Kërko

Pamje nga  Jeruzalemi Pamje nga Jeruzalemi  (AFP or licensors)

Thirrja e Kardinalit Pizzaballa: Toka e Shenjtë ka shumë nevojë për ndihmë

Patriarku latin i Jeruzalemit flet për "klithmën e të varfërve" shkaktuar nga lufta në Gaza, me pasoja në të gjithë zonën: ndajmë ujin, ushqimin, ilaçet dhe strukturat me familjet e feve të ndryshme, por njëheresh me ndihmën materiale, duhen ringjallur besimin e shpresa.

R. SH. - Vatikan

Është efekti i tmerrshëm domino i çdo lufte! Shkatërron jo vetëm atje, ku bien bombat, por kudo që përhapet vala e tyre. Kardinali Pierbattista Pizzaballa e përshkruan qartë situatën në faqen e Patriarkanës Latine të Jeruzalemit, e cila bëhet megafon për shqyrtimin dhe thirrjen e tij. “Kriza aktuale jo vetëm që ka shkaktuar vdekje, shkatërrim dhe uri në Gaza, por edhe një shkallë të lartë papunësie, veçanërisht në zonën e Betlehemit, si dhe probleme të tjera sociale në të gjithë Tokën Shenjte” - shkruan Kardinali, i cili ndalet kryesisht tek situata e vështirë, që po kalojnë “familje të panumërta të feve të ndryshme”.

Bujarë gjithmonë

"Ne ndajmë pothuajse gjithçka, nga ushqimi te uji, nga ilaçet te furnizimet e tjera"- pohon Kardinali Pizzaballa. "Burimet tona materiale - vijon - shtrihen përtej mureve tona, përfshijnë edhe fqinjët që vuajnë si dhe ata, që janë strehuar diku tjetër". Një kuadër i brishtë, që vepron sërisht si detonator për atë "klithmë të të varfërve" e cila tashmë është lartuar disa herë nga Toka e Shenjtë dhe që - pohon Patriarku i Jeruzalemit - ka marrë përgjigje nga bota, duke shpëtuar shumë jetë nga pandemia në Gaza, në vitin 2021, nga shpërthimi i portit të Bejrutit e deri nga tërmeti në Siri dhe Turqi.

Mbillni farat e besimit

Kjo ndihmë është e nevojshme përsëri, urgjentisht. Me "qindra njerëz nga e gjithë bota - pohon Kardinali Pizzaballa – janë lidhur me ne dhe na kanë ndihmuar për sigurimin e ndihmave konkrete". Por tani na duhet edhe diçka tjetër, po aq e rëndësishme. "Në këtë çast të vështirë - vëren Kardinali - ne mësuam se për ta rindërtuar botën fizike, duhet të ndërtojmë dhe të mbrojmë besimin ndërmjet njerëzve":

“Na ndihmoni - përfundon ai - të rikrijojmë sërish rrethanat e nevojshme, në mënyrë që, në këtë shoqëri ku vlon urrejtja, të hidhet përsëri fara e besimit, e shpresës dhe e dashurisë”.

04 nëntor 2023, 10:59