Kërko

dom Kolë Dedaj dom Kolë Dedaj

Dom Kolë Dedaj: Kshnellat e sivjetshme

Zoti futet në jetën e një çifti të fejuarish, Marisë e Jozefit dhe e përmbys jetën e tyre. Maria në periferinë e Perandorisë Romake: do të bëhej Nëna e Zotit me fuqinë e Shpirtit Shenjt. Ndërmarrja e përbashkët më e rëndësishme në historinë e njerëzimit kishte filluar. Në një grazhd Zoti vjen e bëhet njeri, bëhet mish i mishit tonë e asht i ashtit tonë, e kështu e ngritë njeriun e rënë. T’i afrohemi edhe ne Mbretit të mbretërve e të lejojmë që t’na shndritë me pranin e Tij.

R.SH. / Vatikan

Dom Kolë Dedaj, nga dioqeza Prizen-Prishtinë rrëfen rrethanat, sipas Ungjillit, në të cilat Lindi Jezu Krishti. Lindja e Jezusit siç tregohet nga Andrea Tornielli që rilexon "Jeta e Jezusit". Një rrëfim mbi historinë e Atij që shënoi udhën e botës dhe të njerëzimit. Historia është një përshtatje e lirë nga libri i të njëjtit autor "Jeta e Jezusit" botuar në vitin 2022 nga Piemme.

Dom Kolë Dedaj

Kshendellat e sivjetshme

Zoti futet në jetën e një çifti të fejuarish, ende të pamartuar, dhe e përmbys jetën e tyre. Maria në periferinë e skajshme të Perandorisë Romake, në një vend sa grushti merr një lajm të padëgjuar më parë: do të bëhej Nëna e Zotit me fuqinë e Shpirtit Shenjt. Kështu ndërmarrja e përbashkët më e rëndësishme në historinë e njerëzimit kishte filluar: i Gjithëpushtetshmi Zot e kishte kushtëzuar nismën e vet me pëlqimin e lirë të një vajze... s’ka gjë të pamundshme për Hyjin madje edhe, Elizabeta beronjë, kishte mbetur shtatzënë... Dhe ashtu si Jo-ja e zanafillës e kishte mbyllur shtegun e njeriut drejt Hyjit, po ashtu Po-ja e Marisë i hapi udhën Hyjit mes nesh. Pas këtij Lajmi Zoja e bekuar menjëherë del prej Nazaretit për të shkuar te kushërira e moçme, nëna e Gjon Pagëzuesit, për ta ndihmuar.

Edhe Jozefit Zoti ia përmbysi planin e jetës. Përbrenda vetes ishte ankthi. Pse po i ndodhte pikërisht atij? Maria, Maria e tij, priste një fëmijë. Por si mund ta besonte plotësisht? Megjithatë, dashuria e vërtetë dhe e sinqertë që ndjente për atë vajzë mbizotëroi mbi Ligjin... Ai do ta kishte mirëpritur dhe rritur atë djalë si të ishte i veti... Nuk ishin ditë të lehta për Jozefin, njeri praktik, të mësuar të vëzhgonte shumë dhe të fliste pak. Një burrë me zemër të madhe. Zoti ia zbulon në ëndërr atë që ia kishte thënë Marisë përmes engjëllit Gabriel dhe e gjithë fuqia e krahëve të tij, qëndrueshmëria e dashuria e shpirtit dhe inteligjenca e kresë u vu në të mirën e asaj foshnje.

Një grazhd ishte djepi i parë i Mbretit të mbretërve, i paracaktuar për t’u bërë ushqim për shëlbimin e të shumëve. Zoti vjen e bëhet njeri, bëhet mish i mishit tonë e asht i ashtit tonë, e kështu e ngritë njeriun e rënë. Për këtë arsye ne nuk lutemi veç me shpirt, me zë e me zemër, por edhe me trupin tonë, sa herë i bashkojmë duart në lutje, sa herë gjunjëzohemi e sa herë ulemi e ngrihemi.

Barinjtë pasi kishin nxituar në shpellën e Betlehemit, ishin të mbushur me habi. Gjetën atë që u kishin treguar krijesat qiellore. Shikimet e tyre ishin mirënjohës. Kishin gjetur foshnjën. Shëlbuesin. Në hyrje të shpellës tash gjendeshin posteje dhensh, një çanak qumësht, disa copa djathi. Dhurata të gjora të bashkëndara me atë Mesi në shpërgënj, atë mbret kaq të ndryshëm nga sa do të kishin imagjinuar dhe pritur.[1]

T’i afrohemi edhe ne Mbretit të mbretërve e të lejojmë që t’na shndritë me pranin e tij. T’ia ofrojmë dhuratat tona “të gjora” pa frikë.

Urime e për shumë mot Kërshëndellat!

[1] Andrea Tornielli, Jeta e Jezusit me komentin e papa Françeskut kapp.1-2 (e pabotuar).

24 dhjetor 2023, 10:24