Kërko

Papa Francesco con i giovani di Scholas a Lisbona  (ANSA) Papa Francesco con i giovani di Scholas a Lisbona (ANSA)

Scholas Occurrentes merr çmimin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Lëvizja arsimore ‘Scholas Occurrentes’ e krijuar nga Papa Françesku merr çmimin "Juan Antonio Carrillo Salcedo" nga Universiteti i Seviljes, Spanjë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Që nga krijimi i saj, ‘Scholas Occurrentes’ ka ndërmarr iniciativa në mbarë botën për të luftuar abuzimin, bullizmin, bullizmin kibernetik, korrupsionin dhe shfrytëzimin. Presidenti Del Corral thotë se: "Scholas mbron faktin se të kesh një jetë kuptimplote është një e drejtë njerëzore që nuk mund të shkelet"

R.SH. / Vatikan

Scholas Occurrentes, organizata e krijuar nga Papa Françesku, ka marrë çmimin "Juan Antonio Carrillo Salcedo" nga Universiteti i Seviljes për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Çmimi, i cili ndahet çdo dy vjet, vlerëson njerëz ose institucione që janë dalluar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, qoftë në fushën politike, sociale apo arsimore. Deri më sot, çmimin "Juan Antonio Carrillo Salcedo" e kanë marrë mbretëresha Sofia e Spanjës, Federico Mayor Zaragoza, Marcelino Oreja dhe Adela Cortina. Juria e Universitetit të Seviljes, një prej institucioneve akademike më të vjetra të Spanjës, zgjodhi për t’i dhënë këtë çmim të njohur Scholas Occurrentes, e cila këtë vit feston edhe dhjetëvjetorin e themelimit. Puna e kësaj organizate në mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të rinjve në mbarë botën dhe praktikat e saj konkrete dhe novatore, që çdo fëmijë dhe i ri të ketë një jetë kuptimplotë, nuk ka kaluar pa u vënë re.

Del Corral: i angazhuar në shumë sfida

Presidenti botëror i Scholas Occurrentes, José María del Corral duke komentuar marrjen e këtij çmimi theksoi se: "Scholas mbron faktin se të kesh një jetë kuptimplote është një e drejtë njerëzore e të gjithëve që nuk mund të shkelet dhe për ta arritur këtë ne punojmë në disa fusha dhe çështje.

Ne përballemi me sfida si parandalimi i vetëvrasjeve në shumë vise të ndryshme të botës, trajtojmë shëndetin mendor të të rinjve dhe adoleshentëve në më shumë se 30 shtete, shkaktuar posaçërisht gjatë pandemisë, dhe luftojmë çështje siç janë bandat kriminale në Panama, Camorra në Napoli dhe abuzimi me fëmijët në Portugali, Meksikë dhe Spanjën”.

“Shumë prej nesh flasim për të drejtat e njeriut, por kur bëhet fjalë për të punuar konkretisht, pak e bëjnë atë në baltë e vështirësi”, thotë Del Corral. Scholas Occurrentes mbërriti në Spanjë në vitin 2015 dhe që atëherë ka bashkëpunuar në mënyrë aktive me Kishën lokale dhe komunitet e tjera fetare, me Ministritë e Arsimit, Rinisë dhe Çështjeve Sociale, duke kryer aktivitete të ndryshme në rajone të ndryshme të vendit, si Komuniteti i Madridit, Katalonja, Galicia, Valencia, Andaluzia dhe Kantabria. Nga ana tjetër, degë të universitetit të Scholas Occurrentes, ndër të tjera, janë hapur në Madrid, Granada, Valencia dhe Barcelona,​​.

Përvoja arsimore në mbarë botën

Që nga krijimi saj, Scholas ka krijuar përvoja arsimore që kanë bashkuar të rinj nga Izraeli dhe Palestina, nga Kuba dhe Shtetet e Bashkuara, nga kultura dhe fe të ndryshme, duke krijuar poste profesorësh në universitete publike dhe private; ndërtimi i shkollave sportive në Mozambik, Irak dhe Amerikën Latine. Të rinjtë e Scholas-it punojnë çdo ditë nga Haiti për të rifituar dinjitetin përmes arsimimit.

Për më tepër, nga Los Anxhelosi, Majami, Nju Jorku dhe Uashingtoni, mësuesit e Scholas kërkojnë të ndihmojnë çdo të ri që të gjejë kuptimin e jetës dhe të dialogojë për të kapërcyer urrejtjen dhe konfliktin. “Çdo ditë – lexojmë në një njoftim të kësaj lëvizjeje – mësuesit e rinj të Scholas ndeshen me problemet reale të fëmijëve dhe adoleshentëve: mungesën e shëndetit mendor, rritjen e tmerrshme të vetëvrasjeve, pasigurinë, varësitë narkotike dhe korrupsionin, abuzimin, shfrytëzimin e fëmijëve, bullizmin e bullizmin kibernetik dhe shumë çështje tjera të dhimbshme që kanë nevojë për dëgjim, ndihmë, kreativitet dhe komunitet.

Scholas Occurrentes është e bindur se sistemi arsimor mund të ndryshohet, duke u nisur nga realiteti konkret, nga poshtë dhe me angazhimin e të gjithëve. Përmes punës edukative Scholas mbron të drejtat e njeriut të të rinjve me veprime konkrete, pavarësisht nëse janë të këtij apo atij besimi apo të këtij apo atij niveli social apo ekonomik, sepse beson se i rëndësishëm është takimi dhe se diversiteti është diçka që na bashkon. Ky çmim, për themeluesit e Scholas Occurrentes, u takon të rinjve që angazhojnë kohën dhe pasionin e tyre çdo ditë për të arritur gjithnjë e më shumë të rinj në botë dhe Papa Françeskut për besimin në këtë intuitë të shenjtë".

20 dhjetor 2023, 12:42