Kërko

Palestinezët kërkojnë gjëra të nevojshme mes rrënojash Palestinezët kërkojnë gjëra të nevojshme mes rrënojash

Gazë: “Këto janë Pashkë të veçanta, jemi afër më shumë se kurrë me Shëlbuesin e kryqëzuar”

Bashkësia e krishterë e Gazës po i bën ballë një periudhe tejet të vështirë, që nga fillimi i luftës izraelito-palestineze. Dëshmia e motër Nabilës nga famullia e Familjes Shenjte dhe e një bamirësi anonim, partner i projektit të Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”

R.SH. – Vatikan

Linjat telefonike dhe lidhjet në internet të Rripit të Gazës ndërpriten vazhdimisht, që kur ka filluar lufta izrealito-palestineze. Vështirë të kuptohet ç’thotë motër Nabila në telefon nga famullia katolike e Familjes Shenjte. Vetëm mesazhi i saj i shkruar arrin në destinacion: “Jemi mirë”. Por, kuptimi i vërtetë i tij është "jemi gjallë", sepse situata është vërtet shqetësuese: "Nuk na mjafton, na mungon gjithçka". Por shpresa dhe mirënjohja nuk mungojnë kurrë: "Ajo pak që kemi është falë hirit të Zotit. Njerëzit jashtë po vuajnë edhe më shumë se ne, sepse nuk kanë as çfarë kemi ne”.

Furnizimet me ushqime janë shumë, shumë të kufizuara

Bashkësia e krishterë në Gaza po kalon periudhën më të keqe që nga shpërthimi i luftës, siç njoftojnë media të ndryshme e, edhe Fondacioni “Ndihmë për Kishën që vuan”, që citon murgeshën. Një partner i projektit të tij në Gazë, me linjë telefonike më të qëndrueshme, bamirës anonim nga frika e hakmarrjes, deklaron: "Njerëzit vuajnë vazhdimisht. Sa herë që të dyja palët flasin për armëpushim, intensiteti i operacioneve ushtarake shtohet”. Gjatë dy javëve të fundit në lagjen Al Zeyton, ku ndodhet famullia e Familjes Shenjte, ka pasur përleshje ushtarake. Sipas raporteve të Fondacionit, kompleksi i famullisë, aktualisht, strehon 128 familje - gjithsej 512 të krishterë - katolikë dhe ortodoksë, përfshirë 120 fëmijë nën 18 vjeç, 60 prej të cilëve me aftësi të kufizuara, si edhe 84 persona mbi 65 vjeç.

Furnizimet me ushqime janë shumë, shumë të kufizuara dhe nuk është punë fondesh, por mungese ushqimi, të cilin është e vështirë ta gjesh, edhe kur i ke paratë për ta blerë.

Sigurimi i ujit të pastër është një nga sfidat më serioze

Me ndihmën e Fondacionit kishtar dhe organizatave të tjera, Patriarkati Latin i Jerusalemit është në gjendje të sigurojë dy vakte në javë për person dhe një copë bukë çdo dy ditë. Por në ditët e tjera, bashkësia duhet të mbijetojë me furnizimet e veta, ose të gjejë ushqim me mënyra të ndryshme. "Njerëzit ecin me orë për të marrë një kuti të vogël me ushqime, e cila, në fund të fundit, nuk mjafton as për tre vetë. Në këtë dietë të detyruar, bashkëndarja po bëhet pjesë e jetës së përditshme dhe e identitetit të tyre të ri të krishterë", pohon burimi anonim.

Sigurimi i ujit të pastër është një nga sfidat më serioze për momentin. “Përdorim ujë të ndotur për banjot dhe njësitë sanitare, ndërsa për përdorim të përditshëm, uji pastrohet me metoda tradicionale. Një problem tjetër serioz është higjiena. Si pasojë e mungesave të shumta, shumë njerëz janë dobësuar. Fëmijët vuajnë nga viruse, që shkaktojnë diarre dhe katër nga të moshuarit përballen me sëmundje të rënda, që kërkojnë shtrimin e menjëhershëm në spital. E kjo, tani për tani, është e pamundur".

Fëmijët janë më afër fesë se kurrë më parë

Megjithatë, bashkësia e vogël mbahet në këmbë nga besimi në Zotin, thekson partneri i projektit. Krahas kremtimit të meshës së përditshme, katekizmit dhe Rruzares, famullia organizon veprimtari për fëmijë dhe takime për shërimin e traumave përmes lutjes. Në to përfshihen edhe punonjësit e qendrës katolike Toma i Akuinit, që u zhvendos në kompleksin e famullisë pasi ndërtesa e saj u bombardua.

Meshtari dhe murgeshat, si motra Nabila, që kujdesen për njerëzit, po bëjnë punë heroike. "Janë të gjithë të rraskapitur, askush nuk mund ta kuptojë vërtet ç’po u ndodh. Me hirin e Tënzot, fëmijët janë më afër fesë se kurrë më parë. Janë Pashkë shumë të veçanta, jemi më afër se kurrë me Shëlbuesin e kryqëzuar”, përfundon partneri anonim i projektit të Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”.

E, motër Nabila e të gjithë meshtarët e murgeshat e Rripit të Gazës nuk reshtin s’u kërkuari të gjithëve: "Lutuni për ne, lutuni për gjithë popullsinë, që kjo luftë të përfundojë".

11 mars 2024, 16:08