Kërko

mons. Mariano Crociata mons. Mariano Crociata

Evropë. Imzot Crociata (Comece): “Është e mundur të dalësh nga vështirësitë, nëse ke vullnet për ta bërë së bashku”

Imzot Crociata, kryetar i Comece: "Evropa ka nevojë për një ndjenjë më të madhe solidariteti brenda vendeve dhe ndërmjet vendeve. Duhet të rritet dhe t’i përballojë së bashku krizat, veçanërisht sot, në të gjitha nivelet. Të mos harrojmë rrënjët tona, atë projekt të jashtëzakonshëm, që baballarët tanë themelues e krijuan pas Luftës II Botërore. Ashtu si atëherë, edhe sot, mund të dalim nga situata të vështira, edhe kur gjërat shkojnë keq, sepse nuk jemi të dënuar të mbetemi të shtypur nga sfidat

R.SH. - Vatikan

Sfidat janë të shumta dhe serioze. Lufta në Ukrainë dhe konflikti që shpërtheu në Lindjen e Mesme. Lufta që Bashkimi Evropian të gjejë kompaktësi dhe unitet. Kriza ekonomike dhe klima e përhapur e pasigurisë që krijon, veçanërisht në periferi, fenomene antisemitizmi dhe polarizimi. "Evropa ka nevojë për një ndjenjë më të thellë solidariteti brenda vendeve dhe ndërmjet vendeve" e edhe, që të mos i harrojë rrënjët e saj, e as atë projekt  ndërtuar nga baballarët themelues që nga fundi i Luftës II Botërore. Historia e asaj kohe është “shenjë shprese” për sot. Na kujton se “është gjithmonë e mundur të dalësh nga situata të vështira, nëse ke vullnet për të punuar së bashku”. Ky është “mesazhi” i ipeshkvijve të Bashkimit Evropian, në përfundim të tre ditëve të asamblesë plenare.

Imzot Mariano Crociata, kryetar i Komisionit të Konferencave ipeshkvnore të BE e shikon kështu ardhmërinë e Evropës, pas  diskutimeve intensive me përfaqësues të institucioneve evropiane:

“Evropa është përballë disa sfidave. Është e qartë se çështjet aktuale të lidhura me luftërat përbëjnë pikën më dramatike dhe më delikate, edhe sepse perceptohen efektet afatgjata në vetë dinamikën e Bashkimit Evropian. Ka shumë pyetje: si do të zhvillohen? Drejt çfarë rezultatesh? Sa do të zgjasin? Këto janë ngjarje që varen kryesisht nga faktorë të jashtëm të Bashkimit Evropian, por implikimet destinohen të ndihen fuqishëm edhe këtu, duke rikujtuar një problem vendimtar: kompaktësinë dhe unitetin e Bashkimit, aftësinë e tij për t'u bërë gjithnjë e më shumë subjekt politik. Të gjitha përpjekjet që po bëhen, propozimet dhe projektet që po dalin për t'i dhënë Bashkimit Evropian një konfigurim më të qëndrueshëm, më kompakt, më të bashkuar, më të aftë për vendimmarrje, janë pra me interes.

Çfarë është në rrezik?

E pyetëm Imzot Crociatën: çështja në themel i referohet identitetit dhe dinamikës së vetë Bashkimit dhe, rrjedhimisht, dobësisë së tij dhe vështirësisë në gjetjen e unitetit të vendimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme dhe komplekse….

Për disa prej tyre Bashkimi ka gjetur unitet të menjëhershëm, si për shembull për Ukrainën, por përsa u përket të tjerëve, lufton për ta gjetur dhe ndonjëherë jeton çaste ndarjeje, që shqetësojnë dhe dobësojnë veprimtarinë e tij. Po për çështjet e migracionit? Le të themi se migrimi është një çështje që mbetet gjithmonë shumë serioze dhe shumë sfiduese:  çështje që kërkon vullnet për të gjetur një pikë marrëveshjeje, mbasi nëse nuk ka orientim të qartë, do të bëhet gjithnjë e më shumë problem serioz jo vetëm për migrantët, por edhe burim konflikti dhe tensioni ndërmjet dhe brenda vendeve.

Lufta në Ukrainë, por mbi të gjitha konflikti që shpërtheu në Lindjen e Mesme, fatkeqësisht kanë krijuar një klimë polarizimi edhe në Evropë. Ju shqetësojnë këto fenomene?

Ekziston ndjenja e shqetësimit që e ka origjinën në një atmosferë të përhapur pakënaqësie. Në disa vende, rezultatet elektorale janë shpesh të pasigurta dhe nuk japin tregues të qartë të shumicës, me pasojë, forma të vështira qeverisjeje. Kjo është shenjë e një sëmundjeje më të madhe, e cila krijon gjendje pasigurie, kryesisht politike, por edhe sociale, dhe shkakton ose nxit frikën e pasigurinë. Ku do të çojë lufta? Si do të priten emigrantët? Ku po shkon ekonomia? Çfarë prodhon kjo? Mund të çojë në reagime ekstreme dhe radikale. Shfaqet sërish antisemitizmi. Fenomenet e terrorizmit rilindin, sidomos në mjediset sociale më të lëna pas dore që, përballë pasigurisë në rritje, prodhojnë reagime instiktive, të pamenduara, por emocionale.

Përballë kësaj tabloje, cili është zëri i Kishës në Evropë?

Zëri kryesor vazhdon të jetë ai i Papës, me të cilin bashkohemi me bindje. Evropa ka nevojë për një ndjenjë më të madhe solidariteti brenda vendeve dhe ndërmjet vendeve. Ajo duhet të rritet dhe t’i përballojë së bashku krizat, veçanërisht të sotmet, në të gjitha nivelet. Le të mos harrojmë rrënjët tona, atë projekt, që baballarët tanë themelues e krijuan që nga shembja e Luftës II Botërore. Ata e bënë këtë duke bashkuar edhe vendet që kishin qenë armiq edhe në luftë, deri vonë. Ka frymë inteligjence ungjillore në këtë fillesë të re. Shenjë shprese, që na flet edhe sot. Ashtu si atëherë, edhe sot mund të jetë e mundur të dalim nga situata të vështira, edhe kur punët shkojnë keq: nuk jemi dënuar të mbetemi të pushtuar nga sfidat dhe problemet, armiqësitë dhe përçarjet. Mendoj për krizën ekonomike, problemin e emigrantëve, vështirësinë për të punuar ndërmjet vendeve me nevoja të ndryshme. E gjithë kjo, dhe më shumë, mund të kapërcehen duke gjetur gjuhën e përbashkët. Vullneti për ta bërë së bashku është i nevojshëm. Por edhe e mundur!

13 nëntor 2023, 12:56