Kërko

Papa Urbani VIII Papa Urbani VIII 

Kremtimet për 400-vjetorin e zgjedhjes së Papës Urban VIII

Nisma të shumta po organizohen nga Komiteti Kombëtar për 400-vjetorin e papnisë së Urbanit VIII (1623-2023) me mbështetjen e institucioneve të ndryshme kulturore publike dhe private. Qëllimi i organizatorëve është "t'i ndihmojë të krishterët ta njohin Papën Urbani dhe ta riinterpretim papninë e tij, parë si gur themeli i një shekulli - viteve 1600 - rivlerësuar kështu vetëm në dekadat e fundit, gjë që meriton të dalë rishtas në dritë".

R. SH. - Vatikan

Papa Urbani VIII, Maffeo Vincenzo Barberini, i lindur në Firence më 1568, është figurë me interes të jashtëzakonshëm në nivel italian dhe ndërkombëtar në fusha të ndryshme: nga artet - në letërsi, nga historia - në shkencë, nga diplomacia - në gjuhësi. Me rastin e 400-vjetorit të zgjedhjes së tij Papë, shumë iniciativa janë promovuar nga Komiteti Kombëtar i krijuar pikërisht për këtë qëllim, me përfshirjen e institucioneve private dhe publike: bashkia Barberino Tavarnelle (Fi), Instituti i historisë Sangalli dhe kulturat fetare, Muzeu Galileo dhe Projekti i Arkivit Medici të gjitha me qendër në Firence, dhe më pas Accademia della Crusca, Galeria Kombëtare e Palazzo Barberini, Instituti Kombëtar i Studimeve Romake dhe Shoqëria Romake e Historisë.

Rilexim i hollësishëm i një figure të ndërlikuar

Duke jetuar në një epokë konfliktesh të ashpra konfesionale, luftërash, censurimi dhe shtypjeje të disidencës, por edhe lulëzimi të jashtëzakonshëm të arteve dhe gjuhës italiane, lexojmë në njoftimin për shtyp që paraqet ngjarjen, Urbani VIII luan një rol kyç për të kuptuar  shekullin e shtatëmbëdhjetë, e jo vetëm shekullin italian dhe evropian, por edhe global, duke i kushtuar vëmendje të madhe përhapjes së fesë në kontinente të tjera, si dhe njohurive dhe informacioneve që erdhën në Romë nga të katër anët, duke ushqyer një koleksion artistik të përmasave të papërfytyrueshme.

Kremtimi në vitin 2023 i 400 vjetorit të zgjedhjes së tij në fronin papnor është mundësi unike për një rilexim të ndarë në fusha të ndryshme (artet, letërsia, gjuha, shkenca, historia, etj.), të aftë për të njohur kompleksitetin e një karakteri, të një familjeje, të një oborri - Roma "teatri i botës" - dhe të një faze të tërë të epokës moderne, që e ndryshoi thellësisht fytyrën e kontinentit evropian. Aq sa mund të llogaritet, për mirë a për keq, si pjesë përbërëse e trashëgimisë historike dhe kulturore të Evropës së sotme.

Papni themelore e një shekulli të rivlerësuar së fundmi

Duke kapërcyer stereotipet e shumta dhe ndryshkun hagjiografik a denigrues të mbetur gjatë katër shekujve, lexojmë përsëri në tekst, do të jetë e mundur t'u kthejmë qytetarëve dhe territoreve italiane njohuritë dhe rileximin e papnisë së Urbanit VIII, dritëhijet e tij, parë si gurthemeli të një shekulli, i cili po rivlerësohet vetëm në dekadat e fundit dhe që meriton të dalë në dritë për publikun e gjerë. Aktiviteti i Komitetit, i kryesuar nga Profesor Massimo Carlo Giannini i Universitetit të Teramos - Universidad Complutense de Madrid, zhvillohet në Toskanë dhe në Romë, përmes krijimit të një sërë nismash kulturore dhe shkencore të realizuara nga partnerë të ndryshëm. Vlen të përmendet cikli i konferencave publike të "Autunno Barberiniano" dhe konferenca e madhe ndërkombëtare që do të mbahet në Romë më 6-7-8 maj 2024 me titull "Bota mesdhetare dhe Roma: lidhjet dhe konfliktet gjatë dhe përtej epokës së Urbanit VIII (1623-1669)”. Nisma të tjera do të kryhen duke sponsorizuar ekspozita dhe konferenca si dhe duke përfshirë ato të organizuara nga Muzeu Galileo në Firence.

05 nëntor 2023, 15:06