Kërko

Tutti Santi - ognissanti Tutti Santi - ognissanti

Gjithë Shenjtorët na ftojnë t’i ndjekim me gëzim gjurmët e Jezusit

Të gjithë ata që gëzojnë pamjen e Hyjit, duke nisur pikërisht nga Virgjëra Mari - Zoja e Bekuar e duke vijuar me engjëjt e shenjtorët. Ata, pra, luten për ne, ndërmjetësojnë për ne, për besimtarët, për famullitë, për dioqezat, për mbarë Kishën. E në këtë kuptim, themi se shenjtorët luten për ne e se secili nga ne ka shenjtin e vet pajtor qiellor.

R.SH. - Vatikan

Më 1 nëntor Kisha katolike romake kremton Gjithë Shenjtorët dhe na fton t’i ndjekim me gëzim gjurmët e Jezusit, pa ndërlikime e pa mediokritete, duke ecur me përvujtëri në udhën e përsosjes së dashurisë. Solemniteti i Gjithë Shenjtorëve na kujton se shenjtëri nuk do të thotë të kryesh vepra të jashtëzakonshme. Shenjtëri do të thotë të ndjekësh Jezusin me besim të plotë se Zoti nuk të lëshon kurrë dore, se është gjithnjë pranë teje, në të mira e në të vështira! Solemniteti i sotëm na fton t’i lartojmë sytë kah qielli e të meditojmë për përsosurinë e jetës hyjnore, që na pret.

E në udhën e shenjtërisë nuk jemi kurrë vetëm, na shoqërojnë shenjtorët e të gjitha kohëve. Prandaj Kisha na kujton sa gjë e bukur e ngushëlluese është shoqëria e shenjtorëve, realitet me përmasa krejt të ndryshme, nga ato të jetës sonë. Festa e të Gjithë Shenjtërve, kështu, na fton ta lartojmë vështrimin tonë drejt Qiellit dhe të mendojmë mbi domethënien e plotësinë e jetës Hyjnore që na pret. 

 Shenjtorët janë të ndryshëm njëri nga tjetri

Shenjtëria nuk kërkon heroizma të jashtëzakonshme. Këtë ripohojnë të Gjithë Shenjtorët që kremtojmë më 1 nëntor, të cilët janë krejt të ndryshëm njëri nga tjetri. Ndërmjet tyre ka edhe shenjtorë të thjeshtë, domethënë njerëz të mirë, që i takojmë gjatë jetës e që nuk do të lartohen kurrë në nderimet e elterit. Janë njerëz normalë, në se mund të shprehemi kështu. Jetojnë qetë-qetë e, në dukje, nuk kanë asgjë të përbashkët me heronjtë e me heroizmin. Por në mirësinë e tyre të përditshme shkëlqen e vërteta e fesë.

Shoqëria e Shenjtorëve

Kështu me festen e Gjithë Shenjtorëve Kisha katolike na mëson se ‘Shoqëria e Shenjtorëve’ është bashkimi i të gjithë atyre njerëzve që besojnë në Krishtin: të atyre që tashmë kanë arritur në shtëpinë qiellore; të atyre që janë ende në Purgator e atyre që vijojnë shtegtimin mbi tokë. Është Kisha e parë në tri stinë: në stinën e shtegtarëve mbi tokë; të atyre që kanë arritur në Purgator e që, edhe pse tani për tani vuajnë, janë të sigurt se do të shkojnë më pas në qiell; e në stinën e fatlumëve, të cilët tashmë janë në shtëpinë qiellore. Kremtimi i 1 nëntorit na kujton vëllezërit e motrat tona që kanë arritur në qiell, që janë me Zotin e mund ta shikojnë jetën në Hyjin, ashtu si Hyji është e përgjithmonë.

Ndërmjetësimi Shenjtorëve

Shenjtorët në qiell mund të luten për ne. Në se, për shembull, Shën At Pio nga Pietralçina mund të lutej për ne kur ishte në tokë, aq më tepër mund ta bëjë këtë tani që është në qiell. E këtë mund ta themi për Shenjten Nënë Terezë Bojaxhiu e të gjithë ata që gëzojnë pamjen e Hyjit, duke nisur pikërisht nga Virgjëra Mari - Zoja e Bekuar e duke vijuar me engjëjt e shenjtorët. Ata, pra, luten për ne, ndërmjetësojnë për ne, për besimtarët, për famullitë, për dioqezat, për mbarë Kishën. E në këtë kuptim, themi se shenjtorët luten për ne e se secili nga ne ka shenjtin e vet pajtor qiellor. E është punë e mirë të merret emri i ndokujt që është në qiell, si pajtor i shenjtë.

Të gjithë jemi të thirrur të bëhemi shenjtorë

Shenjtëria është përmbushja e dashurisë. Kush ka më shumë dashuri për Hyjin e për të afërmin, ai është shenjt. Kështu e përkufizon Koncili II i Vatikanit. Thirrja për shenjtëri nuk u përket vetëm të zgjedhurve; është thirrje universale, që u drejtohet të gjithëve. Kështu na mëson Koncili në Dokumentin ‘Lumen Gentium’, e kështu propozon Kisha: t’u përngjasim shenjtorëve në situata, kohë e fusha të ndryshme të jetës. Ndërmjet tyre ka klerikë, e ne e dimë se janë të shumtë, si Toma i Akuinit, Gjon Bosko, Gjon Vianei; pastaj rregulltarë si Shën Benedikti, Shën Bernardi e tri Terezat ( Tereza e Avilës, Tereza e Krishtit Fëmijë dhe Tereza Bojaxhiu e Kalkutës).

Por ka edhe laikë: mjafton të mendojmë për Tomas Moron, Karlo Luangën, Maria Goretin (martire në moshën 11 vjeçe), Luigj e Maria Beltramin Quatroki (bashkëshortë të shpallur të lumtur), Berta Molën e sa e sa të tjerë. Libri i Besëlidhjes së Re, ‘Zbulesa’ e Shën Gjonit Apostull na kujton 144 mijë; një numër që nuk mund të përcaktohet më: njerëz të çdo populli, të çdo kulture e të çdo kombi, që këndojnë këngën e re të Qengjit të Hyjit, të Krishtit shpërblyes.

Është kjo thirrje për të gjithë neve. Të bëhesh shenjt në të vërtetë do të thotë të realizosh plotësisht atë që jemi, d.m.th bij të Zotit: në saje të vdekjes e të ngjalljes, Jezusi bëri shndërrimin më të madh që është vërejtur ndonjë herë, duke na krijuar mundësitë që, përmes hirit, të marrim pjesë në vetë jetën e Zotit. Nuk jam më unë që jetoj – thotë Shën Pali – por është Krishti që jeton në mua!

 

01 nëntor 2023, 10:11