Kërko

Konflikti Izrael - Palestinë Konflikti Izrael - Palestinë  (AFP or licensors)

Lindja e Mesme, Kishat e krishtera në Evropë: hapja e bisedimeve serioze për paqen

Deklaratë e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) dhe Konferencës Evropiane të Kishave (KQZ), në përfundim të takimit të Komitetit të Përbashkët, në Beograd. Thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe solidaritet me ata që punojnë për paqen në Izrael dhe në Palestinë: kauza nuk mund të mbrohet me dhunë!

R. SH. - Vatikan

Solidaritet "me ata që, në Izrael e në Palestinë, punojnë për paqen"; denoncim i dhunës që "nuk mund të jetë mënyrë për të mbrojtur asnjë kauzë"; thirrje bashkësisë ndërkombëtare për të "mobilizuar dhe për të mbështetur ligjin ndërkombëtar, në veçanti rezolutat e Kombeve të Bashkuara, që të mund të hapen bisedime serioze për paqe të qëndrueshme, të vërtetë dhe të drejtë". Këtë kërkuan Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) dhe i Konferencave Evropiane të Kishave (CEC) në një deklaratë për situatën në Lindjen e Mesme, në përfundim të takimit të Komitetit të Përbashkët, mbajtur në Beograd nga 5 deri më 7 nëntor.

Delegacionet, kryesuar nga kryetari i KEK (Këshilli Ekumenik i Kishave) Nikitas, kryeipeshkvi i Thyateira-s dhe i Mbretërisë së Bashkuar, si dhe presidenti i CCEE, Imzot Gintaras Grušas, kryeipeshkëv i Vilnius-it, u pritën nga kryeipeshkvi i Beogradit, Ladislav Nemet, njëherit nënkryetar i organizmit ipeshkvnor evropian.

Dhembshuri për viktimat, solidaritet me familjet

 Dokumenti - i publikuar sot - niset nga “dhuna dhe mizoria e terroristëve të Hamasit, të cilët sulmuan Izraelin më 7 tetor” e që, siç lexojmë, “e mahnitën dhe tmerruan botën”. Prijësit e Kishave të krishtera në Evropë shprehin "dhembshurinë e tyre të thellë" për të vdekurit, për të plagosurit, për ata që humbën një të dashur, si dhe për pengjet dhe familjet e tyre. “Ne i njohim rrethanat historike të kolonializmit, antisemitizmit dhe islamofobisë, që çoi në situatën aktuale. E njohim edhe vuajtjen e madhe të të dyja palëve të këtij konflikti” - shkruhet në deklaratën e përbashkët, në të cilën nënshkruesit kujtojnë se janë “thellësisht të pikëlluar” nga shkatërrimi i vendeve të shenjta, të cilat tradicionalisht shihen si vende strehimi.

Armëpushim, në të gjitha frontet

Solidaritet shprehet, më pas, edhe me ata që punojnë për paqen në Izrael dhe Palestinë: "Shkatërrimi i jetës nuk i shërben as lirisë, as së vërtetës, as drejtësisë". Prej këndej, thirrja e "drejtuesve politikë të të gjitha partive që të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre për të garantuar armëpushimin në të gjitha frontet". “Ne kërkojmë - shkruajnë gjithashtu liderët e krishterë europianë - që terroristët të dalin para drejtësisë, që të gjitha jetët e civilëve – hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve - të mbrohen dhe që korridoret humanitare të hapen, për të lejuar hyrjen e ilaçeve dhe evakuimin”.

Të nisin bisedime serioze

Së fundi, duke parë "situatën e rëndë" në të cilën jeton popullsia e Gazës, "që i kufizohen të drejtat e saj më themelore dhe detyrohet të vuajë padrejtësi të padëgjuara", KQZ dhe CCEE i kërkojnë gjithë bashkësisë ndërkombëtare "të mobilizohet dhe të mbështesë ligjin ndërkombëtar, në veçanti, rezolutat e Kombeve të Bashkuara, me qëllim që të hapen negociata serioze për paqe të qëndrueshme, bazuar mbi të vërtetën dhe drejtësinë”. “Ne gjithashtu lutemi dhe shpresojmë - lexojmë në fund të dokumentit - që ata, të cilët kanë autoritet mbi kombet, të angazhohen në një dialog të vërtetë, që mbron dinjitetin njerëzor të të gjithëve dhe krijon mundësitë për bashkëjetesën paqësore të dy popujve, në dy Shtete”.

Ecuria e punimeve

Lufta ishte në qendër të takimeve në Beograd, që patën ndër temat e rendit të ditës edhe paraqitjen e punimeve të Asamblesë së Zakonshme XVI të Sinodit të Ipeshkvijve, nga Kardinali Jean-Claude Hollerich, relator i përgjithshëm i Sinodit. Më pas, u prezantua edhe raporti i Grupit të Punës për përditësimin e Kartës Ekumenike Evropiane, redaktuar nga znj. Lea Schlenker e Kishës Protestante në Gjermani dhe Kardinali Grzegorz Ryś, Kryeipeshkëv i Lodz; një reflektim mbi situatën në Evropë me titull “Lufta kundër Ukrainës”, nga Rostyslav Vorobii, i Kishës Ortodokse të Ukrainës dhe “Pozicioni aktual i migrantëve dhe refugjatëve nga Ballkani në Palestinë”, nga At Stanko Perica SJ, drejtor rajonal i Shërbimit Jezuit për Refugjatët në Evropën Juglindore.

08 nëntor 2023, 16:04