Kërko

Kardinali Pizzaballa Kardinali Pizzaballa  (REUTERS)

Sulmi kundër Izraelit: kard. Pizzaballa, “17 tetori, ditë agjërimi e lutjeje për paqe e pajtim".

“Në emër të ipeshkvijve të Tokës Shenjte, i ftoj të gjitha famullitë e bashkësitë fetare në një ditë agjërimi dhe lutjeje për paqe e pajtim”. Thirrja është e kardinalit Pierbattista Pizzaballa, Patriark i Jeruzalemit të Latinëve. Prelati e shpall të martën, 17 tetor, ditë agjërimi, përkorjeje dhe lutjeje. “Do të organizohen çaste lutjeje, me adhurimin eukaristik dhe me rruzaren e Zojës së Bekuar – lexojmë në një shënim të publikuar sot, nënshkruar nga Kardinali i ri.

R. SH. - Vatikan

“Ndoshta në shumë pjesë të dioqezave tona rrethanat nuk do t’i lejojnë  mbledhjet e mëdha. Ndaj do të mund të organizohemi në famulli, në bashkësi fetare, në familje, për të pasur çaste të përbashkëta lutjesh të thjeshta dhe të kthjellta. Kështu mund të bashkohemi të gjithë, pavarësisht nga rrethanat në të cilat jetojmë, e të takohemi në lutje korale, për t'ia dorëzuar Zotit Atë etjen tonë për paqe, drejtësi dhe pajtim".

Kështu vazhdon thirrja, e cila shpreh "dhimbje të madhe dhe tronditje të fortë për gjithçka po ndodh në këto vise të gjakosura.

“Ndodhemi përsëri në mes të krizës politike dhe ushtarake, të zhytur papritur në një det dhune të pashoqe. Urrejtja, të cilën për fat të keq e kemi  jetuar për një kohë të gjatë, do të rritet edhe më shumë dhe spiralja e dhunës që do të pasojë, do të krijojë shkatërrime të mëtejshme. Gjithçka duket se flet për vdekjen”.

Prej këndej ftesa për t'u lutur dhe për të agjëruar për paqen, domethënë, për fitoren e jetës mbi vdekjen!

11 tetor 2023, 14:13