Kërko

Takimi i COMECE-së Takimi i COMECE-së

Ipeshkvijtë evropianë: “dialog dhe diplomaci koherente për paqen”

Ipeshkvijtë e Bashkimit Evropian (COMECE), mbledhur në Bruksel për Asamblenë Plenare të Vjeshtës 2023, miratuan sot një deklaratë ku bëhet sërish thirrje për paqe në kuadrin e keqësimit serioz të sigurisë ndërkombëtare, sidomos të luftës në Ukrainë e në Tokën Shenjte. “I bëjmë thirrje Evropës të japë një vizion të ri për drejtësinë e paqen”

R.SH. – Vatikan

“Inkurajojmë fuqimisht përfaqësuesit politikë të Bashkimit Evropian të luajnë një rol aktiv për të plazmuar dhe për t’i dhënë kontinentit tonë e botës mbarë një vizion të ri për stabilitetin, drejtësinë dhe paqen. Pa u dorëzuar para logjikës së luftës, BE-ja duhet të hapë procese të reja dialogu dhe të zhvillojë një diplomaci koherente paqeje”. Këtë kërkojnë në një deklaratë të publikuar sot, ipeshkvijtë e Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të BE-së (COMECE), mbledhur në Bruksel për Asamblenë Plenare të Vjeshtës. "Me qëllim që të bëhet urë e vërtetë dhe ndërtuese e paqes ndër fqinjët e saj e në mbarë botën, BE-ja duhet japë prova për aftësinë e saj udhëheqëse në rindërtimin e një arkitekture globale në favor të paqes".

Të promovohet një kulturë takimi, solidariteti dhe paqeje

“Zbatimi i vazhdueshëm i marrëveshjeve globale për kontrollin e armëve, për mospërhapjen e tyre dhe për çarmatimin duhet të ketë të njëjtën përparësi që të promovojë besimin e ndërsjellë si shtyllë të qëndrueshmërisë ndërkombëtare”, shkruajnë ipeshkvijtë. “Arritja e paqes së qëndrueshme kërkon arkitektë dhe mjeshtër, prandaj jemi të thirrur të kontribuojmë në këtë detyrë të përbashkët, duke promovuar një kulturë takimi, solidariteti dhe paqeje”.

Roli vendimtar i bashkësisë së krishterë

Deklarata u hartua pas shkëmbimit që patën ipeshkvijtë me përfaqësues të nivelit të lartë të BE-së dhe të Kishës gjatë tri ditëve të asamblesë. Në lidhje online, folën edhe Patriarku Latin i Jerusalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa OFM, e Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, të cilët dhanë njoftime të rëndësishme për valën aktuale të dhunës në Tokën e Shenjtë dhe për luftën Rusi-Ukrainë. Kardinali Pizzaballa – sipas deklaratës së Comece – “nxiti të mos bihet në betejën e rrëfimeve, të cilat portretizojnë një vizion të thjeshtuar të një konflikti të ndërlikuar. Gjithashtu, ai theksoi rolin vendimtar të bashkësisë së krishterë në rajon si artizane e paqes, edhe në këtë situatë të tmerrshme". Duke folur me dhimbje për popullin e tij martir ukrainas, kryeipeshkvi Shevchuk kujtoi se "Ukraina është shtet i ri, por komb i lashtë me identitet evropian".

Rreziku i “një shkallëzimi të pakontrolluar"

“Bota – shkruajnë ipeshkvijtë e COMECE-s në Deklaratë – duket se po kthehet mbrapsht në një dinamikë të rrezikshme, e cila kujton disa nga orët më të errëta të njerëzimit, të destinuara të mbeten në librat e historisë”. Ipeshkvijtë pohojnë se janë të shqetësuar për mundësinë e "një shkallëzimi të pakontrolluar" me "pasoja katastrofike për gjithë njerëzimin". “Në disa vende evropiane – shtojnë ata – po përhapen fenomene të rrezikshme si antisemitizmi, radikalizimi dhe ksenofobia, të nxitura shpesh nga përhapja sistematike e lajmeve të rreme, fenomene që kalojnë në ekstremizëm dhe terrorizëm, të cilat i dënojmë me vendosmëri në të gjitha format dhe shprehjet e tyre". Që këtej, thirrja për krerët e BE-së, si edhe për gjithë qytetarët evropianë, për unitet dhe paqe.

Arritja e paqes kërkon përpjekje koherente

“Rrënjët, vlerat dhe traktatet e Bashkimit Evropian na kërkojnë të gjithëve të impenjohemi sërish në këtë rrugë. Ëndërrojmë një Evropë, që e shfrytëzon plotësisht potencialin e saj për të zgjidhur konfliktet dhe për të ndezur dritën e shpresës, duke vepruar si një forcë e bashkuar, e sigurt dhe integruese, që vlerëson parimet demokratike dhe shtetin e së drejtës, brenda dhe përtej kufijve të saj. Ne dëshirojmë të ritheksojmë se paqja është më shumë se mungesë lufte e dhune. Arritja e paqes kërkon përpjekje koherente, që synojnë promovimin e dinjitetit njerëzor, të drejtësisë, të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor dhe të kujdesit për Krijimin".

Së fundi, Comece njofton se asambleja rikonfirmoi At Manuel Barrios Prieto si sekretar të përgjithshëm të saj për një mandat të mëtejshëm 4-vjeçar.

10 nëntor 2023, 17:18