Kërko

Monsignor. Mariano Crociata, vescovo di Latina e presidente della Comece Monsignor. Mariano Crociata, vescovo di Latina e presidente della Comece

Imzot Crociata: zgjedhjet në BE, të nxiten vlerat e krishtera dhe projekti evropian

Komisioni i Konferencave Ipeshkvore të Evropës, në mbledhjen e përbashkët të ipeshkvijve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, rithekson rëndësinë e mbështetjes së vlerave të komunitetit në qendrat e votimit në qershor, për të përballuar më mirë sfidat e paqes dhe të migracionit, promovimin e solidaritetit, mbrojtjes së jetës, familjes dhe mjedisit: votimi për partitë anti-evropiane dhe populiste nuk është në përkim me ndërgjegjen e besimtarit, të thirrur për të kërkuar të mirën e përbashkët

R.SH. / Vatikan

“Bëni zgjedhjen më të mirë të mundshme”, duke zgjedhur “politikanë të guximshëm, të aftë, të motivuar nga vlerat, që ndjekin vërtetë të mirën e përbashkët”. Kjo, ftesa që Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece) u drejton qytetarëve të Bashkimit Evropian, besimtarë e jo, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Evropian, planifikuar për qershorin e ardhshëm.

“Projekti europian i Evropës së bashkuar, në diversitet, të fortë, demokratike, të lirë, paqësore, të begatë dhe të drejtë është një projekt që ne bashkëndajmë dhe për të cilin ndihemi përgjegjës”- shkruajnë ipeshkvijtë evropianë në një deklaratë që u bë e njohur dje, duke nënvizuar rëndësinë e votimit për njerëzit dhe partitë që mbështesin qartë BE-në dhe që, në mënyrë të arsyeshme, "do të dëshirojnë të promovojnë vlerat tona dhe idenë tonë për Evropën, si respekti dhe mbrojtja e dinjitetit të çdo personi njerëzor, solidariteti, barazia, familja dhe shenjtëria e jetës, demokracia, liria, ndihma, mbrojtja e ‘shtëpisë sonë të përbashkët’”.

Sfidat e reja të Evropës

“Shumë nga baballarët themelues të Bashkimit Evropian ishin katolikë praktikues. Besonin fuqimisht në dinjitetin e çdo qenieje njerëzore dhe vlerën e bashkësisë. Besojmë se për ne, evropianët, ky projekt i cili filloi më shumë se 70 vjet më parë, duhet të mbështetet dhe të çohet përpara, veçanërisht në këto “kohë të vështira dhe të pasigurta, me krizat e vazhdueshme të viteve të fundit dhe sfidat reale për t'u përballur në të ardhmen e afërt, si luftërat në Evropë dhe vendet fqinje, migrimi ndryshimet klimatike, dixhitalizimi në rritje, përdorimi i inteligjencës artificiale, roli i ri i Evropës në botë, zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe modifikimi i traktateve”.

Angazhimi i krishterë për të mirën e përbashkët

Për këtë arsye, "si të krishterë, duhet të përpiqemi të dallojmë mirë se për kë dhe për cilën parti duhet të votojmë në një çast kaq të rëndësishëm për të ardhmen e Bashkimit Evropian", ndonëse e dimë "që nuk është i përsosur dhe që shumë prej propozimeve të tij politike dhe legjislative nuk janë në përputhje me vlerat e krishtera dhe me shpresat e shumë qytetarëve të saj”, por duke besuar se “ata janë të thirrur të kontribuojnë në të dhe ta përmirësojnë me mjetet që ofron demokracia”. Në këtë kuptim, "Konferencat Ipeshkvnore të Shteteve Anëtare mund të ofrojnë udhëzime të dobishme", veçanërisht duke iu drejtuar të rinjve "të cilët do të votojnë për herë të parë". Imzot Mariano Crociata, ipeshkëv i Latinës dhe president i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece), ripohon për mediat e Vatikanit angazhimin e përfshirjes së Kishës në projektin evropian, "i cili është e ardhmja jonë" dhe të votimit me përgjegjësi.

Shkëlqesi, pse është i rëndësishëm votimi në zgjedhjet e ardhshme?

Është i rëndësishëm për Evropën ky votim, sepse edhe këtë herë, si herët e tjera në të kaluarën, Evropa gjendet në një fazë shumë delikate tranzicioni, i cili gjithmonë vë në pikëpyetje identitetin, natyrën dhe detyrën e Bashkimit Evropian, jo vetëm për shtetet anëtare, por edhe për botën, e edhe për një horizont më të gjerë gjeopolitik. Duhet kuptuar e duhet t’i bëjmë edhe të tjerët të kuptojnë se pa një Evropë të bashkuar asnjë vend nuk do të jetë në gjendje të zhvillohet ashtu si duhet dhe, mbi të gjitha, në asnjë mënyrë vendet evropiane nuk do të mund të kryejnë misionin e tyre, gjë të cilën e kujtoi edhe Papa në fjalimi e mbajtur në Lisbonë. Eshtë fjala për të sjellë pasurinë kulturore, shkencore dhe teknike që ajo përfaqëson dhe zotëron për të gjithë ata që mund të përfitojnë prej saj. Pa Evropën do të kishte varfërim të përgjithshëm, si brenda ashtu edhe jashtë”.

Një Evropë që duhet të përballojë sfida, disa historike dhe të tjera të lidhura me bashkëkohoren. Mjafton të mendojmë për të gjithë pjesën që lidhet me teknologjitë e reja, por edhe me kontekstin gjeopolitik, siç e thatë edhe ju...

Sfidat kanë vërtet peshë të madhe. Pak muaj më parë, Komisioni vuri në lëvizje një nismë që paralajmëronte fillimin e inteligjencës artificiale, sfidë kjo, e horizont vërtet delikat. Dy temat e tjera shumë të rëndësishme, vetëm për të përmendur kryesoret, janë migrimi, në radhë të parë dhe, më pas, ndryshimet klimatike. Kishte një marrëveshje për migracionin në dhjetor dhe një përcaktim të ri të rregullave. Mirëpo, kjo, për të cilën shumë protagonistë të Bashkimit Evropian mburren me të drejtë, duke e parë si qëllim dhe rezultat, nuk e zgjidh siç duhet çështjen e emigrantëve, sepse t'ua hedhin atyre që janë në front, qoftë në tokë, qoftë në detin Mesdhe dhe të mendosh për zhvendosjen ose kthimin e njerëzve në vendet e origjinës sigurisht nuk është perspektivë që u jep zgjidhje të përshtatshme migrimeve.

Pra, edhe kjo është sfidë që duhet parë më mirë, me dramat e saj që, për fat të keq, vazhdojnë të luhen edhe sot e kësaj dite. Ne e kuptojmë se çështja është vërtet e ndërlikuar, por duhet bërë shumë më tepër, në dobi edhe të vetë vendeve evropiane. Çështja e ndryshimit ekologjik në vetvete ndiqet me vëmendje dhe një sërë ndërhyrjesh vërtet të rëndësishme, por këtu lind problemi i ekuilibrit ndërmjet masave të nevojshme për të frenuar efektet e degradimit ambiental e ndryshimeve klimatike dhe nevojave të punës së shumë njerëzve, të cilët rrezikojnë, me ndërhyrje që tentojnë të bllokojnë përshpejtimin e ndryshimeve klimatike, duke qenë në vështirësi të mëdha pikërisht për shkak të reduktimit të punës etj. Duhet gjetur një ekuilibër. Pra, për të dhënë disa shembuj, janë tri sfida, kryesore, që tregojnë se si Evropa duhet të punojë ende shumë. Kjo tregon se pa një Evropë gjithnjë e më të bashkuar, më të zhvilluar, me objektiva më të përbashkëta, do të jetë e vështirë t’i përballosh këto sfida dhe të ecësh përpara në vendet e veçanta dhe në Evropë në tërësi.

Sfida tjetër është ajo e mbrojtjes së paqes, me luftën që arrin kufijtë e BE-së...

Kjo duhet ta bëjë edhe më ndjeshme rritjen e mëtejshme të Evropës. Europa është e nevojshme. Për dy arsye: për atë që mund të bënte dhe për atë që nuk mund të bëjë. Për atë që nuk mund ta bëjë Bashkimi Evropian, sepse është ende shumë i ndarë, nuk është mjaft kompakt, mjaft i bashkuar. E kjo, pavarësisht nga potencialiteti i jashtëzakonshëm, e dobëson në shprehjen, përfaqësimin dhe sigurimin e pozitës së tij. Ajo që mund të bënte Evropa, është pikërisht të bëhej protagoniste e kërkimit të armëpushimit dhe dialogut. Gjëra shumë të largëta, shumë të vështira për t'u thënë në një kontekst kaq konfliktual si ky i sotmi. Nëse Evropa do ta kishte këtë forcë - prandaj zgjedhjet janë të rëndësishme - besoj se mund të jepte një kontribut të jashtëzakonshëm dhe jo t'ia linte vendimet protagonizmit të fuqive të tjera, të cilat ndonjëherë, pikërisht sepse janë pothuajse të bllokuara me njëra-tjetrën, nuk mund t’i marrin. Evropa ka vërtet potencial të madh edhe në lidhje me Lindjen e Mesme.

Unë besoj se ne duhet të gjejmë mënyrën për të forcuar disa tregues që politika ndërkombëtare - në terma mjaft unanime të paktën në botën perëndimore - po përpiqet t'ia përcjellë Izraelit, sepse, pavarësisht aktit tragjik terrorist që ka pësuar, është në një stuatë që mund të vijojë të shkaktojë vuajtje, shkatërrime të mëdha, të pamasë, që na trondisin e na bëjnë ta ndjemë fuqimisht edhe tronditjen e palestinezëve. Evropa mund të bëjë shumë në këtë drejtim dhe zgjedhjet mund të jenë një sinjal, sidomos po të jenë me një pjesëmarrje më të madhe. Më pas, shpresojmë në rezultatet, mbasi shohim qartë një shumicë që lëviz drej ardhmërisë së Evropës. Kjo do të jepte një rezultat të madh, një kontribut të madh edhe nga ky këndvështrim.

Në notë, Comece u drejtohet Konferencave Ipeshkvnore për një lloj treguesi në votim dhe rithekson rëndësinë e votimit për njerëzit dhe partitë që promovojnë projektin evropian. Mbi të gjitha, cilat janë rreziqet e zgjedhjes së njerëzve dhe forcave politike që nuk e mbështesin projektin europian? Cila është situata?

Situata, siç theksojnë shumë vëzhgues, është ajo, që ngjall frikën e një rritjeje, në mënyrë paradoksale, të forcave politike anti-evropiane, gjë që është vërtet e çuditshme, sepse Evropa po përdoret për t’iu kundërvënë Evropës. Është një kontradiktë, që fatkeqësisht e  ka politika  e sotme. Por kjo perspektivë, kjo mundësi, nuk duhet të ekzagjerohet, sipas mendimit të të tjerëve. Në kuptimin se ekziston edhe dëshira për stabilitet dhe vazhdimësi, që ka edhe ajo peshën e saj. Prandaj, përtej parashikimeve, ne jemi të ftuar të vëzhgojmë objektivisht dhe me një vështrim konstruktiv dhe proaktiv, skenarin e ofertës së partive dhe kandidatëve, duke pasur për zemër çka ndihmon një Evropë në rritje e që zhvillon e çon përpara vlerat. që i përkasin të gjithëve dhe që ne, si besimtarë, si katolikë, e ndiejmë në mënyrë të veçantë, duke filluar para së gjithash nga njeriu dhe bashkësia, por edhe nga të gjitha vlerat që, p.sh., janë të pranishme edhe në traktatet apo në Deklaratën për të drejtat e njeriut të vetë Bashkimit Evropian.

Pra, bëhet fjalë për të gjetur në këto vlera kriteret e zgjedhjeve të menduara, të cilat më pas i shërbejnë zhvillimit dhe së mirës së përbashkët të të gjithëve. Votimi për njerëz ose grupe që, siç e quajnë veten, janë anti-evropianë apo edhe populistë, në kuptimin që i kundërvihen rrënjësisht rrugës që po ndjek Europa, besoj se nuk është në përputhje me ndërgjegjen, qoftë edhe të një besimtari, sepse besimtari bëhet barrë dhe merr përgjegjësi për të kontribuar, me votën që ka një rëndësi të madhe në rritjen e bashkësisë në tërësi, në këtë rast, të Bashkimit Evropian.

Në këtë drejtim, cili është roli i të krishterëve, i besimtarëve kur disa politika dhe nisma të Bashkimit Evropian nuk janë në përkim me ato që ne mund të përkufizojmë vlera të krishtera?

Rasti më klasik është propozimi për përfshirjen e të drejtës së abortit në traktate. Të krishterët – edhe, por jo vetëm - u dëgjuan e propozimi nuk kaloi, edhe pse ne vërejtëm me hidhërim të madh se në Francë Parlamenti francez e ndjeu të nevojshme dhe në gjendje ta përfshinte këtë të drejtë në Kushtetutën franceze, ndonëse në këtë drejtim ipeshkvijtë francezë qenë shembullorë, ndaj kanë gjithë afërsinë dhe solidaritetin tonë. Por duhet thënë edhe se ka situata e qëndrime të marra, si për këtë, ashtu edhe për çështje të tjera si migrantët - seria është e gjatë nëse duam - në të cilat opinioni ynë nuk përfillet, distancohet, përpiqet të korrigjohet. Në çdo rast,   duhet të jemi të pranishëm me kokën lart, me vetëdijen se  feja jonë vlen shumë për  njerëzit në Evropë.  

Ftesa për të votuar dhe, si rrjedhojë, ftesa për të dëgjuar kërkesat tuaja dhe për të promovuar vlerat e krishtera, vlen mbi të gjitha për të rinjtë, e të rinjtë e krishterë në veçanti...

Ne kemi një rrjet të rinjsh evropianë që bashkëpunojnë me Comece dhe që tani kanë përgatitur një "Catholic toolkit ", mjet i përshtatshëm për gjuhën rinore, të cilin do ta përhapim në të gjitha gjuhët evropiane, në mënyrë që të rinjtë të aktivizohen nga të rinjtë e tjerë. Dhe kjo është me të vërtetë e rëndësishme sepse breznitë e reja tani po ballafaqohen me një  përmasë   evropiane. Kjo na krijon mundësinë të themi se të rinjtë janë shpesh më të gatshëm dhe më të vëmendshëm për ta kuptuar Bashkimin Evropian, përgjegjësinë e tij dhe atë që përfaqëson për të ardhmen. Ajo që ka qenë dhe është ende përvoja e Erasmus dhe të gjitha llojet e shkëmbimeve dhe takimeve - të cilat janë të shumta në nivel universitar, por edhe në nivel të shkollës së mesme është sinjali, që flet vetë për rritjen, ndërgjegjësimin dhe ndjeshmërinë e botës rinore. E kjo tregon se thirrja drejtuar ndërgjegjes qytetare të të gjithë qytetarëve evropianë duhet të bëhet në të gjitha mënyrat. Ju përmendët ftesën për Konferencat ipeshkvnore kombëtare, por të gjithë jemi të thirrur të ngremë zërin, të shprehim mendimin tonë për të mirën e Evropës, për të mirën e të gjithë popujve të Evropës dhe të brezave të rinj. Është fakt i qytetërimit elementar, i ndjenjës qytetare dhe i përkushtimit për ne - me një ndërgjegje, që ndjen përgjegjësinë, për shkak të fesë sonë dhe të asaj që përfaqësojmë – e jo si  pjesë që dëshiron të mbrojë veten, por si pjesë që ndjen se i përfaqëson të gjithë dhe interpreton në mënyrën më të plotë aspiratat më të vërteta të këtij Bashkimi Evropian dhe të popujve që e banojnë.

14 mars 2024, 09:29