Kërko

Atë Patton, Rojtar i Tokës Shenjte, komenton enciklikën Fratelli Tutti . Atë Patton, Rojtar i Tokës Shenjte, komenton enciklikën Fratelli Tutti . 

Atë Patton: mijëra të vdekur, të preken ndërgjegjet e pushtetarëve të Tokës

Atë Francesco Patton, kujdestar françeskan i Tokës Shenjte, nënvizon se fjalët e Françeskut shqiptuar të dielave në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, bashkuar me thirrjet e shumta të Ipeshkvit të Romës për paqe në Lindjen e Afërt, janë të rëndësishme, ashtu si forca e lutjes që në Jeruzalem, orët e fundit, i pa të bashkuar fëmijët izraelitë me fëmijët palestinezë

R. SH. - Vatikan

“Ju lutem të ndaloheni, në emër të Zotit: shpresoj të ndiqen të gjitha rrugët për të shmangur absolutisht shkallëzimin e konfliktit”. Fjalët e shqiptuara nga Papa në fund të lutjes mariane të Engjëllit sot, më 5 nëntor, në Sheshin e Shën Pjetrit, jehojnë në çdo cep të planetit, duke përfshirë edhe qytetin e Jeruzalemit. Edhe kujdestari i Tokës Shenjte, Atë Francesco Patton, i dëgjoi drejtpërdrejt përmes bisedës telefonike me ne dhe shpreson se thirrja e Françeskut do ta "prekë ndërgjegjen" e të mëdhenjve të Tokës.

Atë Faltas: fëmijët, izraelitë dhe palestinezë duan të jetojnë në paqe

"Fjalët e Papës më bënë të mendoj, para së gjithash, për ngjarjen e djeshme këtu, në Jerusalem, ku – kujton Atë Patton - fëmijët u lutën për paqe". Së bashku, izraelitë dhe palestinezë, të krishterë dhe myslimanë. Më preku në shpirt një vajze 5-vjeçare, e cila u lut, e shqetësuar thellësisht, për të atin. Kjo frikë do të rëndojë jo vetëm mbi fëmijërinë e saj, por ndoshta, mbi gjithë jetën”. Fëmijët "ndoshta preken më shumë se të rriturit, ndaj kanë arritur të kuptojnë se vuajtja u përket të gjithëve". Klima në qytet "mbetet surreale, rrugëve enden frika, urrejtja dhe zemërimi, përzier me pafuqinë dhe dhimbjen", gjë që vë në pah "edhe më shumë nevojën për lutje nga ana jonë e, sidomos, nevojën për zgjidhje paqësore, të cilat lejojnë mbrojtjen e popullatës civile dhe veçanërisht të fëmijëve”.

Një tragjedi pafund  

“Të mos harrojmë se në fillim - thekson kujdestari i Tokës Shenjte duke kujtuar 7 tetorin e kaluar - ndodhi masakra e tmerrshme e civilëve izraelitë që jetonin rreth Rripit të Gazës; me mijëra viktima dhe 250 të rrëmbyer”, ndërsa tani po ndodh  në Rrip. “Jemi afër 10 mijë të vdekurve, nga të cilët, gati gjysma, fëmijë”. E kjo është "tragjedi që duhet të prekë ndërgjegjen e të gjithëve, e sidomos, të të fuqishmëve të kësaj bote, burra e gra, që mund të ndikojnë fuqishëm mbi vendimet e menjëhershme e të ardhshme".

Pleqtë në Tokën Shenjte

Mendimet tona shkojnë edhe tek të moshuarit, që po jetojnë dramën e kësaj lufte të nisur gati një muaj më parë. “Shqetësohen për fëmijët, për nipërit e mbesat! Nuk mendojnë për të ardhmen e tyre, por të njerëzve të tyre të dashur” – tregon dhimbshëm Atë Patton. "E kam parë këtë jo vetëm në Gaza, por edhe këtu, në Izrael. Disa njerëz, tani të moshuar, nuk shohin  të ardhme të madhe për fëmijët dhe nipërit e tyre, ndaj i ftojnë të largohen nga vendi e të ndërtojnë një jetë tjetër, diku tjetër. Ky, në këtë tragjedi, është element që rëndon edhe më shumë "edhe mbi bashkësinë e krishterë, sepse do të thotë ta shohësh duke u pakësuar në Lindjen e Mesme.

Ndiqeni intervistën me Atë Francesco Patton

Bashkësia e krishterë në Gaza

Informacionet e fundit për bashkësinë e vogël të Gazës janë relative. Ndihen "shpërthime të forta në afërsi" të kishës; "njëri – përfundon Atë Patton - në afërsi të shkollës së drejtuar nga murgeshat". Tjetri lidhet me fëmijët e Gazës: edhe ata u mblodhën ditën e takimit të Papës Françesku me fëmijët të hënën, më 6 nëntor, “e dërguan edhe një video, në të cilën  e falënderojnë Papën për atë që po bën, luten për Të e nuk i tregojnë anën e bombave, po anën e shpresës së krishterë”.

05 nëntor 2023, 14:13