Kërko

Bibla e qiriu, simbol i dritës Bibla e qiriu, simbol i dritës 

Pizzaballa: dramë e paparë në Tokën Shenjte

Shumohen nismat, që bëjnë thirrje për pajtim në rajonin e përflakur nga urrejtja. Në Itali, kardinali Cantoni, ipeshkëv i Comos, propozoi një video në katedrale me Patriarkun e Latinëve, i cili e falënderoi për mbështetjen në lutje drejtuar Zotit për ndihmë. Ndërkohë, Asizi po përgatitet të rijetojë, më 27 tetor, atë frymë uniteti, që u krijua 37 vjet më parë nga Shën Gjon Pali II, në ditën e lutjes caktuar nga Papa për këta popuj

R. SH. - Vatikan

Këto ditë nismat e lutjes për paqen në Lindjen e Mesme po shumohen në mbarë botën. Mendimi për ata, që vuajnë në djepin e krishterimit, ku bashkëjetesa është minuar vazhdimisht nga fërkimet historike, që nga 7 tetori është përflakur sërish nga urrejtja, që përshkon objekte adhurimi e sheshe.

Kardinali Pizzaballa besimtarëve të Komos në lutje: dramë e paparë në këto vise

Pardje, 18 tetor, në katedralen e Komos, besimtarët u mblodhën rreth kardinalit Oscar Cantoni. Përgjigja ishte unanime "të përpiqemi që vëllezërit tanë izraelitë dhe palestinezë të mund të gjejnë zgjidhje alternative përmes rrugës së dialogut dhe heqjes dorë nga dhuna. Rruga drejt pajtimit - kujtoi Kardinali - është e gjatë, po, por është e vetmja që mund të zbatohet". Më pas edhe Patriarku Latin i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, përmes një videoje, i falënderoi banorët e Komos për lutjet e tyre kushtuar Tokës së Shenjtë. Fatkeqësisht, edhe një herë po përjetojmë ditë dramatike me intensitet, dhunë dhe urrejtje të paparë – kujtoi prelati. "Jemi të tronditur nga gjithçka dhe nuk mund të bëjmë asgjë tjetër në këto rrethana të dhimbshme, përveçse të bashkohemi me të gjithë ata që vuajnë, me vëllezërit dhe motrat tona e, mbi të gjitha, t'i drejtohemi Zotit Atë. Kur kalojmë çaste të vështira, kemi nevojë për dikë pranë nesh. Dhe nëse Zoti është prani reale në jetën tonë - nënvizoi - sidomos në këtë çast, dëshirojmë ta kemi me vete. Prandaj duam të lutemi". Fortlumturia e tij i falënderoi të gjithë ata, që mblidhen rreth Kishës së Tokës së Shenjtë, e cila, sipas tij, po përjeton një "dramë të paparë".

Don Dell'Olio: vetëm lutja e mban vëllazërinë në këmbë

Lutja për sigurinë e të vegjëlve si dhe për pushtetarët bën pjesë në synimet e liturgjive të çdo famullie, të çdo dioqeze, të çdo grupi, lëvizjeje, shoqate kishtare. Kushdo që ka shtegtuar në ato vise biblike, nuk mund të mos ketë në zemër dëshirën për paqe. Në Itali, nga Savona - në Lametia Terme; nga Bari - në Belluno, u pranua ftesa e ipeshkvijve të Tokës  Shenjte për t'ia besuar Zotit dhuratën e unitetit dhe për të agjëruar më 17 tetor. Thirrje veçanërisht prekëse në vendet ku adhurimi është i vazhdueshëm, në manastire dhe shtëpitë e ushtrimeve shpirtërore. E në Asizi, më 27 tetor - dita që na kujton 37 vjetorin e takimit historik të lutjes ndërfetare për paqen, të thirrur nga Shën Gjon Pali II - do të rikrijohet atmosfera e lutjes për dhuratën e pajtimit ndërmjet popujve. Një takim që bie në ditën e lutjes dhe të agjërimit, në të cilin mund të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e besimeve të tjera të krishtera dhe të feve të tjera, shpallur nga Papa Françesku. "Në një klimë dramatike urrejtjeje, armiqësie dhe dhune - nënvizon Don Tonio Dell'Olio, kryetar i komisionit të Frymës së Asizit - vetëm filli i ligësht i përshpirtërisë dhe i lutjes mund të përpiqet ta mbajë vëllazërinë në këmbë".

Thirrja e Papës për t'u lutur për paqen bashkohet me Frymën e Asizit

Nisma do të hapet në mëngjes, në Shenjtoren  e Zhveshjes së Krishtit, me një takim të shkollave ​​për t’i njohur më të rinjtë me Frymën e Asizit.

Më datë 27 pasdite, ora 16.30, takim në mencën e Porziuncolës, në Santa Maria degli Angeli, me lutjen ndërfetare për paqen, së bashku me përfaqësues të feve të ndryshme. Më pas, lidhja me Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Papës.

Të shtunë, 28 Tetor, duke filluar nga ora 16:30 në sallën e Pajtimit të Komunës së qytetit umbrian, do të zhvillohet seminari me titull: "A mund ta ndalojnë fetë luftën?". në të cilin do të marrin pjesë ipeshkvi i Asizit, Nocera Umbra, Gualdo Tadino dhe Foligno, Imzot Domenico Sorrentino, kryebashkiaku Stefania Proietti, Don Tonio Dell'Olio, gazetari Piero Damosso, autor i librit "A mund ta ndalë Kisha luftën?", françeskani Atë Enzo Fortunato dhe Rita Moussalem, përgjegjëse për dialogun ndërfetar të Lëvizjes Focolare. Do të jetë në lidhje edhe Marco Impagliazzo, kryetar i Bashkësisë së Shën Egjidit e do të transmetohet dëshmia e Victor Fadlun, kryetar i Bashkësisë Hebraike të Romës.

Të dielën më 29 tetor në ora 12, në Bazilikën e Epërme të Shën Françeskut, do të kremtohet Mesha Shenjte, e kryesuar nga ipeshkvi Sorrentino.

20 tetor 2023, 12:29