Kërko

Sinodi i Ipeshkvijve Sinodi i Ipeshkvijve

“Sinodaliteti dhe pjesëmarrja”: një kontribut për reflektimin e Kishës

Është mirë që teologët dhe ekspertët e së drejtës kanonike të punojnë së bashku për t'iu përgjigjur si duhet nevojave të një jete kishtare, në të cilën marrëdhëniet ndërmjet parimit të autoritetit dhe parimit të pjesëmarrjes gjejnë ekuilibrin e duhur. Një libër, i redaktuar nga Vincenzo Di Pilato dhe i botuar nga shtëpia botuese Città Nuova, ofron reflektime dhe propozime nga pesë personalitete të shquara, kontribut për shoshitjen në rrugën sinodale

R.SH. – Vatikan

Nga asambletë sinodale kontinentale doli qartë në pah vullneti që mënyra e eksperimentuar në udhën e Sinodit, pra, dëgjimi i gjithë Popullit të Zotit, të depërtojë në jetën e përditshme të Kishës në të gjitha nivelet, të bëhet stili i veprimit kishtar, duke përtërirë strukturat ekzistuese, por edhe duke krijuar struktura të reja. Instrumentum laboris, dokumenti i punës, që përmbledh rezultatet e konsultimit, mbi të cilat po punon asambleja XVI e përgjithshme dhe e zakonshme e ipeshkvijve, propozon të ndërhyhet edhe në të Drejtën Kanonike, duke riekuilibruar marrëdhëniet ndërmjet parimit të autoritetit dhe parimit të pjesëmarrjes. Në këtë drejtim, do të japë ndihmesën e vet edhe libri “Sinodaliteti dhe pjesëmarrja. Subjekti kishtar i misionit”, redaktuar nga teologu Vincenzo Di Pilato, meshtar, profesor i Teologjisë Themeltare (Fakulteti Teologjik i Pulias) dhe koordinator akademik i Qendrës "Evangelii gaudium" (CEG) të Loppiano-s.

Teologjia dhe e drejta kanonike konfrontohen mbi pjesëmarrjen

Vëllimi, i botuar nga Città Nuova editrice, përmban kontributet e pesë personaliteteve të rëndësishme nga bota kishtare dhe teologjike, duke filluar nga kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sekretarisë së Sinodit, për të vazhduar me Severino Dianich, profesor nderi i ekleziologjisë në Fakultetin Teologjik të Italisë Qendrore (Firence); Alphonse Borras, i cili ka qenë pedagog në Fakultetin Teologjik të Brukselit, në Universitetin Katolik të Louvain dhe në Fakultetin e së Drejtës Kanonike në Paris; kardinali Francesco Coccopalmerio, president nderi i Këshillit Papnor për Tekstet Legjislative, si edhe imzot Piero Coda, sekretar i përgjithshëm i Komisionit Ndërkombëtar Teologjik dhe profesor i Ontologjisë Trinitare në Institutin Universitar “Sophia”, nënshkruesi i pasthënies.

"Për një pjesëmarrje të vërtetë të laikëve në veprimtaritë vendimmarrëse të Kishës", ky është synimi i librit, në të cilin shkruhet: “Organizmat e pjesëmarrjes së laikëve karakterizohen nga një vizion minimalist i konsultimit kishtar, pasi besimtarët kanë vetëm votë këshillimore” dhe kjo zhgënjen shumë vetë. E më tej: “Nevojiten vende institucionale, organizma pjesëmarrëse, që janë hapësirë ​​për dëgjim, propozim dhe nxitje ndërmjet besimtarëve dhe barinjve të tyre”. E sërish thuhet se bariu duhet të qëndrojë herë përpara, herë në mes, herë pas popullit të tij, “sepse vetë grigja është në gjendje të nuhasë shtigje të reja”. Ndërsa pranohet se "vendimet në Kishë merren me ndihmën e të gjithëve, kurrë pa autoritetin baritor, që vendos personalisht në sajë të shugurimit dhe të detyrës". Por, shtrohet pyetja: "A kemi të bëjmë vërtet me sinodalitet kishtar në aktin e vendimmarrjes? Nëse jo, si mund të realizohet ai?" Në fund, pohimi i dyfishtë: sinodaliteti është një "përmasë themeltare” e Kishës dhe "udha e sinodalitetit është ajo, që Zoti pret nga Kisha në mijëvjeçarin e tretë".

Di Pilato: barinj e besimtarë, i njëjti korp i Kishës

Në mikrofonin e Vatican News, redaktori i librit, Vincenzo Di Pilato flet për kontributet e ndryshme, që përmban vëllimi “Sinodaliteti dhe pjesëmarrja”, i cili u paraqit më 24 qershor në Qendrën Evangelii Gaudium.

Qëllimi i tekstit është në thelb të kontribuojë në dialogun kryesisht teologjik. Gjithçka lindi për t'iu përgjigjur kërkesës së Instrumentum laboris, ku lexojmë se duhet të punojmë edhe mbi të Drejtën Kanonike për të riekuilibruar marrëdhëniet ndërmjet parimit të autoritetit dhe parimit të pjesëmarrjes. Prandaj, u konfrontuam mbi përgjigjen për rezultatet e procesit të konsultimit me Popullin e Zotit në të gjitha kontinentet, në mënyrë që në fund të këtij procesi të mos kemi përshtypjen se dikush diskuton e dikush tjetër vendos, pavarësisht nga çfarë dëgjon. Kardinali Grech vë në dukje kuptimin e një pagëzimi të vetëm ndërmjet të krishterëve laikë, meshtarëve, ipeshkvijve, që kanë kështu të njëjtin dinjitet, pra, gëzojnë të gjitha prerogativat e Krishtit, i cili është meshtar, profet e mbret. Kontributi i prof. Severino Dianich prek temën e autoritetit e të pjesëmarrjes së laikëve në proceset vendimmarrëse. Tre të tjerët analizojnë si merren vendimet në Kishë e cilat janë organizmat pjesëmarrëse. Flitet për binomin “këshillimor-vendimmarrës”, i cili – nënvizohet – nuk është i përshtatshëm për të zbatuar sinodalitetin në Kishë. Dyshimi i Popullit të Zotit është ky: pas gjithë këtij konsultimi kush do të vendosë? Siç ndodh, për shembull, në këshillin baritor të famullisë, ku në fund vendimin e merr famullitari. Nganjëherë, konsultimi prodhon më shumë zhgënjim, njerëzit ndihen të padobishëm. Si mund ta shprehim këtë akt vendimmarrje të subjektit të vetëm të Kishës, që është pikërisht Krishti që jeton në Kishë? Në këtë vëllim besoj se relatorët kanë propozime të vyera në këtë drejtim.

09 tetor 2023, 12:52