Kërko

2023.12.22 Vescovo Isidoro Mora 2023.12.22 Vescovo Isidoro Mora

Nikaragua, një tjetër ipeshkëv i arrestuar

Ipeshkvi i Siunas, imzot Isidoro Mora, arrestohet sepse u lut për Imzot Rolando Álvarez, ipeshkvin e Matagalpës, dënuar pa gjyq me 26 vjet burg, në pranga që nga shkurti i kaluar. OKB-ja denoncon: vendi po largohet gjithnjë e më shumë nga respektimi i ligjit

R.SH. / Vatikan

Policia e Nikaraguas arrestoi ipeshkvin e Siuna-s, Imzot Isidoro del Carmen Mora Ortega, të mërkurën, më 20 dhjetor. Është prelati i dytë i arrestuar në vend, pas Imzot Rolando José Álvarez Lagos, ipeshkëv i Matagalpas dhe administrator apostolik i dioqezës së Estelí, i dënuar me 26 vjet heqje lirie, pa gjykim të rregullt, me ​​akuzat për komplot, shpërndarje të lajmeve të rreme, pengim të drejtësisë dhe përbuzje të autoriteteve, në burg që nga shkurti i kaluar pasi ishte në arrest shtëpie që nga gushti 2022.

Sipas lajmeve, Imzot Mora u ndalua nga policia dhe paraushtarakët "ndërsa ishte në rrugë për të kremtuar Meshën në famullinë e La Cruz de Rio Grande". Së bashku me të “u arrestuan edhe seminaristët Alester Sáenz dhe Tony Palacio”. Aktualisht nuk dihet vendndodhja e tre personave.

Arrestohet, pasi u lut për Imzot Álvarez

Arsyeja e arrestimit të ipeshkvit të Siunës, shkruhet në shtypin e pavarur të vendit, duke cituar burime kishtare, duhet të jetë predikimi që Imzot Mora mbajti më 20 dhjetor në katedralen e Shën Pjetrit Apostull. Me atë rast, prelati kujtoi gjatë homelisë se Konferenca Ipeshkvnore e Nikaraguas vazhdon të lutet për Imzot Álvarez. “Ne lutemi bashkërisht për dioqezën e dashur të Matagalpës - tha Imzot Mora - e edhe për Imzot Rolandon dhe për secilin prej jush”. E përfundoi: "Jemi të bashkuar në lutje, në bashkim, në besim, në dashuri, në butësi".

Një vend, që po largohet gjithnjë e më shumë nga shteti i së drejtës

Ditët e fundit, Zëvendës-Komisioneria e Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Nada Al-Nashif, deklaroi se Nikaragua po largohet "gjithnjë e më shumë" nga sundimi i ligjit dhe në veçanti "nga liritë themelore, duke  thelluar vuajtjet e njerëzve, duke nxitur heksodin e të rinjve dhe duke minuar të ardhmen e institucioneve demokratike”. Më pas denoncoi se autoritetet në Managua vazhdojnë t’i "persekutojnë ata që mund të kontribuojnë me një vizion alternativ në sferën publike, si udhëheqësit politikë dhe vendas, ashtu edhe anëtarët e Kishës Katolike, aktivistët dhe gazetarët". Në këtë kuadër – nënvizoi - “vazhdojnë kufizimet në hapësirën qytetare, me raste të përsëritura të ndalimeve arbitrare ndaj atyre që ushtrojnë liritë themelore”.

22 dhjetor 2023, 18:17