Kërko

Atë Patton në lutje Atë Patton në lutje  (AFP or licensors)

Atë Patton: ndalojeni bombardimin e civilëve në Gaza, jeta njerëzore të bëhet përsëri e shenjtë!

Rojtari i Tokës Shenjte, në Romë për Ditën e Shoqatave të asaj Toke, bën thirrje nga Antonianum që të marrin fund nxitjet e "ideologjive të tipit anti-njerëzor dhe terrorist". E shikon me dhimbje situatën në Rripin e Gazës dhe përshkruan gjendjen në Jerusalem: “Ka mosbesim, frikë e të krishterët luajnë rol themelor. Por shumë duan të largohen. Druhen t’i rrisin fëmijët në një ambient urrejtjeje"

R. SH. - Vatikan

 “Të gjithë duhet të bashkëpunojnë për të ndaluar bombardimet e popullatës civile në Gaza”. Kjo, thirrja që bën, përmes mikrofonave të Vatican News - Vatican Radio, kujdestari i Tokës Shenjte, Atë Francesco Patton, në Romë për Ditën e XVI të Shoqatave të kësaj Toke, që u kremtua në Antonianum. “Duhet të rikthehet respekti për njeriun, pavarësisht nga përkatësia etnike, feja dhe situata personale e secilit - thekson frati françeskan, i cili tërheq vëmendjen për t’u ruajtur “nga ideologjitë e tipit antinjerëzor e terroristik”, të nxitura nga disa grupe. Me dhimbje, fra Patton përshkruan, më pas, vështirësitë që po kalon bashkësia e krishterë në Rripin e Gazës.

E pyesim atin françeskan Patton për lajmin e fundit të bashkësisë së krishterë nga Gaza…

“Bashkësia e krishterë në Gaza tani është shumë e vogël. Besimtarët e ritit grek ortodoks dhe latin janë të përzier në dy famulli. Motrat e Nënë Terezës kujdesen për të paaftët. Me to, edhe motrat e Fjalës së Mishëruar, e motrat e Rruzares, që kishin një shkollë të madhe të hapur për të gjithë. Në këto çaste të krishterët jetojnë bashkë në kishë, është i vetmi vend ku ndihen të sigurt, jo sepse ka mure më të trasha, por sepse në kishë ata e perceptojnë më shumë praninë e Zotit... e Kishën, si shtëpinë e vet, ku ndjejnë dhe praninë e Jezusit, Krishtit, Shëlbuesit të tyre. E thonë shprehimisht! Kanë dy meshë në ditë, thonë Rruzaren, bëjnë jetë lutjeje ditë e natë, pikërisht për të kërkuar shpëtimin për veten e tyre, për vëllezërit dhe motrat e tyre. Të shohim se si do të shkojnë punët në ditët në vijim; ne gjithmonë shpresojmë që të paktën vendi i adhurimit të respektohet dhe të krishterët të mund ta kapërcejnë këtë fazë vërtet të vështirë të ekzistencës së tyre”.

Sot është dita e Shoqatave për Tokën e Shenjtë dhe po flitet edhe për vullnetarët. Sa i rëndësishëm është kontributi dhe prania e vullnetarëve në Tokën e Shenjtë?

“Prania e vullnetarëve është gjithmonë shumë e rëndësishme, por padyshim që duhet të presim derisa të përfundojë lufta për t'i parë përsëri. Ata i ndihmojnë të gjitha subjektet e pranishme: nga Kujdestaria deri te famullitë e Patriarkanës Latine dhe institutet e ndryshme fetare me meshkuj dhe femra të pranishme. Ka aktivitete vullnetare që përpiqen të ndihmojnë edhe ekonominë vendase: po mendoj për Betlehemin dhe shoqatën tonë Pro-Terra Santa, për atë që bëhet në drejtim të aktivitetit kulturor dhe nxitjes së aktiviteteve sipërmarrëse. Vullnetarët janë të pranishëm në të gjithë territorin, si në pjesën izraelite, ashtu edhe në pjesën e Bregut Perëndimor nën Autoritetin Palestinez. Prania e vullnetarëve është gjithmonë e dobishme, sepse krijon një urë lidhëse ndërmjet botës së Tokës së Shenjtë dhe botës së origjinës së vetë vullnetarëve. Ka vullnetarë që vijnë nga Italia, Franca, Spanja, vendet e Evropës Lindore apo nga Shtetet e Bashkuara dhe Amerika Latine. Ata krijojnë kështu ura jo vetëm me bashkësitë e krishtera, por edhe me bashkësitë izraelite dhe palestineze dhe me pjesën tjetër të botës”.

Çfarë të ardhme shikoni për të krishterët e Tokës Shenjte?

“Kam frikë se sapo të përfundojë lufta do të ketë një emigrim të ri të të krishterëve nga Toka Shenjte - në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Evropë. Edhe para se të vija në Romë, ndjeva se shumë nuk ndihen më të sigurt, veçanërisht ata që kanë familje, të cilët nuk duan që fëmijët e tyre të rriten në një mjedis urrejtjeje, ku nuk ka pranim reciprok ndërmjet njerëzve me prejardhje të ndryshme etnike dhe fetare”.

Çfarë mund të bëhet që të krishterët të vazhdojnë të jenë të pranishëm në Tokën Shenjte dhe të dëshmojnë me jetën e tyre për çka na ka lënë Jezu Krishti?

“Gjëja themelore që i shtyn të krishterët të qëndrojnë ka karakter shpirtëror. Kjo do të thotë që të krishterët të jenë thellësisht të bindur se të jesh i krishterë në Tokën e Shenjtë dhe në mbarë Lindjen e Mesme është thirrje e veçantë, një lloj thirrjeje - jo mallkim. E kujtoj këtë sepse shumë, në këtë fazë historike, mendojnë se është një lloj mallkimi për Lindjen e Mesme, mbasi ata e dinë se çfarë ndodhi në Irak, Siri, Liban dhe në këtë çast, në Izrael, Palestinë dhe Gaza”.

Ju jetoni në Jerusalem, më shumë se 70 kilometra nga Gaza, si është atmosfera?

“Atmosfera në Jeruzalem është mjaft e rëndë, sepse ka frikë dhe mosbesim reciprok ndërmjet atyre, që i përkasin bashkësisë arabo-izraelite dhe atyre që i përkasin bashkësisë hebreo-izraelite. Mosbesimi në këtë çast është i dyanshëm, ashtu si edhe frika; megjithatë, ka shenja pozitive të njerëzve që vazhdojnë të përpiqen për të mbajtur lidhur temat e dialogut dhe komunikimit. Të krishterët, në këtë situatë, luajnë një rol të rëndësishëm, sepse nuk shikohen si të rrezikshëm as nga njëra as nga tjetra palë. Rrjedhimisht, nëse qëndrojnë, ata do të jenë në gjendje të ndihmojnë përsëri në bashkimin e pjesëve; nëse largohen, hapësira për bashkëjetesë do të reduktohet edhe më shumë”.

Cila është situata në qytet?

“Në qytetin e vjetër shumica e dyqaneve të suvenireve dhe atyre fetare janë të mbyllura në këtë kohë, sepse nuk ka shtegtarë. Udha e Krygjës e javëve të fundit praktikisht u bë nga ne, fretërit, me disa murgesha dhe disa besimtarë vendas. Në Betlehem situata është edhe më e vështirë, sepse të krishterët jetojnë plotësisht nga shtegtimet dhe tani hotelet, dyqanet, gjithçka është e mbyllur. E përsëris, prania jonë vazhdon të jetë fetare, siç ka qenë gjatë këtyre tetë shekujve. Ne kemi qëndruar gjithmonë, edhe kur nuk ka pasur shtegtarë dhe e dimë se është e rëndësishme të qëndrojmë në ato vende dhe të lutemi në ato vende, sepse ato vende kujtojnë misterin e shëlbimit tonë. Shëlbimi është ngjarje dramatike, jo shëtitje në park, është diçka që i kushtoi jetën Zotit tonë Jezu Krisht. Për rrjedhojë, jemi thirrur ta ndjekim atë si dishepuj, edhe në mes të vështirësive”.

Duke parë realitetin e Tokës Shenjte sot, a ka ndonjë thirrje që do të dëshironit të bënit?

“Thirrja është që të gjithë të bashkëpunojnë për të ndaluar bombardimet e popullatës civile, që të ketë kthim në respektimin e njeriut, pavarësisht nga përkatësia etnike, feja dhe situata personale. Ne duhet të rifillojmë ta konsiderojmë përsëri njeriun si të shenjtë. Në kohët e lashta çka ishte e shenjtë ishte e pacenueshme. Duhet të kthehemi e ta shikojmë personin njerëzor si të shenjtë. Në Tokën e Shenjtë jetojnë besimtarë të tri feve: hebrenj, të krishterë dhe myslimanë. Për hebrenjtë dhe të krishterët, njeriu është shëmbëlltyrë e ngjashme me Zotin; për myslimanët, sipas Kuranit, njeriu është Kalifi i Zotit në këtë tokë, domethënë përfaqësuesi i Zotit mbi dhe. Prandaj, besimtarët e tri feve kanë një ide shumë të lartë për vlerën dhe dinjitetin e njeriut. Të gjithë duhet të fillojmë ta kemi parasysh vlerën dhe dinjitetin e personit njerëzor. Kjo duhet, për ta shmangur nxitjen e ideologjive antinjerëzore dhe terroriste në disa kontekste”.

11 nëntor 2023, 17:19