Kërko

Të krishterët e Jeruzalemit, në lutje! Të krishterët e Jeruzalemit, në lutje! 

Toka e Shenjtë: Kard. Pizzaballa "ta jetojmë këtë çast të bashkuar"

“Nëse jemi këtu, do të thotë edhe se jemi të qartë si do ta jetojmë këtë kohë: si komunitet, të bashkuar. Nuk ka vend tani për keqkuptimet tona të vogla”: kështu u shpreh Patriarku latin i Jeruzalemit, Kard. Pierbattista Pizzaballa mbrëmë, ndërsa merrte pjesë në një mbrëmësore lutjeje për paqen, kremtuar në Qytetin Shenjt nga Skautët Katolikë Arabë dhe shoqatat "Sabeel" dhe "Serviens in spe". Njoftimin e japin kanalet sociale të Patriarkatit.

R. SH. - Vatikan

“Si të krishterë, por mbi të gjitha si besimtarë - kujtoi Patriarku - ne e dimë se Zoti ka diçka për të na thënë në jetën tonë. E Hyji ynë ka fytyrën e Jezusit: ne duhet të rinisemi përsëri nga Ai. Janë të shumta pyetjet, të cilave nuk mund t'u përgjigjemi, por të besosh në praninë e Tij është  ngushëllim i madh për ne: edhe pse ndoshta-ndoshta nuk është ngushëllimi që do të dëshironim! Por nuk jemi vetëm".

Më pas kardinali u lut kështu:

“Ne themi: po, Jezus, zemrat tona janë të rënduara. Ne nuk kuptojmë. Jemi në pritje, por duke e lëshuar plotësisht veten në duart tuaja: na ndihmo ta lëshojmë gjithçka në ato duar!".

Duke e përfunduar kremtimin e mbrëmësores, Patriarku kujtoi bashkësinë e vogël të krishterë në Gaza, e cila - kujtoi me dhimbje - “po jeton në një gjendje të tmerrshme. E dimë se shumë prej tyre kanë humbur gjithçka. E çdo ditë e tyre, është ditë e ngarkuar me gjithfarë vështirësish. Me lot, sidomos! Çdo ditë e tyrja përfundon me një pikëpyetje: të rrinë, apo të largohen! E ata gjegjen: 'Jo, po rrimë, sepse besojmë në Zotin'. Gjithçka përfundon me 'Jezusi do të na ndihmojë. Jezusi nuk na braktis!”.

Të pranishëm në lutje ishin edhe mëkëmbësi i Rojtarisë së Tokës së Shenjtë, Fra Ibrahim Faltas, fretërit e Kujdestarisë dhe përfaqësuesit kryesorë të bashkësive fetare të krishtera të Jeruzalemit.

10 nëntor 2023, 14:35