Kërko

Benedikti XVI Benedikti XVI

Çelësi i fjalëve të Kishës: ndërmjet fesë e arsyes nuk ka garë

Vijojmë ciklin me meditimet e Papës së ndjerë Benedikti XVI, marrë nga libri “Zoti është gjithnjë i ri”, me parathënie të Papës Françesku. Sot, zgjodhëm mendimet e Joseph Ratzinger nga fjala për pjesëmarrësit e asamblesë plenare të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, më 10 shkurt 2006

R.SH. – Vatikan

Kisha i pranon me gëzim fitoret e vërteta të dijes njerëzore dhe e di se ungjillëzimi kërkon edhe të marrë përsipër përgjegjësinë e horizonteve dhe të sfidave, që paraqesin njohuritë moderne – u thoshte Papa Ratzinger meshtarëve e rregulltarëve të Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Në realitet, përparimi i madh i dijeve shkencore, të cilin e kemi parë shekullin e kaluar, na ka ndihmuar ta kuptojmë më mirë misterin e madh të krijimit, duke lënë gjurmë të thella në vetëdijen e të gjithë popujve.

Megjithatë, përparimet e shkencës kanë qenë, nganjëherë, kaq të shpejta sa ta bëjnë mjaft të ndërlikuar përkimin e tyre me të vërtetat e zbuluara nga Zoti për njeriun e për botën. Në disa raste, pohimet e dijeve shkencore kanë qenë deri të kundërta me ato të vërteta. E kjo mund të ketë shkaktuar një lloj konfuzioni ndër besimtarët e të ketë sjellë vështirësi në shpalljen e në pranimin e Ungjillit. Prandaj, ka rëndësi jetësore çdo studim, që synon ta thellojë njohjen e të vërtetave të zbuluara nga arsyeja, me sigurinë se nuk ka ndonjë “garë ndërmjet arsyes dhe fesë” (Fides et ratio, 17) – shtonte Benedikti XVI.

Nuk duhet të kemi asnjë frikë për ta përballuar këtë sfidë: vërtet, Jezu Krishti është Zoti i gjithë krijimit dhe i gjithë historisë. Besimtari e di mirë se “gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të… dhe çdo gjë qëndron në Të” (Kol 1,16.17). Duke i thelluar vazhdimisht njohuritë për Krishtin, qendër i universit dhe i historisë, mund t’u dëshmojmë burrave dhe grave të kohës sonë se besimi në Të nuk është pa rëndësi për fatet e njerëzimit: ai, madje, është plotësimi i gjithçkaje vërtetësisht njerëzore. Vetëm në këtë perspektivë mund t’i japim përgjigje bindëse njeriut në kërkim të Zotit.

Ky impenjim është me rëndësi vendimtare për kumtimin dhe transmetimin e fesë në botën bashkëkohore. Vërtet, detyra e ungjillëzimit na e kërkon sot një impenjim të tillë, si përparësi urgjente. Dialogu ndërmjet fesë dhe arsyes, fesë dhe shkencës, na jep jo vetëm mundësinë për t’i treguar njeriut të sotëm, në mënyrën më të frytshme e më bindëse, arsyen e fesë në Zotin, por na lejon edhe të dëshmojmë se pikërisht në Jezu Krishtin qëndron përplotësimi përfundimtar i çdo aspirate të vërtetë njerëzore. Në këtë kuptim, një përpjekje serioze ungjillëzimi nuk mund të mos i marrë parasysh pyetjet, që lindin edhe nga zbulimet e sotme shkencore dhe nga instancat filozofike – përfundonte Papa ekspert i marrëdhënieve ndërmjet arsyes e fesë.

09 nëntor 2023, 09:47