Kërko

 La parabola delle 10 vergini La parabola delle 10 vergini

Fjala e Zotit e dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “A”

Shëmbëlltyra e dhjetë virgjërave që shën Mateu na paraqet në Ungjillin e kësaj së diele na thërret të jemi vigjilentë, të kujdesshëm, të zgjuar e të përgatitur për takimin tonë përfundimtar e vendimtar me Krishtin Zot e Shpëtimtar. Shëmbëlltyra ungjillore na flet mbi domosdoshmërinë e të ndenjurit zgjuar për të qenë të gatshëm për çastin përfundimtar, kur Zoti na thërret.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, së kësaj radhe, meditojmë leximet biblike të liturgjisë së dielës së 32-të, gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendari liturgjik.

Liturgjia e Fjalës e dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “A”

Liturgjia e Fjalës e dielës së 32-të gjatë vitit kishtar “A”

Po i afrohemi përfundimit të ketij viti liturgjik e Kisha na fton ta drejtojmë vështrimin përpara, drejt realiteteve dhe të vërtetave të mbramë të jetës. Pali apostull në Letrën drejtuar Tesalonikasëve ( 4,13-18), Leximi II, shpjegon se cili duhet të jetë qëndrimi i të krishterit para vdekjes, e Jezusi, në Ungjill (Mt 25,1-13), thotë se si duhet jetuar në pritje të saj: “rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”.

Kështu, Ungjilli i kësaj së diele (Mateu 25, 1 -13), me shëmbëlltyrën e dhjetë virgjërave, të cilën e tregon Jezusi, na e përshkruan jetën e njeriut një pritje, si kohë vigjilente, si ecje drejt takimit me Zotin. Me ngjarjen kureshtare të dhjetë vajzave, pesë të mençura, e pesë marroqe, Jezusi na nxit të jemi të urtë, na fton të jetojmë me urti, të jemi të vëmendshëm, të jemi vigjilentë e të gatshëm kurdoherë për takimin tonë përfundimtar me Zotin që vjen.

“Rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën, as orën”, me këto fjalë Jezusi na kujton se të vigjilosh nuk do të thotë vetëm të mos flesh. Do të thotë kryesisht të jesh gati! I përgatitur. Po, për takimin tonё përfundimtar me Zotin duhet të përgatitemi dhe tё jemi kurdoherë gati, si të ishte sot dita e mbrame e jetës! Kushti për të qenë gati në pritje të takimit me Zotin nuk është vetëm feja, por e gjithë jeta e krishterë, e pasur me dashuri dhe bamirësi ndaj të afërmit. Prandaj, urti e vërtetë është të përfitosh nga jeta e vdekshme tokësore për të bërë vepra bamirësie, vepra të mëshirshme, pasi që, pas vdekjes, kjo nuk është më e mundshme të bëhet. Kështu na paralajmëron shёmbёlltyra ungjillore e dhjetё virgjërave.

Nëse jemi vigjilentë e kërkojmë të bëjmë vetëm mirë, me gjeste dashurie, ndarjeje të përbashkët, shërbimi ndaj të afërmit në vështirësi, mund ta presim qetësisht ardhjen e Dhëndërrit; Zoti mund të vijë kur të dojë e gjumi i rëndë i vdekjes nuk do të na tmerrojë me terrinat e veta, sepse e kemi gati rezervën e vajit, që e siguruam me veprat e mira, të bëra ditë për ditë.

Na mësojmë nga shëmbëlltyra e Ungjillit tё kёsaj sё diele se të urtë janë ata dishepuj të Jezusit që, duke e pritur ardhjen e tij, e cila mund të vonojë, madje shumë, nuk dremisin, rrinë zgjuar, të gatshëm, në shërbim të Zotit e tё afёrmit, me dritëzat ndezur. Këtë na kujtojnë shëmbëlltyrat sot: “Rrini zgjuar, se nuk e dini as ditën as orën”.

                                                      Liturgjia e Fjalës së Zotit

 Leximi i parë   Urt 6,12-16

Lexim prej Librit të Urtisë

Urtia është ndritëse e kurrë nuk errësohet, dhe ata që e duan e shohin lehtë, ajo gjendet prej atyre që e kërkojnë. U del para atyre që e dëshirojnë që të bëhet e njohur prej tyre.  Kush ngrihet heret për ta kërkuar s’do të lodhet: do ta gjejë ndenjur para derës së vet. Sepse, edhe vetëm ta dëshirosh atë është përsosje mençurie, kush për atë rri zgjuar, shpejt do të jetë i sigurt. Ajo vetë endet andej-këndej për t’i kërkuar ata që janë të denjë për të, udhës u dëftohet me kënaqësi e në të gjitha mendimet e tyre vetë u vjen e para në takim. Fjala e Zotit.

Psalmi   63

Ref: Shpirti im ka etje për ty, o Zot

——————————————

O Hyj, Hyji im je ti,

qysh në agim të kërkoj.

Ka etje për ty shpirti im,

ty të dëshiron trupi im,

tokë e shkretë, e thatë, e paujë.

——————————————

Kështu erdha në Shenjtëroren tënde

për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.

Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:

buzët e mia do të të lavdërojnë.

——————————————

Kështu do të të bekoj në jetën time,

e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,

do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,

me buzë të hareshme do të lavdërojë goja ime.

——————————————

Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim,

në përgim natën do të mendoj për ty,

sepse ti je bërë ndihma ime,

prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!

——————————————

 

Lexim i ditë 1 Sel 4, 13-18

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Nuk duam, o vëllezër, t’ju lëmë në padijeni lidhur me ata që vdiqën, që të mos trishtoheni porsi të tjerët që nuk kanë shpresë. E njëmend, nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall, atëherë Hyji patjetër edhe ata që vdiqën, nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin, do t’i marrë në lumturi.  Këtë po ju themi të themeluar në fjalën e Zotit: ne që jemi gjallë, që do të ndodhim gjallë në ditën e ardhjes së Zotit, nuk kemi për të qenë para atyre që kanë vdekur. Sepse vetë Zoti – kur të jepet urdhri, në zë të kryeengjëllit, në zë të borisë së Hyjit – do të zbresë nga qielli e më së pari do të ngjallen të vdekurit në Krishtin, dhe vetëm atëherë, ne që do të jemi ende në jetë, bashkë me ta kemi për të qenë marrë në re, në takim me Zotin, në ajër. Kështu do të jemi gjithmonë me Zotin. Pra, ngushëlloni njëri tjetrin me këto fjalë! Fjala e Zotit.

Aleluja! Qëndro besnik deri në vdekje, thotë Zoti, dhe do ta jap kurorën e jetës. Aleluja!

Ungjilli   Mt 25, 1-13

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Atëherë Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta dhe i dolën para dhëndrit. Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. Tashti, këto marroqet morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. Ndërsa ato të mençurat morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë. Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilni përpara!’ Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ Të mençurat u përgjigjën: ‘Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’  Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. Më vonë ia behën edhe virgjërat tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ Por ai u përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’ Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!” Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

E DIELA XXXII GJATË VITIT: PËSE ISHIN MARROQE E PESË TË MENÇURA.

(Urt 6, 12-16; Ps 63 (64); 1 Sel 4, 13-18; Mt 25, 1-13)

Njëri prej martirëve të periudhës komuniste në Shqipëri, i Lumi Imzot Vinçenc Prennushi, kur ende ishte Frat, disa vjet para se të shugurohej ipeshkëv, mes shumë poezive të bukura që krijoi, la të shkruar edhe një poezi në të cilën e përfytyronte veten duke i kundërshtuar me këmbëngulje djallit, i cili përpiqej ta shpërqëndronte nga feja. Ndër të tjera, poezia ka edhe këta rreshta: «Pse, o i mallkuem, ti don me m’hjekë / zemret mue kaq dhanti? / A s’e din se un di me dekë / për fe shejte, qi un ndryj n’gji? / Po, ma mirë shtatë pash nen dhè, / se me bjerrun shejten Fe. / …. Mos t’shof ma, pse shejten Fe, / s’ma zhgulë zemret gja mbi dhe!»

Si ipeshkëv, ai dhe të gjithë ipeshkvinjtë e Shqipërisë në ato vite, pranuan më parë tortura të tmerrshme dhe vdekjen, se ta ndanin Kishën në Shqipëri nga autoriteti i Selisë së Shenjtë. Qe vrarë «in odiom fidei», «për urrejtje ndaj fesë», ndaj asaj feje për të cilën kishte shkruar: «Po, ma mirë shtatë pash nen dhe, se me bjerrun shejten Fe.»

Në Ungjillin e sotëm, Jezusi ngul këmbë që të na mësojë se fenë duhet të dimë ta ruajmë. Për ta bërë këtë, Ai tregon përsëri një shëmbëlltyrë. Kësaj radhe merr një histori (ndoshta pjesërisht edhe të sajuar) që flet për një dasmë. Jezusi merrte si shembuj zakonet e kohës, që kështu dëgjuesit e Tij ta kuptonin më mirë. Kësaj radhe tregon historinë e dhjetë vajzave: «Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura.» «Të mençurat» Jezusi i quan të tilla sepse kishin marrë me vete jo vetëm dritëzat, por edhe vajin shtesë në një enë më vete, gjë të cilën ato «marroqet» nuk e kishin bërë. Dritëzat në atë kohë duhet të kenë shërbyer jo edhe aq për dekor, por duhet të kenë qenë të domosdoshme, meqë thuhet se dasma po bëhej natën. U takonte atyre dhjetë vajzave, pra, që të bënin dritë përreth dhëndrit atë natë. Ishte mungesë e theksuar përgjegjësie nëse nuk e mendonin mirë deri edhe detajin më të vogël. Të mos merrnin vaj shtesë në enë, mund të rezultonte pengesë reale për mbarëvajtjen e dasmës. E ato shkuan e bënë pikërisht këtë gabim.

E kuptojmë lehtë se «vaji» në këtë shëmbëlltyrë simbolizon «fenë». Këto pesë vajza simbolizojnë rastet kur lihet pas dore feja në Zotin dhe, si pasojë, ajo vjen e fiket pak nga pak. As në këtë shëmbëlltyre Jezusi nuk u drejtohet turmave, por «nxënësve të vet». Dëshiron t’i porosisë që të dijnë ta ruajnë fenë. «Nuk mjafton të fillosh mirë, por të vazhdosh e ta mbyllësh mirë ecjen në fe.», porosiste përvujtërisht Shën Piu nga Pitrelçina.

«Marroqet» u kërkuan vaj nga enët e tyre «të mençurave», por ato nuk mund të bënin gabimin që t’ua jepnin. Jo se ishin egoiste, por se ishin shumë realiste: duke bërë ashtu, vaji nuk do t’i mjaftonte pastaj asnjërës për të bërë dritë deri në fund të dasmës e, në atë rast, si do të mund të vazhdohej dasma?

Jezusi, duke thënë se, pasi u kthyen nga tregu me vajin e blerë dhe se dhëndri nuk ua hapi derën më, por iu përgjigj «nuk ju njoh», e ka fjalën për çastin kur secili prej nesh do të dalë para Tij në fund të jetës dhe, nëse nuk kemi pranuar të kthehemi kah Zoti sa ende ishim në kohë, nuk do të kemi më mundësi ta bëjmë një gjë të tillë kur ecja jonë tokësore do të këtë përfunduar. Prandaj, duhet ta ruajmë fenë sa nuk është vonë.

Feja mund të humbasë. Shpesh për fajin tonë. Përshembull, nëse nuk dimë të zgjedhim shoqërinë me të cilën rrijmë, patjetër se rreziku që ta lëmë mënjanë fenë tonë dhe vlerat që Jezusi na mëson, mund të jetë real. «Zgjidhe shokun më të mirë se veten!», thotë me të drejtë një proverb i yni. Ose, nëse qëndrojmë gjatë në vese të ndryshme e nuk përpiqemi të ndryshojmë, mund të mos dëshirojmë më as ndryshimin. Nëse nuk i frekuentojmë rrëfimin dhe Eukaristinë sa më shpesh, mund ta humbasim edhe shijen e një frekuentimi të tillë. Ose, po nuk ditëm t’i përzgjedhim materialet që lexojmë, që shohim apo që dëgjojmë, patjetër që ekziston rreziku real që «dritëza» e fesë sonë të zbehet aq sa edhe të fiket krejt. Nëse nuk “i shtojmë vaj” përshpirtërisë sonë, pra, nëse nuk përkujdesemi për të, ajo rrezikon me të vërtet të fiket.

Sa larg jemi ne nga ata që e dhanë jetën vetëm për të mos i rënë mohit fesë në Zotin?! Në jetën e dy martirëve tanë të tjerë, i Lumi Dom Lekë Sirdani dhe i Lumi Dom Pjetër Çuni, tregohet një fakt vërtet rrënqethës. Torturuesit komunistë sajuan për ta një torturë të pazakontë: pasi i kishin masakruar me tortura më parë, i zhytën ata deri në fyt në një gropë ujërash të zeza. Për të fundit herë u thanë që ta mohonin se ka Zot, nëse donin që t’u kursehej jeta. Me trimëri të pa zakontë dhe për habinë e vetë komunistëve dhe të të burgosurve të tjerë që po e shikonin atë skenë të tmerrshme nga dritaret e burgut, dy meshtarët nuk pranuan ta mohonin fenë. Madje Dom Leka ua ktheu: «Ma mirë me dekë e me fluturue i lirë atje nalt, sesa i gjallë si tradhëtar këtu poshtë. Nuk mundem me e mohue Zotin, vllazen. Zoti ekziston, Zoti ekziston. Unë besoj.» Xhelatët atëherë morën disa sfurqe dhe i zhytën krejtësisht në atë gropë llahtarie e ashtu dhanë shpirt ata meshtarë të pafajshëm. Sa lehtë e mohojmë ne fenë tonë në krahasim me këta shpirtra heroikë e të pastër! Sa larg Zotit jemi në krahasim me këta njerëz që patën një fe vërtet të gjallë!

Por duhet të dimë edhe diçka shumë të rëndësishme: nëse nga njëra anë, është e vërtetë se e kemi për detyrë ta ruajmë e ta ushqejmë fenë tonë në Krishtin, nga ana tjetër, është edhe vetë feja ajo që na mban e na ruan ne. E shpjegon këtë ide shumë bukur një përrallë që thotë se, kur Hyji krijoi të gjithë shpendët e botës, krijoi edhe pëllumbin. Por kishte harruar t’i vinte atij krahët. Pasi pë­llumbi shihte se të gjithë shpendët e tjerë fluturonin e ai jo, shkoi e u ankua te Zoti: «Po pse unë nuk kam krahë si të gjithë të tjerët?» «Të kërkoj falje, sepse paskam harruar.», ia ktheu Zoti dhe shpejtoi t’ia krijonte dy krahët. Pas dy ditësh pëllumbi u kthye përsëri tek Zoti e përsëri iu ankua: «Krahët që më ke dhënë, janë shumë të vështirë për t’u mbartur mbi shpinë.» Pëllumbi i shkretë në vend që t’i rrahte krahët për të fluturuar lart, kishte menduar se i duhej thjesht t’i mbante ata si peshë. «Oh jo, ­– ia ktheu Zoti, – e paske kuptuar gabim, pëllumb i dashur. Nuk je ti ai që duhet t’i mbashë krahët, por janë krahët ata që do të të mbajnë ty.» Është feja ajo që na mban ne, më fort nga sa ne e mbajmë atë.

Të vërtetat e fesë e shndrisin mendjen dhe i japin jetës drejtimin që i nevojitet. Ato na e qetësojnë shpirtin kur duhet qetësuar dhe na e shqetësojnë atë kur jemi në gabime, për të na ndihmuar që të dalim prej tyre. «Urtia është ndritëse e kurrë nuk errësohet», thotë leximi i parë. Bëhet fjalë për dhuratën e Shpirtit Shenjt që e njohim me emrin Urtia. Është pikërisht kjo dhuratë që na shndrit që t’i shohim gjërat menjëherë në Zotin e t’i lidhim të gjitha realitetet e jetës sonë me Zotin. Kështu, menjëherë, falë këtij Hiri të posaçëm të Shpirtit Shenjt, dimë çfarë duhet të bëjmë e çfarë jo. Mbase ky Hir shpesh vepron duke na kujtuar ndonjërin prej Dhjetë Urdhërimeve, apo duke na kujtuar ndonjë fjalë të Ungjillit. Shpesh na ndihmon të formulojmë edhe vetë ndonjë ide “origjinale” në lidhje me atë që duhet bërë apo jo. Kjo është Urtia që vjen prej Zotit dhe që, sipas Besëlidhjes së Vjetër, është gjëja më e çmueshme për njeriun: «Edhe vetëm ta dëshirosh atë (urtinë pra), është përsosje mençurie.» - thotë përsëri leximi i parë.

Të vërtetat e fesë, pastaj, na ndihmojnë të shohim më larg se shohin të gjithë filozofët e të dijshmit e botës të marrë së bashku. Në leximin e dytë shohim se si Shën Pali, falë fesë, i fton Selanikasit që «të mos trishtohen» mes tundimeve të kësaj botë, sepse e di mirë se të krishterin e pret po ajo lavdi që ka Krishti i Ngjallur së vdekuri: «Nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall, atëherë Hyji patjetër edhe ata që vdiqën, nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin do t’i marrë në lumturi.» Edhe vetë Shën Pali, në mes të torturave të ndryshme që pësoi për shkak të Krishtit  dhe të zellit për shpirtrat, «mbahej» nga flatrat që i jepte feja e gjallë. Për këtë fe martirët thurnin lavde e poezi si ipeshkvi martir që cituam në fillim: «Ma mirë shtatë pash nën dhè, se me bjerrun shejten Fé». Kështu mund të «mbahemi» edhe ne nga feja. Mjafton që, «dritëzën» e bashkëpunimit tonë me Hirin e Zotit, ta mbajmë të ndezur gjithnjë.

Dom Dritan Ndoci

11 nëntor 2023, 09:58