë”.

Tmerr prej vdekjeve nga uria

Pamjet e tmerrshme të atyre burrave, grave dhe fëmijëve që disa ditë më parë humbën jetën në përpjekje për të rrëmbyer disa mbetje të ndihmave humanitare, janë ende të gjalla para syve të Kardinalit. “Isha i tronditur - shprehet ai, me një psherëtimë që mbart gjithë dhimbjen e asaj toke të masakruar - e të kaosit në të cilin ndodhet i gjithë Rripi: nuk ka asnjë formë kontrolli të territorit dhe për të komplikuar jashtëzakonisht gjithçka, ia behë edhe ardhja gjithmonë shumë problematike e ndihmës humanitare”.

Kardinalit Pizzaballa nuk i duket e përshtatshme  hedhja e paketave ushqimore dhe gjërave të nevojshme me parashuta: "Na duhet - thekson ai - një zgjidhje më sistematike dhe e koordinuar, sepse një veprim i tillë  nuk bën tjetër, veçse ta shtojë konfuzionin". E ndoshta edhe turmat e të vdekurve.

Zgjidhje të qëndrueshme

 Patriarku i Jeruzalemit - i njëmendjeje me të gjithë Patriarkët dhe krerët e Kishave të Qytetit të Shenjtë, të cilët nënshkruan një tjetër thirrje për paqe më 1 marsin e kaluar - beson se armëpushimi në Gaza nuk është kimerë, ëndërr e paarritshme. “Thjesht duhet ta duash – thotë - elementët për ta zbatuar janë aty. Vullneti për të arritur kompromise është i nevojshëm nga të dyja palët. Besoj se ka ardhur koha për të filluar rrugë të ndryshme”. Megjithatë, edhe nëse mbeten shumë pasiguri torturuese, për Kardinalin një gjë nuk mund të vihet në dyshim: “Pas kësaj krize, një nga më seriozet e 70 viteve të fundit, as izraelitët dhe as palestinezët nuk do të jenë më të gatshëm për zgjidhje të përkohshme. Këto ngjarje do t'i detyrojnë të gjithë të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme”. Dy popuj, dy shtete? "Nuk e di. Teknikisht më duket e vështirë - vëren - edhe nëse do të ishte mënyra e vetme e mundshme. Është e qartë se çdo rrugë që zgjedhim, duhet të garantojë stabilitet dhe liri për të dy popujt”.

Kisha e përfshirë

Nga rrëfimi i Patriarkut të Jeruzalemit vërejmë rolin e kishës vendase që “lutet, ka besim, kujdeset jo vetëm për nevojat e veta, por edhe të popullatave fqinje”. E, kuptohet vetvetiu se si, me shumë kujdes, përpiqet të jetë "e pranishme në kanalet e komunikimit me rolin e lehtësuesit ndërmjet palëve të përfshira në ndeshje".

04 mars 2024, 18:07