Kërko

Terra Santa - Grotta del latte a Betlemme Terra Santa - Grotta del latte a Betlemme

Nëntëditëshi i Krishtlindjes

Tё dielёn e kaluar, tё Tretёn Diele tё Kohёs sё Ardhjes, qё na pёrgatit pёr kremtimin e Lindjes sё Jezu Krishtit, Kisha katolike filloi nёntёditёshin e kёsaj sё kremte madhore.Nëntëditëshi Krishtlindjes nuk është një lutje zyrtare e Kishës, por është pjesë e praktikave të devotshme popullore. Ajo kremtohet në nëntë ditët para solemnitetit të Krishtlindjes, nga 16 deri më 24 dhjetor dhe përmban tekste të ndryshme që synojnë t’i ndihmojnë besimtarët të përgatiten shpirtërisht për lindjen e Jezusit

R.SH.- Vatikan

Që nga e diela e kaluar, e Diela e Tretё tё Kohёs sё Ardhjes, qё na paraprinë e pёrgatit pёr kremtimin e Lindjes sё Jezu Krishtit, Kisha katolike romake e filloi edhe Nёntёditёshin e kёsaj sё kremte madhore të Këshndellave.

Në liturgjinë e tri të dielave të para tё kohёs sё Ardhjes e në ditët e pushimit, deri më 16 dhjetor, theksohej me forcë tema e Ardhjes së dytë të Jezusit, në fundin e kohëve. Ndërsa ndërmjet 16 e 24 dhjetorit, kujtohen çdo ditë skena, ngjarje e profeci, që na çojnë drejt Shpellës së Betlehemit, drejt kremtimit të Ditëlindjes së Birit të Zotit, që përkujtohet sidomos nëntë ditë para Solemnitetit.

Nëntëditshi i Krishtlindjes kremtohet në periudhën e dytë të Kohës së Ardhjes. 

Kujtojmë se takimet e bashkësisë së krishterë nëntë ditë me radhë para festës së Krishtlindjes, kanë karakter thellësisht popullor e festohen krahas liturgjisë zyrtare. Shprehje e përshpirtërisë së popullit, vijnë nga Mesjeta e largët, për të përforcuar fenë e devocionin ndaj Zemrës së Krishtit, Virgjërës Mari e Shenjtorëve.

Kjo traditë lindi në kohët kur bashkësia e krishterë ishte larg burimeve të Biblës e të liturgjisë, ose kur këto burime ishin të ndaluara e populli shtegtonte si në shkretëtirë, plot etje, në pritje të ujit të gjallë. Shtegtim, që vijon edhe në kohët moderne, në të cilat populli i Zotit përpiqet ta ruajë të pacenuar traditën e vet, e, pa harruar përmasën kishtare, merr pjesë nëntë ditë me radhë në kremtimet prekëse tradicionale, shoqëruar kryesisht me muzikë gregoriane. Kremton me besimin e sigurt  se shpresa nuk të zhgënjen, vetëm atëherë kur pranohet me gjithë zemër.

Atëherë duke kërkuar praninë e Zotit në jetën tonë të përditshme, me fjalët e antifonave të mëdha të Nëntëditëshit që paraprin Krishtlindjen, të kërkojmë e urojmë: “O urti, o çelësi i Davidit, o mbret i popujve, eja!”. E të përsërisim shumë herë ‘Eja!’ dhe të përpiqemi, që shpirti ynë të mos thotë: ‘Mos më shqetëso!’. Jo! Të jetë shpirt i hapur, të jetë shpirt i madh, për ta pritur Zotin e për ta dëgjuar atë, që na thotë Kisha në festën e Krishtlindjes me anë të antifonës: ‘Ta dini se sot vjen Zoti! E nesër do të shihni lavdinë e Tij!’

20 dhjetor 2023, 11:10