Kërko

Jordani: Kishat, Krishtlindja pa festime në shenjë respekti dhe afërsie me viktimat e Gazës

Në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, komunitetet e krishtera do të kremtojnë Krishtlindjen e ardhshme duke hequr dorë nga momentet e gëzueshme dhe festive që zakonisht paraprijnë dhe shoqërojnë kremtimet e Krishtlindjes, si shenjë respekti dhe afërsie me viktimat e pafajshme të shkaktuara nga operacionet ushtarake që po zhvillohen në Rripin e Gazës dhe në territoret palestineze.

R.SH. - Vatikan

Në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, komunitetet e krishtera do të kremtojnë Krishtlindjen e ardhshme duke hequr dorë nga momentet e gëzueshme dhe festive që zakonisht paraprijnë dhe shoqërojnë kremtimet e Krishtlindjes, si shenjë respekti dhe afërsie me viktimat e pafajshme të shkaktuara nga operacionet ushtarake që po zhvillohen në Rripin e Gazës dhe në territoret palestineze. Pa tregje Krishtlindjesh, pa parada skautësh dhe grupesh muzikore, pa koncerte dhe pa procesione të grupeve muzikore, pa festime për shpërndarjen e dhuratave për fëmijët.

Kërkesa për të anuluar ngjarjet e këndshme që lidhen me solemnitetet liturgjike të periudhës së Krishtlindjes erdhi nga Këshilli i Kryetarëve të Kishave në Jordani. Pas një takimi të organizuar të enjten më 2 nëntor në Arqipeshkvinë Greko-Ortodokse të Amanit, krerët e Kishave dhe të komuniteteve kishtare të Mbretërisë Hashemite përmes një deklarate kërkojnë që t'i ndahen popullsisë së Gazës edhe donacionet dhe ofertat e lëmoshave të veçanta që do mblidhen në të gjitha Kishat e Mbretërisë të dielën e ardhshme, më 12 nëntor.

Të gjithë të krishterët në Jordani janë të ftuar të jetojnë Krishtlindjen e ardhshme në mënyrë të thjeshtë dhe të përshpirtshme, duke marrë pjesë në kremtimet liturgjike dhe duke hequr dorë nga momentet publike të kremtimit. Në deklaratë, krerët e Kishave në Jordani pohojnë gjithashtu se ata bashkëndajnë "qëndrimin e drejtë" përballë mizorive që po ndodhin në Tokën e Shenjtë që mban Mbreti Abdullah II dhe se ata mbështesin të gjitha përpjekjet që synojnë të bëjnë "të hesht zëri i luftës”. (Agenzia Fides 6/11/2023)

07 nëntor 2023, 16:07