Kërko

 festa dei Beati Martiri della Chiesa cattolica d'Albania nella diocesi di Sapa festa dei Beati Martiri della Chiesa cattolica d'Albania nella diocesi di Sapa

Dioqeza e Sapës: ecje në gjurmët e martirëve

Martirët e lumtur të Kishë katolike të Shqipërisë, të periudhës së diktaturës komuniste, u përkujtuan edhe nga Dioqezën e Sapës, e pikërisht në Kishën e Martirëve Shqiptarë në Blinisht të Zadrimës, në të cilën janë të vendosur eshtrat e Imzot Vinçenc Prendushit, Dom Luigj Prendushit dhe Dom Ndoc Sumës.

R.SH. / Vatikan

Martirët e lumtur të Kishë katolike të Shqipërisë, të periudhës së diktaturës komuniste, u përkujtuan edhe nga Dioqezën e Sapës, e pikërisht në Kishën e Martirëve Shqiptarë në Blinisht të Zadrimës, në të cilën janë të vendosur eshtrat e Imzot Vinçenc Prendushit, Dom Luigj Prendushit dhe Dom Ndoc Sumës. Kujtojmë se më 5 nëntor, Kisha Katolike Universale e në mënyrë të veçantë Kisha katolike në Shqipëri dhe në trevat shqiptare, kremtoi solemnisht 38 Martirët e Lum të Kishës katolike të Shqipërisë, persekutuar në kohën e regjimit komunist. Kisha katolike na kujton jetën, qëndresën, virtytet njerëzore e shpirtërore dhe mesazhin e dëshmisë së tyre për realitetin e sotëm. Falë Provanisë Hyjnore, druri i Kryqit të Krishtit, i rrahur prej stuhisë komuniste, lulëzoi përsëri me një energji të përtërirë në Shqipëri, sipas shembullit të Krishtit, të kryqëzuar dhe të Ngjallur. Martirët pishtarë drite, që ndiçojnë në qiellin e njerëzimit. Më hollësisht njoftimi Violeta Marashit nga Vau-Dejës:

Violeta Marashit nga Vau-Dejës

Martirët e lumtur të Kishë katolike të Shqipërisë u përkujtuan edhe në Dioqezën e Sapës, ku tashmë është kthyer në traditë Ecja në Gjurmët e Martirëve, që për të pestin vit organizohet në familjen dioqezane të Sapës. Këtij kremtimi i parapriu lutja e nëntëditëshit kushtuar martirëve për ta përmbyllur drejt Kishës së Martirëve Shqiptarë në Blinisht të Zadrimës, drejt kësaj Kishe në të cilën janë të vendosur eshtrat e Imzot Vinçenc Prendushit, Dom Luigj Prendushit dhe Dom Ndoc Sumës. Është një hir i vërtetë për këtë dioqezë që të përulemi përpara këtyre figurave të ndritura të fesë.

Nga të katër anët e kësaj Kishe turma besimtarësh të organizuar nga meshtarët dhe motrat përgjegjëse ecnin në këmbë, madje dhe këmbëzbathur për t’u bashkuar në kremtimin e Meshës Shenjte të orës 15.00. Pjesë e shtegtimi ishte edhe vetë Shkëlqesia e Tij, Imzot Simon Kulli, ku me shumë devocion shtegtoi me besimtarët e tij duke ecur dy orë në këmbë për të nderuar dhe përkujtuar figurën e Martirëve të Lumë, që me gjakun e tyre mbrojtën fenë e Krishtit. Kjo ecje ndërsa shoqërohej me lutje dhe uratë nga besimtarët, kërkonin edhe ndërmjetësimin e tyre për hire dhe bekime në jetën e secilit.

Edhe në predikimin e rastit, Imzot Simoni kujtoi se “jemi bashkuar në këtë Kishë të Martirëve Shqiptarë, ku është me rëndësi të njohim figurën e tyre, të cilët me gjithë vuajtjet e kohës, ato nuk u dorëzuan kurrë, por qëndruan të fortë e të patrembur në fenë e Krishtit Zot. I tillë ishte dhe modeli i martirit të Lumit Dom Luigj Prendushi, famullitar në Naraç, një meshtar i përvuajtur dhe i thjeshtë, që pësoi sfida të shumta të jetës, por bindja e tij e vetme ishte feja dhe asgjë tjetër, duke mos pasur frikë edhe kur i erdhi çasti që të pushkatohej në moshën 50 vjeç. Dhe si martir i vërtetë dom Luigj Prendushi aktualizoi fitoren e dashurisë mbi urrejtjen dhe mbi vetë vdekjen” – tha Imzot Simoni.

E veçanta e këtij kremtimi ishte edhe momenti i ofertores, ku u soll Kelshenjti me të cilën kremtoi Meshën e tij të parë Martiri i fesë, i Lumi Dom Ndoc Suma. Ky Kelshenjt u ruajt me shumë kujdes, guxim dhe fshehtësi të plotë gjatë viteve të diktaturës nga mbesa e tij Motër Maria Kaleta në Pistull. Po pjesë e ofertores ishte edhe një punuese ostesh, ku Dom Nikoll Shelqeti, prifti i Blinishtit përgatiste Ostet shenjte në qelën e tij në Piraj. Qe, ky është shembulli i Martirëve dhe këto janë dëshmitë e tyre të çmueshme dhe bashkë me gjakun e tyre kanë bërë që të lulëzojë fara e të krishterëve të rinjë.

Violeta Marashi

06 nëntor 2023, 15:47