Kërko

Libani Libani

Alarmi i ipeshkvijve maronitë: shkallëzimi i luftës ndikon mbi Libanin

Deklaratë me nëntë pika e Kishës maronite, mbledhur më 3 janar për takimin mujor, në selinë patriarkale të Bkerké, nën kryesinë e patriarkut, kardinalit Raï. Ipeshkvijtë flasin për vdekje, plagosje dhe shkatërrime në territor dhe kërkojnë "të merren masa serioze, edhe diplomatike e politike, të nevojshme për ta çliruar Libanin" nga një "barrë", që rëndon mbi demografinë, ekonominë, ekuilibrin e tij

R.SH. – Vatikan

Shkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme ka prekur edhe Libanin, duke vënë në pah rreziqet e një situate, që është kthyer në një lloj "bombe me sahat", nga prania në territorin libanez e më se një milion refugjatëve sirianë. Alarmin e japin ipeshkvijtë e Kishës maronite, të cilët u mblodhën të mërkurën, më 3 janar, në takimin e tyre mujor në selinë patriarkale të Bkerké, nën kryesinë e Patriarkut maronit, kardinalit Béchara Boutros Raï.

Viktima, plagosje, shkatërrime

Shkallëzimi, nënvizojnë ipeshkvijtë në një deklaratë të gjatë prej nëntë pikash, pas takimit, ka shkaktuar, sidomos në Libanin jugor, "viktima dhe plagosje ndër banorët e rajonit, si edhe shkatërrime masive në disa vende, për të mos përmendur përdorimin e bombave të fosforit, që dogjën hapësira të tëra me gjelbërim". Lufta, vijon deklarata e ipeshkvijve maronitë, "arriti të martën në periferinë jugore të Bejrutit”. Ata i referohen raketës, që vrau edhe drejtuesin e Hamasit, Saleh el-Arouri, në një sulm, që tronditi lagjen-bastion të partisë shiite libaneze Hezbollah.

Një "armëpushim" përfundimtar

Në pikën e parë të deklaratës, ipeshkvijtë maronitë u kërkojnë deputetëve të kombit "të përmbushin detyrimin kushtetues" për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, "duke e shpëtuar vendin nga destabiliteti". Lidhur me luftën në Tokën Shenjte, prelatët maronitë shprehin keqardhjen e tyre të thellë "për vrasjet, shkatërrimet dhe dhunën" kundër civilëve në Rripin e Gazës dhe në Cisjordani, kryer “nga ushtria dhe nga kolonët izraelitë". Ata kërkojnë "një armëpushim përfundimtar”, i cili të hedhë bazat për fillimin e negociatave mbi bazën e së ashtuquajturës “zgjidhje me dy shtete”.

Alarmi për refugjatët sirianë

Ipeshkvijtë u kërkojnë "miqve të Libanit në botë, të kontribuojnë në zbatimin e rezolutës 1701 (2006) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila parashikon të vetmen mënyrë për t'i dhënë fund agresionit të Izraelit dhe për të përcaktuar një kuadër të qartë dhe të frytshëm për paqen në Libanin Jugor".

Në një pjesë tjetër të deklaratës së tyre, botuar nga agjencia katolike e lajmeve Fides, prelatët maronitë japin alarmin për problemet, që lidhen me praninë e madhe të refugjatëve sirianë në territorin libanez. "Kontrollet e forcave ushtarake dhe të atyre të sigurisë – vënë në dukje ata - kanë treguar se njerëzit e zhvendosur kanë municione dhe armë të sofistikuara. Është bombë me sahat, kërcënim real për libanezët". Për këtë arsye, bëjnë thirrje ipeshkvijtë, autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare duhet "të marrin masa serioze, edhe diplomatike e politike, të nevojshme për ta çliruar Libanin nga kjo barrë, që rëndon mbi demografinë, ekonominë dhe ekuilibrin e tij".

05 janar 2024, 16:51