Kërko

Restaurohet selia ipeshkvore e Delbnishtit, qendra e Arqipeshkvisë së Durrësit

Ndërtesa që dikur shërbente si qendra e Arqipeshkvisë së Durrësit, e vendosur në fshatin Delbnisht, i ka shpëtuar rrënimit dhe do t’i rikthehet bashkësisë besimtare katolike. Godina e braktisur, e dëmtuar nga tërmeti, me shumë probleme strukturore, tashmë është restauruar tërësisht falë programit #EU4CULTURE dhe UNOPS

R.SH. - Vatikan

Ndërtesa që dikur shërbente si qendra e Arqipeshkvisë së Durrësit, e vendosur në fshatin Delbnisht, i ka shpëtuar rrënimit dhe do t’i rikthehet bashkësisë besimtare katolike. Falë programit #EU4CULTURE dhe UNOPS kjo godinë e braktisur, e dëmtuar nga tërmeti, me shumë probleme strukturore, tashmë është restauruar tërësisht dhe nuk paraqet më asnjë rrezik. Përgëzime  gjithë ekipit që punoi duke përballuar çdo lloj vështirësie, për të rikthyer në jete këtë objekt me rëndësi monumentale dhe shpirtërore.

Selia ipeshkvore e Delbnishtit, dikur epiqendra e veprimtarive kishtare dhe patriotike, shpallur monument i kategorisë së dytë, ndodhet në kodrën e Delbnishtit, në Laç. Në këtë seli  shërbyen meshtarë e patriotë të shquar. Mjafton të kujtojmë emrat e Dom Nikollë Kaçorrit, Rafaelo D’Ambrozios  Prend Bardhit… që të bindemi për këtë!

Në ceremoninë e përurimit të këtij vendi unik të trashëgimisë kulturore, zhvilluar ditën e martë, më 10 tetor 2023, kryeipeshkvin e përfaqësoi  Dom Massimiliano Spezia F.d.C. Duke falenderuar autoritetet civile shqiptare dhe europiane, meshtari kujtoi: “Në një kohë ku fatkeqësisht shohim dhunën e luftës, që vazhdon të bëhet gjithnjë më kërcënuese, sot u mblodhëm këtu, për të soditur bukurinë e rindërtimit dhe për të pohuar sa nevojë kemi për ta ruajtur kulturën, që na krijoi, si dhe për ta rikthyer. Shën Gjon Pali II thoshte: “Një popull pa kujtesë, është një popull pa të ardhme”.

Në përfundim, falënderimi: “I falenderojmë të gjithë ata që sot, me bujarinë dhe punën e tyre, na krijuan mundësinë  t’i përjetojmë këto çaste feste dhe të sodisim rilindjen e Kishës, rrethuar nga besimtarët e saj”.

(nga kish.al )

13 tetor 2023, 14:11