Kërko

Vangelo XXIX Domenica del Tempo Ordinario (Anno A) Vangelo XXIX Domenica del Tempo Ordinario (Anno A)

Fjala e Zotit e dielës së 31-të gjatë vitit kishtar ‘A’

Jezusi, në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu, kritikon sjelljet dhe qëndrimet e atyre mësuesve që predikojnë mirë e sillen keq, duke imponuar ndërgjegjes së njerëzve “barrë të rënda që bartën me vështirësi” të cilave personalisht u shmangen. Jezusi i qorton skribët dhe farisenjtë sepse ata ‘thonë e nuk veprojnë’, pra ata nuk veprojnë siç thonë,prandaj Jezusi thotë ‘ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata’.

R.SH. / Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 31 gjatë vitit kishtar, ciklit të parë 'A', sipas kalendarit liturgjik.

Fjala e Zotit e dielës së 31/të gjatë vitit kishtar A

Ndërsa Jezusi gjendet në tempullin e Jerusalemit përballet me disa mosmarrëveshje, duke iu përgjigjur disa pyetjeve që i drejtoheshin, “për ta vënë në provë” (Mt 22,34; krh. 22,15), nga përfaqësuesit e grupeve fetare të pranishme në Izrael. Përgjigjet e tij të urta ua mbyllin gojën kundërshtarëve, aq sa ungjilltari vëren se: “që prej kësaj dite, askush s’guxoi ta pyesë më” (Mt 22,46).

Në këtë moment Jezusi, e përmbysë situatën që e sheh të akuzuar prej autoriteteve fetare, i drejtohet turmës dhe dishepujve të tij me një fjalim, nga i cili në liturgjinë e kësaj së diele lexojmë vetëm pjesën e parë, që përshkon tërë kreun 23 e 24,1 të Ungjillit të Mateut. Është një fjalim i ashpër dhe i prerë, që përmban edhe shtatë thëniet e famshme: “Mjerë ju, skribë e farisenjë hipokritë!”.

“Thonë e nuk bëjnë”: fjalë këto të Jezusit që rëndojnë. Fjalë që qortojnë e na ftojnë ta shikojmë vetveten brenda, seriozisht, për të mos u gjykuar nga Zoti. Fjala e Hyjit shërben për të ndrequr dhe për të qortuar. Jezusi, në Ungjillin e kësaj së diele, si edhe profeti Malakia, në Leximin I, qorton dhe ndëshkon të gjithë ata që sillen keq me të tjerët: farisenjtë, skribët, doktorët e Ligjit..

Dënon hipokrizinë e mësuesve të kohës së vet. Këta kishin shumë fjalë, por ama “nuk veprojnë siç thonë”. Nuk kishte të vërtetë në jetën e tyre. Jezusi nuk dënon autoritetin dhe fjalët e mësimit të tyre, por dënon mungesën e sinqeritetit dhe dyfytyrësinë e veprave të tyre. Nuk mjaftojnë fjalët. Duhet sinqeritet dhe bindje në mënyrën e të vepruarit. Ashtu si Jezusi, i cili mësonte e jetonte sipas mësimit të Vet. Pra, Jezus i dënon ata që venë peshë mbi të tjerët dhe për vehte nuk duan asnjë peshë, asnjë obligim. Skribët e farisenjtë “lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë. Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit”.

Jezusi kishte një peshë dhe një zgjedhë për ne, sepse solli ligjin e dashurisë, por Jezusi vetë tha: “Zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë”. Ishte një ligj, i tëri i themeluar mbi dashurinë për Zotin e për të njeriun. Pastaj, Jezusi vetë ka pranuar peshën e kryqit për të na dhënë shembull. Pra, Jezusi dënon ata që humben në mendjemadhësinë e tyre dhe bëjnë gjithçka për të rënë në sy për mirë para njerëzve. Këta marrin lavdërimet e njerëzve, por nuk do të marrin lavdërimet nga Zoti, sepse janë hipokritë. Edhe sot, Fjala e Zotit duhet shpallur nga çdo i krishterë, jo vetëm me fjalë por mbi të gjitha me vepra të mira, me vepra dashurie. Dhe gjithçka duhet të jetë për lavdinë e Zotit e për të mirën e njerëzve.

                                                                                            Liturgjia e Fjalës

Nga Libri i Malakisë, profet (Mal 1,14-2,1-2.8-10)

Unë jam Mbret i madh - thotë Zoti i Ushtrive - dhe Emri im është i tmerrshëm ndër kombe! E tani ky urdhër është për ju, o priftërinj! 2 Nëse nuk do të dëgjoni, nëse nuk do të kujdeseni t’i jepni lavdi Emrit tim - thotë Zoti i Ushtrive - do ta çoj mallkimin mbi ju e do t’i mallkoj bekimet tuaja! Po, do t’i mallkoj, sepse nuk patët farë kujdesi! Ju rrugën e latë, me mësimin tuaj shkandulluat shumë, e zhbëtë besëlidhjen e Levit - thotë Zoti i Ushtrive. Këndej dhe unë ju bëra të përbuzshëm e të përulur, nga të gjithë popujt, pse s’i mbajtët rregulloret e mia e u bëtë të njëanshëm në mësimin e Ligjit.” “Pse a s’e kemi të gjithë vetëm një Atë? Pse a nuk na krijoi të gjithëve një Hyj i vetëm? Pse atëherë secili prej nesh sillemi me dredhi ndaj vëllait tonë duke e prishur besëlidhjen e etërve tanë? Fjala e Zotit!

Nga Letra e parë e shën Palit apostoll drejtuar Selaniksave. (1 Sel 2,7-9.13)

Vëllezër, Përkundrazi qemë ndër ju të butë, porsi nëna që ushqen e kujdeset për fëmijët e vet. Këndej, prej dashurisë që kemi për ju, ishim të gatshëm t’ju shpallim jo vetëm Ungjillin e Hyjit, por t’ju jepnim edhe jetën tonë, kaq ju kemi pasur për zemër. Dhe vërtet, vëllezër, patjetër do t’ju bien ndër mend mundimi dhe vuajtjet tona: kemi punuar natë e ditë që të mos i bëheshim ndokujt barrë dhe ju predikuam Ungjillin e Hyjit. Prandaj edhe ne, prej anës sonë, pa pushim i falemi nderit Hyjit për ju që, kur e morët fjalën e Hyjit, të dëgjuar prej nesh e morët, jo porsi fjalë njerëzish, por pikërisht ashtu si në të vërtetë është - porsi fjalën e Hyjit - që vazhdimisht vepron në ju që besoni.Fjala e Zotit!

Nga Ungjilli i Shenjtë sipas Mateut (Mt 23,1-12)

Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet: “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë. Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.
Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë - atë që është në qiell! Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës - sepse keni vetëm një Udhëheqës - Krishtin! Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet. Fjala e Zotit!

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA XXXI GJATË VITIT: MOS BËNI SI BËJNË ATA!

(Mal 1, 14 – 2, 2. 8-10; Ps 131 (130); 1 Sel 2, 7-9. 13; Mt 23, 1-12)

«Ju mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë.», thotë Jezusi në Ungjillin e sotëm në lidhje me skribët e farisenjtë që janë ulur dhe mësojnë nga katedra e Moisiut. E, kur i tha këto fjalë, Jezusi ishte duke i folur «turmës dhe nxënësve të vet». Pra nuk ua thotë vetëm nxënësve këto fjalë, në ndonjë bisedë konfidenciale që ka për qëllim të korrigjojë «të vetët», por ua thotë të gjithëve: s’ka gjë nëse në turmë mund të jetë ndonjë spiun që do t’ua përcjellë fjalët skribëve e farisenjve. E rëndësishme për Jezusin ishte që e gjithë bota ta kuptonte mirë se hipokrizia është vesi më i ndyrë që ekziston.

Në Ungjill, Jezusi ka folur shumë pak për veset e tjera, si përshembull për veset kundër pastërtisë në martesë, për vjedhjen, për vrasjen, por ka folur vërtet shumë kundër mëkatit të hipokrizisë. Në Ungjillin e Gjonit gjendet kjo shprehje vërtet turbulluese e Jezusit, kur përballet me mosbesimin e ngurtë të judenjve: «Po si mund të besoni ju, ju që kërkoni lavdi prej njëri-tjetrit, e nuk kërkoni lavdinë që vjen prej Një Hyji të vetëm?» (5, 44). Vërtet na turbullojnë fort të gjithëve këto fjalë të Shëlbuesit tonë, sepse të gjithë e kemi lakmi jo pak la­vdinë nga të tjerët.

Jezusi ka folur shumë kundër hipokrizisë, sepse, nëse në njeriun arrin të zhduket ky ves, atëherë të gjitha veset e tjera është e mundur të luftohen pak nga pak me ndihmën e Hirit Hyjnor. Por nëse nuk heqim dorë nga hipokrizia, nga dyfytyrësia, Hiri Hyjnor do ta ketë të vështirë të depërtojë në ne, sepse ne me dashje, vazhdojmë të bëjmë plane kundër asaj që është e mirë, e shenjtë, e drejtë. Si mund të veprojë Hiri i Hyjit në këtë rast, përderisa jemi krijuar të lirë?

Jezusi nxjerr sot në pah disa prej veseve që kishin këta skribë e farisenj: «Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të mbarten, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.» E keqja këtu nuk është vetëm fakti se ata nuk bëjnë asgjë nga gjërat që vetë mësojnë, por edhe fakti se ua rë­ndojnë ndërgjegjet të tjerëve. U japin detyrime e sentenca të rënda dhe i detyrojnë të ndihen në faj për gjëra tejet të imta të jetës morale, duke ua paralizuar lirinë e shpirtit dhe duke i bërë ta humbasin bukurinë e të qenit bij e bija të Hyjit. U mungon dashuria për tjetrin, prandaj edhe nuk dijnë t’i edukojnë njerëzit në lirinë e dashurisë, por në skllavërinë e rregulloreve, të cilat shpesh janë edhe të pakuptimta.

«Mandej të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thakët.» Ishte fjala për disa lloj veshjesh që, sa më të zgjatura të ishin, aq më shumë gjoja tregohej se dikush ishte besimtar. Kërkonin me ngulm që t’ua mbushnin mendjen njerëzve se janë të shenjtë, ashtu siç rrezikojnë të bëjnë edhe sot e kësaj dite shumë të krishterë. Shumë shpesh kishat janë të mbushura me njerëz që duan medoemos t’ua mbushin mendjen të tjerëve se sa besimtarë janë. Në kishë duket sikur janë më shumë në Parriz se në tokë, por, kur dalin prej kishës, gjërat janë shumë ndryshe. Duke filluar nga komunikimi me familjarët e tyre. Janë, si thotë populli, «zjarri i shtëpisë», në kuptimin që i torturojnë me karakterin e tyre tejet egoist e të pagdhendur. Por sa të shumtë janë edhe njerëzit që kanë hyrë në jetën e kushtuar, shpesh edhe me poste të larta drejtuese, që, para turmave, dijnë të shfaqen të devotshëm, të mallëngjyer deri në lotë me gjërat e Zotit, por pastaj jeta e tyre është plot dyfytyrësi, duke treguar se e gjithë ajo që teatronin para turmave ishte veçse spektakli i radhës e asgjë më shumë! Sa dhimbje duhet t’i kushtojnë Jezusit këto mëkate, përderisa reagon me kaq ashpërsi kundër tyre në Ungjillin e sotëm!

«Në gosti dëshirojnë kryet e vendin, në sinagoga vendet e para, përshendetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.» Situata rëndohet kur këta, jo vetëm që përpiqen t’ua mbushin mendjen të tjerëve se janë të mirë, por kur fillojnë të pretendojnë edhe nderimin nga të tjerët. Sëmundje fort e keqe kjo, që prek sidomos ata që merren me drejtimin shpirtëror të bashkësive. Këta fillojnë të kalojnë nga përpjekja për t’ju afruar edhe ata vetë Atij që përfaqësojnë, tek pretendimi i respektit medoemos, edhe kur jeta e tyre është skëterrë. Kështu nuk vonojnë dhe e nxjerrin në pah tërë helmin dhe arrogancën që ndrydhnin në zemër duke shfryrë me qortime e rregullore. Prandaj, jo rrallë, sa t’u jepet rasti, nuk vonojnë dhe përdorin tërë autoritetin që kanë, nesë kanë mundësi të hakmerren ndaj ndokujt. Problemi i këtyre njerëz nuk është se nuk marrin dashuri. Marrin, edhe shumë madje. Megjithatë, atyre nuk u mjafton të jenë të dashur, por duan të jenë të adhuruar. Prandaj u pëlqen të jenë të rrethuar nga servilë që ua lënë mbarë në gjithçka që thonë e në gjithçka që bëjnë dhe, ata që nuk bëjnë ashtu, i mbajnë për rebelë. E pastaj i gjejnë të gjitha justifikimet morale e teologjike për t’i mbajtur larg e, mundësisht, për t’i asgjësuar. Ky lloj vesi shpesh është pengesa më e madhe në ungjillizim.

Por ky ves mund të kaplojë dejtuesit e çdo fushe të veprimtarisë njerëzore. Ndaj këtyre njerëz, të cilët ishin të thirrur të jenë mjeshtra të jetës së ndershme e jo mjeshtra mashtrimit, Jezusi përdorte fjalë shumë të forta. E dinte mirë se, duke folur kundër tyre, do t’i kushtonte shtrenjtë, por dyfytyrësinë e tyre nuk mund ta toleronte. E këtë nuk e bën nga inati, por ngaqë dëshiron t’i bëjë të kuptojnë se ashtu po i mbylleshin shëlbimit që Ai po u sillte.

Jezusi po vepronte ashtu siç kishte vepruar dikur edhe Hyji, sikurse na tregon edhe leximi i parë: «E tash ky urdhër është për ju, o priftërinj. Nëse nuk do të dëgjoni, nëse nuk do të jeni në kujdes t’i jepni lavdi Emrit tim, do të çoj mallkim mbi ju e do t’i mallkoj bekimet tuaja… Ju e latë rrugën. Me mësimin tuaj shkandulluat shumë.» Biri i Hyjit vazhdon të qortojë, ashtu siç kishte qortuar dyfytyrësinë e të tjerëve dikur.

Jezusi dëshiron që nxënësit e Tij të mos ishin ashtu: «Mos bëni si bëjnë ata.» Jezusi dëshiron që ne të kemi në zemra dashurinë e vërtetë ndaj Hyjit dhe ndaj njerëzve. Fatkeqësisht as Jezusi nuk ia ka dalë që të ketë përreth vetes vetëm njerëz të tillë, duke qenë se historia e Kishës na tregon se hipokrizia shpesh ka prekur dhe vazhdon të prekë rëndë edhe vetë bashkësinë e krishterë. Por, e dimë, kjo gjë ka shkaktuar gjithnjë dëme të mëdha shpirtërore. «Ju e latë rrugën.», do të na thoshte Hyji, i lënduar e i hidhëruar, po bëmë ashtu!

Një shembull shumë i mirë se si duhet të jetë i krishteri dhe sidomos ai që ka në dorë drejtimin e bashkësive, na jepet nga këto fjalë të Shën Palit që dëgjuam në leximin e dytë: «Vëllezër, ne qemë ndër ju të butë, porsi nëna që ushqen e kujdeset për fëmijët e vet. Këndej, prej dashurisë që kemi për ju, ishim të gatshëm t’ju shpallnim jo vetëm Ungjillin e Hyjit, por t’ju jepnim edhe jetën tonë, kaq ju kemi pasur për zemër.».

Një tjetër bari i madh i Kishës, Shën Augustini, pasi qe shuguruar ipeshkëv, shkruante: «Qysh se m’u vu mbi shpatulla kjo peshë (për të cilën do t’i jap jo pak llogari Hyjit) jam gjithnjë i munduar nga shqetësimi i dinjësisë sime. Gjëja më e frikshme është rreziku që të parapëlqej më fort nderimin ndaj meje, sesa shëlbimin e të tjerëve. Por, nëse nga njëra anë më fut frikën ajo çka jam për ju, nga ana tjetër më ngushëllon ajo që jam me ju. Për ju, në fakt unë jam ipeshkëv, me ju jam i krishterë. E para është emri i një detyre që më është dhënë, e dyta është emri i një Hiri. E para është emër rreziku, e dyta është emër shëlbimi.» E kishte kuptuar shumë mirë Shën Augustini frikën e Jezusit se mos ndoshta edhe nxënësit e Tij do të përfundonin të bëheshin si skribët dhe farisenjtë. Shën Pali, Shën Augustini e shumë të tjerë e kanë kuptuar mirë Krishtin kur thoshte: «Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet, do të lartësohet».

04 nëntor 2023, 10:29