Kërko

All Souls' Day observed in Dhaka All Souls' Day observed in Dhaka

Pushim i pasosur, dritë dhe paqe e pambaruar!

Pushim i pasosur, dritë dhe paqe e pambaruar! “Epjau, o Zot, pushimin e pasosun, e i ndritët drita e pambarueme, pushofshin në paqë!Ashtu kjoftë”

R.SH: / Vatikan

Në ditën kur kujtojmë të vdekurit, 2 nëntor, zbulojmë historinë dhe kuptimin e lutjes, që u kushtohet. E mësojmë që fëmijë dhe e dëgjojmë në kompozimet muzikore të requiem. Fjalë të thjeshta, por shumë të lashta plot kuptim, madje befasuese

 Pushim i pasosur, dritë dhe paqe e pambaruar!

Epjau, o Zot, pushimin e pasosun, e i ndritët drita e pambarueme, pushofshin në paqë!Ashtu kjoftë”. Kjo lutja për të vdekurit, ashtu si u tha në rrjedhë shekujsh në viset shqiptare!

Është lutje që buron nga zemra, fill i kujtesës dhe i dashurisë, që i lidh të gjithë me të dashurit e tyre, të cilët nuk janë më me ne, dhe me të gjithë ata që na paraprinë. Duket si lutje e thjeshtë dhe mësohet shpejt përmendësh: lexohet në kujtim të të dashurit të vdekur, veçanërisht sapo zgjohemi në mëngjes dhe para se të shkojmë në shtrat në mbrëmje, njëherësh me Atynën, Falemërinë dhe Engjëllin e Rojës. Cdo të diel Papa e përfundon lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot me “Epjau Zot pushimin e pasosun” në latinisht (Réquiem aetérnam dona eis, Dómine, et lux perpétua lúceat eis. Requiéscant in pace.  Amen).

Përveçse gjatë funeraleve, lutja mund të thuhet edhe gjatë Rruzares, ndërsa mund të lutesh edhe me Kurorën e Njëqind Requiems.

Lutje e përmallshme

Duket si lutje e thjeshtë, por nëse ndalemi për ta analizuar, vëmë re sakaq përsëritjen dy herë të fjalës pushim. Në qendër është drita, e cila kërkohet të shndërisë mbi të shuarit. Fjalë që kryqëzohen me njëra-tjetrën duke krijuar një ritëm të ëmbël e të nënshtruar, por njëkohësisht të përzemërt, të fortë. Pikërisht ajo që dëgjojmë në kryeveprat e kësaj natyre, në Requiem kompozuar nga Orlando di Lasso, Gossec, Mozart, Verdi, Fauré, që nisin me hyrjen Gregoriane të Requiem.

Origjina e lashtë e requiem

Pushimi i Pasosun vjen nga libri i katërt i Ezdrës (II 33-48), apokrif i Besëlidhjes së Vjetër:

"...xepetate pastorem vestrum, requiem eternitatis dabit vobis, quoniam in proximo est ille, qui in finem saeculi adveniet. Parati estote ad praemia regni, quia lux perpetua lucebit vobis per aeternitatem temporis".

"...priteni bariun tuaj, do t'ju japë pushimin e pasosur sepse fare pranë është ai, që do të vijë në fund të shekujve. Jini gati, e do të merrni shpërblimin e mbretërisë, sepse në shekuj të shekujve mbi ju do të shndrisë drita e pamabaruar Ikni nga terrinat e kohës së sotme, e do të merrni gëzimin e lavdisë suaj".

Fragmenti u mor më pas nga Etërit e Kishës dhe, në shekullin e 6-të, hyri në Gradualin Romak, libri liturgjik i Ritit romak të Kishës katolike, por pasi qe përhapur prej kohe në mbishkrimet funerale. Formula “Requiem aeternam det tibi Dominus et lux perpetua luceat tibi”, identike me lutjen tonë, por që synon njëjësin, përsëritet në nekropolin e krishterë të shekullit të 5-të në Ain Zara, afër Tripolit, në Libi.

Fraza e fundit, "pushofshin në paqe" shtohet më vonë, marrë nga breviari apo oficja françeskane e shekullit të 13-të.

Pjesa tjetër

Pushimi, në Bibël, është përmbushja e historisë së shëlbimit (Psalmi 95). Hyji, në ditën e shtatë, pas krijimit, pushon (Zanafilla 2, 3). Pushimi i së shtunës është dhuratë nga Zoti, për njeriun, që të mund të marrë pjesë në jetën e tij të lavdishme "që kau yt dhe gomari yt të gëzojnë paqen dhe bijtë e skllavit tënd dhe të huajt të marrin frymë" (Heksodi 23, 12). Pushimi përmendet shpesh në Bibël e, mbi të gjitha, është shprehje e prehjes pas lodhjes dhe privimeve të skllavërisë (Ligji i Përtërirë 5,15; Ezekieli 37,14).

Drita

Pushimi nuk shpreh inerci, as përtaci, as përgjumje. Pushimi i kujtuar në lutjen drejtuar të ndjerit, është i ndriçuar nga drita hyjnore e atyre që nuk pushojnë s’e ndjekuri Zotin, sepse:

Zoti është bariu im, asgjë s’më mungon!

 Në rudina të blerta më bën të pushoj,

më çon ndër gurra të qeta…

3 Më freskon, më prin në shtigje të drejta

për dashuri të emrit të Tij!” (Psalmi 23 ).

Ndërsa "Ata që adhurojnë shtazën dhe shëmbëlltyrën e saj dhe kushdo që vuloset me emrin e saj nuk do të ketë prehje as ditë as natë" (Zbulesa 14:11).

Përtej pushimit të pasosur

Katekizmi i Kishës Katolike shpjegon se "që nga kohërat më të hershme, Kisha e nderoi kujtimin e të vdekurve dhe ofroi të drejtën e përshpirtjeve për të, në veçanti, flijimin eukaristik, në mënyrë që ata, të pastruar, të  mund të sodisin fytyrën e lumnueshme të Zotit. Kisha këshillon gjithashtu lëmoshë dhe vepra pendimi në kujtim të të vdekurve (1032)”. Për këtë qëllim citon Shën Gjon Gojartin (Në epistulam I ad Corinthios, homilia 41, 5: PG 61, 361):

"T'i ndihmojmë dhe t'i përkujtojmë. Nëse bijtë e Jobit u pastruan me flijimin e atit të tyre, pse duhet të dyshojmë se ofertat tona për të vdekurit sjellin ndonjë ngushëllim? [...] Le të mos ngurrojmë t'i ndihmojmë ata që  vdiqën dhe të lutemi për ta".

02 nëntor 2023, 15:42