Kërko

 Katedralja e Zojës së Arabisë në Awali (Bahrein) Katedralja e Zojës së Arabisë në Awali (Bahrein) 

Bahrein: hapet Porta Shenjte e Jubileut për 1500 vjetorin e martirëve të Arabisë

Vikari apostolik i Arabisë Veriore, Aldo Berardi, kryesoi Meshën solemne të Jubileut për 1500 vjetorin e martirizimit të Shën Aretës dhe shokëve të tij martirë, të vrarë së bashku me 4 mijë besimtarë të tjerë gjatë persekutimit antikristian të vitit 523, në Najran, në Arabinë paraislamike, në Katedralen e Zojës së Arabisë, në Awali. Predikimi u mbajt nga nunci apostolik Eugene Martin Nugent

R. SH. - Vatikan

U hap me një Meshë solemne në Katedralen e Zojës së Arabisë, në Awali të Bahreinit, Jubileu i jashtëzakonshëm në Vikariatet Apostolike për 1500 vjetorin e martirizimit të Shën Aretës dhe shokëve të tij. Kremtimin e kryesoi Imzot Aldo Berardi, vikar apostolik i Arabisë Veriore. Para Meshës, u kremtua riti i hapjes së Portës Shenjte. Homelinë e mbajti Imzot Eugene Martin Nugent, nunc në Bahrein, Kuvajt dhe Katar. Prelati u solli të gjithëve përshëndetjet e Papës Françesku dhe afërsinë e tij në lutje.

 Imzot Nugent: Jubileu, kohë risimi shpirtëror

Imzot Nugent uroi që jubileu të jetë  kohë hiri dhe ripërtëritjeje shpirtërore për këtë bashkësi katolike. Nuk është e lehtë të jesh i krishterë në kohën tonë - theksoi - kur shumë të krishterë janë të persekutuar. Duke ndjekur shembullin e Aretas dhe shokëve të tij martirë, të vrarë së bashku me 4 mijë besimtarë të tjerë gjatë persekutimit antikristian të vitit 523, në Najran, në Arabinë paraislamike, nunci i nxiti besimtarët ta jetojnë dhe ta dëshmojnë çdo ditë Ungjillin e dashurisë, shpallur nga Krishti.

Imzot Berardi: e shkuar, që të frymëzon

Imzot Berardi u dorëzoi të pranishmëve edhe një tekst, në të cilin i fton të ndjekin shembullin e fesë, guximit dhe këmbënguljes së martirëve që dhanë jetën për dashurinë e Krishtit.

Jubileu në Vikariatët Apostolik të Arabisë 1500 vjet pas martirizimit të Shën Aretës

 “Martirët - pohoi - e dëshmuan fenë krishterë përballë talljeve, persekutimeve dhe kërcënimeve pa asnjë lëkundje në fe. Ndaj shikimi në të kaluarën, që nuk ishte më e lehtë se sot, na frymëzon. Feja u transmetua dhe mbeti si fanar në stuhi e si dritë në terrinat e natës. Kjo, rruga e jetës dhe e dritës për ata që besojnë Krishtin dhe e ndjekin. Sot jemi dëshmitarë të të Ngjallurit, me fjalët dhe veprat tona, me dobësitë dhe forcat tona, me të njëjtën dashuri që i gjallëronte dëshmorët. Na takon ne të ngrihemi dhe ta dëshmojmë Krishtin me një jetë të ndershme dhe koherente, një jetë të dhuruar për dashuri dhe të orientuar drejt së mirës dhe së bukurës, drejt dashurisë vëllazërore dhe impenjimit për paqe, drejtësi dhe tolerancë”.

Hapja e Portës Shenjte në Abu Dhabi, më 9 nëntor

Më 9 nëntor, në orën 18.00 me orën lokale, Porta e Shenjtë do të hapet nga Imzot Paolo Martinelli, vikar apostolik i Arabisë Jugore, në Katedralen e Shën Jozefit në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, që Papa i vizitoi në shkurt 2019. Për këtë jubile, Papa Françesku jep ndjesën e plotë nga 24 tetori i këtij viti deri më 23 tetor 2024.

07 nëntor 2023, 09:26