Kërko

Le rovine di un bombardamento russo dell'11 dicembre scorso su Kyiv (AFP or licensor) Le rovine di un bombardamento russo dell'11 dicembre scorso su Kyiv (AFP or licensor)

Ukrainë, Kisha përkrah refugjatëve për t'i mirëpritur dhe për t’i mbrojtur

Popullsia po përgatitet të kalojë dimrin e dytë në mes të luftës. Kërcënimit të ndërprerjeve të dritës dhe mungesës së ngrohjes, për personat e zhvendosur, i shtohet edhe mungesa e perspektivës së rikthimit në shtëpi. Kështu u duhet ta rishpikin jetën e tyre, me ndihmën e kishës greko-katolike, si në rajonin e Lviv, në perëndim të vendit.

R.SH. / Vatikan

Vjeshta e vesh dalë-nga-dalë me fletë të verdha manastirin bazilian të Briukhovychi, rreth dhjetë kilometra në veri-perëndim të qendrës së Lviv. Rreth kishës, ndërtuar në vitin 2019, ndërtesat e manastirit dhe të seminarit të urdhrit monastik katolik grek janë të qeta, pas disa javë trazirash në fillim të luftës. Në këto ndërtesa të mëdha, me fasada të bardha, të cilat lartohen buzë pyllit, murgjit mirëpritën deri në 140 persona të zhvendosur në të njëjtën kohë. Sot kanë mbetur vetëm rreth gjashtëdhjetë. Të tjerët u larguan jashtë vendit ose arritën të gjenin strehim tjetër, në zonën përreth e në Lviv.

Andryi mbeti. Me origjinë nga Donetsk, në lindje, ky punëtor i aftë, me fytyrë të rrumbullakët dhe mjekër të parruar prej tri ditësh, u detyrua të largohet nga rajoni i tij që nga fillimi i revolucionit të vitit 2014. Pas pushtimit rus, në shkurt 2022, u arratis rishtas për të mbërritur, këtë herë me gruan e tij Tatianën, në perëndim, ku gjeti të bijën, strehuar te një mik pasi u detyrua të ikte nga Kharkiv, ndërsa tani ka shkuar në Irlandë. Për Andryin, dhimbja e arratisjes është ende e madhe, por të paktën, pasi ka gjetur punë në hekurudhë, ka një çati mbi kokë dhe mund të mbështetet në solidaritetin e banorëve të rajonit.

"Ata na trajtojnë mirë," rrëfen ai me turp. “Pashë që njerëzit këtu janë më bujarë dhe mund të jap shumë shembuj. Edhe para luftës, kur erdhëm në male (në jugperëndim të vendit) pamë se njerëzit këtu ishin të ndryshëm, se atmosfera nuk kishte asnjë lidhje me atë të lindjes". Megjithatë, ai pranon se jeta nuk është aspak e thjeshtë: “Do të doja që vajza ime të ishte bashkë me ne, që të gjithë të shkonim të jetonim në jug të Ukrainës, ku ka më shumë diell e është më ngrohtë”.

Takimi i dy botëve

Disa dhjetëra kilometra në jug-perëndim të Lvivit, ndodhet Laura di Univ, një manastir i urdhërit studit, vend i njohur përshpirtërie në Ukrainë për disa shekuj. Ndërtesat historike srehojnë një bashkësi murgjish, që jetojnë me ritmin e funksioneve dhe, normalisht, mirëpresin shtegtarët e shumtë. Në javët e para të luftës, në kaos total, qindra njerëz, duke ikur nga avancimi i trupave ruse, u dyndën në këtë parajsë paqeje.

Treqind njerëz gjetën strehim atje, të gjithë në të njëjtën kohë, një numër që më pas u zvogëlua gradualisht, derisa verën e kaluar arriti në tridhjetë vetë. Bashkësia studite tani pret vetëm një familje me origjinë nga Vouhledar, qytet në rajonin e Donetskut, shtëpia e të cilës u shkatërrua. Djali është invalid dhe i shtrirë në shtrat, prindërit nuk kanë mundësi të gjejnë një shtëpi të re, duke mos punuar veçse për të ndihmuar manastirin.

Manastir me dyer hapur

Për murgjit hapja e dyerve ishte vendim i natyrshëm përballë dramës së bashkatdhetarëve të tmerruar nga lufta. E natyrshme, por jo e lehtë, veçanërisht në dimrin e kaluar, gjatë të cilit pati ndërprerje të shumta të energjisë elektrike dhe ngrohjes për shkak të bombardimeve ruse të infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Nëse ata ishin në gjendje të përballonin shpenzimet shtesë, kjo ishte falë solidaritetit të Œuvre d'Orient, një vepër bamirësie franceze, që i mbështeti të krishterët e Lindjes që nga viti 1856 dhe katolikët grekë të Ukrainës, që nga viti 1924.

At Jonas Maxim, sllovak, në krye të Laura të Univ-it deri në fund të vitit 2023, pranon se kjo përvojë i shndërroi atë dhe vëllezërit e tij. "Horizontet tona u zgjeruan, vërtetë u zgjeruan, sepse këtu, me gjithë këta njerëz që kanë ardhur, ne u takuam edhe me ukrainasit nga Lindja" - shpjegon ai - “Zbuluam mendësinë e tyre, zakonet e tyre, si janë, si mendojnë dhe me kalimin e kohës u bë diçka interesante, në një farë mënyre ishin dy botë të ndara, që u bashkuan.

Lufta është gjithmonë e pranishme në mendje

Shumica e njerëzve të zhvendosur kanë ardhur nga Ukraina lindore, janë ortodoksë dhe pak prej tyre, praktikues. Besimi dhe dialogu u vendos gradualisht ndërmjet bashkësisë të Studitëve dhe “të mikpriturve” të tyre. U festuan pesë dasma, gjashtë pagëzime, përfshirë atë të vajzës së një gruaje myslimane me origjinë nga Dagestani, e martuar me një ukrainas ortodoks. Ky i fundit nuk kishte shkuar më parë në kishë, por nuk ngurroi të sillte Marien e tij të vogël në gurrën e pagëzimit të këtij manastiri greko-katolik.

Ritmi i jetës së bashkësisë nuk u prish shumë nga prania e të shpërngulurve, të cilët integroheshin shpejt dhe merrnin pjesë në punët e përbashkëta. Në fund, prania e fëmijëve ishte ndryshimi më domethënës,  pranon me buzëqeshje Atë Jonas. Ajo që e goditi më shumë ishte se këta të zhvendosur "kishin një përvojë të vërtetë të luftës". Një ditë, ndërsa fëmijët po luanin në barin përballë manastirit, kaloi një avion luftarak ukrainas. Sapo e dëgjuan të afrohej, papritmas u ndalën, duke i lëshuar lodrat në tokë, sepse nuk dinin çfarë të bënin. Nënat u larguan menjëherë nga lagjet. Të gjithë prisnin të shihnin se çfarë do të ndodhte. Në atë çast u kuptua se ata kishin përvojë reale të luftës dhe bombardimeve”.

Solidaritet ndërmjet të zhvendosurve

Urgjenca e mirëseardhjes së njerëzve të zhvendosur ka kaluar. Shumica e tyre janë larguar nga Ukraina për të shkuar jashtë vendit ose kanë gjetur strehim. Në manastire apo qendra të përkohshme kanë mbetur vetëm njerëzit më të varfër apo të izoluar dhe të pambështetur. Përparësi ishte gjetja e një pune në mënyrë që të mos vareshim nga ndihma e kufizuar publike ose bamirësia.

Ihor, një mjek ekografist, u punësua shpejt nga Spitali Katolik Cheptitsky në Lviv. Vjen nga Mariupol dhe arriti të arratisej nga qyteti i cili, në mars të vitit 2022, mbeti i rrethuar nga ushtria ruse për javë të tëra. Kur takon ndonjë ukrainas me origjinë nga Lindja, si ai, nuk i kërkon pagesë për vizitën. "Takoj shumë njerëz që vijnë jo vetëm nga Mariupoli, por edhe nga e gjithë Lindja - shpjegon - vijnë këtu, në spitalin Cheptitsky çdo ditë. Për mua është shumë e rëndësishme t'i ndihmoj sepse jemi në të njëjtën situatë. Ata kanë  të njëjtat probleme, që kam edhe unë e dhe familja ime”. Është mënyra e tij për të marrë pjesë në përpjekjet kolektive dhe për të mbështetur bashkatdhetarët e tij të shkulur nga lufta. Nëse çdo histori e njerëzve të zhvendosur është unike, dëshira e tyre është praktikisht identike: të kthehen në shtëpi kur ushtria ruse të largohet nga vendi i tyre.

16 dhjetor 2023, 13:58