Kërko

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XXXI të vitit liturgjik ‘A‘: flasin, por nuk veprojnë

“Flasin, por nuk veprojnë”:/fjalë, o Jezus, që rëndojnë/si gurë të mëdhenj e me peshë,/...“Thonë e nuk bëjnë”:/fjalë, o Jezus, që na nxisin/ta vlerësojmë ndryshe realitetin,/na ftojnë të marrim parasysh/faktet e jo dukjet/gjestet e jo shpalljet e bujshme./Ti dëshiron të na çosh në këtë udhë, konkrete e të përditshme:/është shtegu i dashurisë,/dashuri, që nuk kërkon pozita me prestigj,/por role të përvuajtura, të padukshme,/dashuri, që nuk synon skenën plot dritë/por rritet përmes shërbimit

R.SH. - Vatikan

Në Ungjillin e kësaj së diele të 31-të të vitit kishtar (A), marrë nga kreu 23 sipas Mateut (1-12), Jezu Krishti nxjerr në pah falsitetin e farisenjve. Të jesh i krishterë do të thotë jo aq të respektosh verbërisht formula a parime, por t'u çosh Krishtin të tjerëve, përmes një jete të ndershme, në mënyrë që, falë dëshmisë së lutjes, vuajtjes dhe veprave, i krishteri të bëhet forcë e gjallë e Ungjillit.

Çfarë do të thotë të jesh i krishterë? Të shkosh në meshë, të pagëzosh fëmijët, të marrësh kungimin për Pashkë, të respektosh urdhërimet? Në Ungjillin e kësaj së diele të 31-të të vitit kishtar (A), marrë nga kreu 23 sipas Mateut (1-12), Jezu Krishti nxjerr në pah falsitetin e farisenjve, duke përdorur shembullin e priftërinjve të Besëlidhjes së Vjetër: "Bëni dhe respektoni gjithçka që ju thonë; por mos bëni sipas veprave të tyre, sepse thonë dhe nuk bëjnë".

Si duhet të jetë sjellja e një të krishteri të vërtetë shihet qartë nga mësimet, që Shën Pali apostull u jep selanikasve. I thirrur nga Jezusi në rrugën për në Damask, Shën Pali zbuloi të gjithë misterin e Krishtit dhe e kuptoi se të jesh i krishterë do të thotë t’u japësh të tjerëve Lajmin e Mirë të shëlbimit. Të jesh i krishterë do të thotë jo aq të respektosh verbërisht formula a parime, por t'u çosh Krishtin të tjerëve, përmes një jete të ndershme, në mënyrë që, falë dëshmisë së lutjes, vuajtjes dhe veprave, i krishteri të bëhet forcë e gjallë e Ungjillit. Të ndjekim pjesën ungjillore

Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet: “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë. Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.
Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë - atë që është në qiell! Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës - sepse keni vetëm një Udhëheqës - Krishtin! Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.

Të lutemi së bashku

“Flasin, por nuk veprojnë”:

fjalë, o Jezus, që rëndojnë

si gurë të mëdhenj e me peshë,

fjalë, që na shtyjnë të shohim në shpirt, seriozisht,

për të mos u gjykuar keq prej Teje

prerazi e me kaq vendosmëri.

 

“Thonë e nuk bëjnë”:

fjalë, o Jezus, që na nxisin

ta vlerësojmë ndryshe realitetin,

na ftojnë të marrim parasysh

faktet e jo dukjet

vendimet e jo fjalimet

gjestet e jo shpalljet e bujshme.

 

E Ti dëshiron të na çosh pikërisht

në këtë udhë, konkrete e të përditshme:

është shtegu i dashurisë,

dashuri, që nuk kërkon pozita me prestigj,

por role të përvuajtura, të padukshme,

dashuri, që nuk synon skenën plot drita,

por rritet përmes shërbimit

përballet më gjithçka që, shpesh, u duket

e pakëndshme të tjerëve, të cilët shpejt e braktisin.

 

Për njeriun, që e ka zgjedhur këtë rrugë, nuk ekzistojnë më

ëndrra lavdie dhe suksesi.

Zhduket edhe tundimi

për të fituar tituj të lartë, shenja nderimi e prestigji.

Ç’ka vërtet vlerë, je Ti, o Mësues i popujve,

e, edhe Ati yt Qiellor, që i do të gjithë

njëlloj, si bij të Tij.

04 nëntor 2023, 11:12