Kërko

Kardinali Pizzaballa në lidhje video me ipeshkvijtë italianë Kardinali Pizzaballa në lidhje video me ipeshkvijtë italianë

Pizzaballa në lidhje video me ipeshkvijtë italianë: lutemi për të pafajshmit

Patriarku i Jerusalemit të Latinëve u lidh paraditen e sotme, për rreth 20 minuta, me ipeshkvijtë italianë të mbledhur në seancën e parë të punimeve të Asamblesë së jashtëzakonshme të tyre, që nisi të hënën në Asizi. Ai përshkroi “situatën dramatike” në Gazë. Sot, dita i kushtohet lutjes për paqe, me meshën e kardinalit Zuppi në bazilikën e poshtme të Shën Françeskut dhe me lutjen në varrin e shenjtit

R.SH. – Vatikan

         Çast për pjesëmarrjen në dhimbjen dhe vuajtjen e njerëzve, që përjetojnë dramën e konfliktit në Tokën Shenjte: paraditen e sotme, 15 nëntor, ipeshkvijtë italianë, mbledhur në Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme në Asizi, dëgjuan dëshminë e Patriarkut të Jerusalemit të Latinëve, kardinalit Pierbattista Pizzaballa, i cili u lidh për 20 minuta në seancën e parë të punimeve të kësaj dite, kushtuar lutjes për paqen.

Drama në Gazë

Kardinali paraqiti "situatën dramatike aktuale": "Janë - shpjegoi ai – 1.400 viktimat izraelite të sulmit të 7 tetorit, mbi 11.000 të vdekurit e konfirmuar në Gazë, kryesisht civilë, nga të cilët të paktën 4.000 janë të mitur. Në Izrael ka rreth 100 mijë të zhvendosur, ndërsa në Gazë të paktën 1 milion”. Të krishterët e pranishëm në Gazë, ku "infrastruktura është shkatërruar plotësisht", janë "më pak se një mijë, të strehuar në një qendër ortodokse dhe në një famulli katolike në zonën veriore, nën bombardime të vazhdueshme dhe në qendër të operacioneve ushtarake", tha më tej Pizzaballa. “Gjithashtu, strehojmë edhe rreth 3 mijë myslimanë – shtoi ai – në ambientet e një shkolle”. Është i madh shqetësimi për “të krishterët e Betlehemit dhe të zonave përreth, si edhe për ata në Cisjordani”.

Lutje për të pafajshmit

Duke e falënderuar Kishën në Itali për afërsinë e saj konkrete dhe shpirtërore, kardinali uroi që së shpejti të arrihet një zgjidhje, që garanton paqen dhe sigurinë për të gjithë. “Lutemi – përfundoi ai – për të gjitha viktimat e pafajshme. Vuajtja e të pafajshmëve para Zotit ka një vlerë të çmuar dhe shëlbuese, sepse bashkohet me mundimet e Krishtit për shëlbimin e botës. Vuajtjet e tyre e afrofshin sa më shumë paqen dhe mos lejofshin urrejtje të re!”

Ipeshkvijtë italianë në lutje

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Matteo Zuppi, shprehu afërsinë e gjithë ipeshkvijve dhe besimtarëve të Italisë me Tokën Shenjte. Pikërisht kjo ditë i është kushtuar lutjes për paqen. Në orën 17.45, ipeshkvijtë kremtojnë Mbrëmësoren në Bazilikën e Shën Kiarës e, më pas, në procesion, shkojnë në Bazilikën e Poshtme të Shën Françeskut për kremtimin e meshës dhe të lutjes në varrin e shenjtit. “Zemrat e të gjithëve – luten ata – janë plot dhimbje për luftërat, që e trondisin kohën tonë. Sonte, duke iu përgjigjur etjes për paqe nga të gjitha anët e tokës, ndalemi në lutje tek varri i Shën Françeskut, njeri i pajtimit dhe i vëllazërimit. Duke iu besuar ndërmjetësimit të tij, i lutemi Zotit Atë, i cili në Jezu Krishtin pajtoi qiellin me tokën, t’i largojë tmerret e dhunës dhe të na japë ditë paqeje".

15 nëntor 2023, 12:57